Bashkëpartiaku i Pal Lekajt kundër monopolit në homologim

Kandidati  për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Dukagjin Vezvesja ka thënë se është kudër monopolit në homologim.

Por, kohë më parë, bashkëpartiaku i tij nga AAK, Pal Lekaj, që është ministër në detyrë i Infrastrukturës, ia vazhdoi monopolin në homologim një kompanie.

Kandidati për deputet në një intervistë të gjatë për KALLXO.com ka thënë se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr.

Por, Vezvesja tha se është për shitjen e Telekomit të Kosovës dhe ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Kandidati për deputet i AAK-së nga Gjakova tha se është për martesat në mes të gjinisë së njëjtë por tha se është kundër bartjes së shamive në shkolla.

“Shkolla  është institucion s’kena çka, nuk ndalen”, tha ai në intervistën me 46 pyetje për KALLXO.com.

I pyetur se a do të punësojë të afërm ai u shpreh se ka biznes familjar dhe nëse është nevoja i punëson në kompaninë e tij. Ndërsa, për Trepçën tha se duhet të mbetet shoqëri aksionare, në kuadër të shtetit.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-së, Dukagjin Vezvesja:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Dukagjin Vezvesja: Unë zakonisht vij nga sektori i ekonomisë, jam i interesuar për pjesën e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Dukagjin Vezvesja: Për deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Dukagjin Vezvesja: Zakonisht taksat janë në përgjithësi taksa që janë të vendosura në bazë të rajonit, të cilën ne duhet të veprojmë në përputhje me rajonin përndryshe nuk mundemi me tejkalu situatën.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Dukagjin Vezvesja: Po zakonisht amendamenti i parë është për pjesën e ekonomisë, unë mendoj se duhet të bëhet një përparësi në sektorin privat dhe mendoj se amendamentet për zhvillimin ekonomik janë një prioritet.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Dukagjin Vezvesja: Unë vij prej komunës së Gjakovës. Komuna e Gjakovës ka disa probleme që janë trashëgua prej pasluftës, dhe ato zakonisht nuk kanë mujt me u zgjedh për një kohë të shkurtër edhe lyp kohë për me i zgjedh problemet. Problemi ma i madhi është papunësia se duhet të i japim një vijë ose një rrugë shumë të saktë ose shumë të qartë rinisë për me me mujt me i punësu. Problemi i dytë është migrimi që ne e kemi si problem si qytetarë të Gjakovës që duhet të bëjmë çmos të rinjtë t’i angazhojmë mos të na ikin në botën e jashtme.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Dukagjin Vezvesja: Jo, se unë jam që një kohë të gjatë në këtë parti dhe besoj që do të mbes për një kohë të gjatë në këtë parti.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Dukagjin Vezvesja: Jo, se zakonisht meqë vij prej kësaj partie, besoj që do shkojmë si grup dhe do punojmë si grup për të mirën e Kosovës.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Dukagjin Vezvesja: Zakonisht, në komunën  e Gjakovës i kemi pakicat që janë shumë të anashkaluar. Mirëpo edhe pjesa e grave që kanë nevojë për afrim me shoqëri.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Dukagjin Vezvesja: Zakonisht, deponitë e mbeturinave që ndikojnë në ndotjen e ajrit. Po ashtu edhe djegia me qymyr është një problem jashtëzakonisht i madh siç është rasti në Prishtinë, që tërë  kohën na përcjell ai tym. Se edhe na që jemi prej Gjakovës por nonstop jemi në Prishtinë edhe na vjen shumë keq që e shohim atë qytet  atë masë të tymit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Dukagjin Vezvesja: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Dukagjin Vezvesja: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Dukagjin Vezvesja: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Dukagjin Vezvesja: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Dukagjin Vezvesja: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Dukagjin Vezvesja: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Dukagjin Vezvesja: Në mënyrë të reciprocitetit, me njohjen e shtetit tonë domethënë kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Dukagjin Vezvesja: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna

nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Dukagjin Vezvesja: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Dukagjin Vezvesja: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Dukagjin Vezvesja: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Dukagjin Vezvesja: Pyetje pak që duhet me e shpjegu. Për, se është institucion s’kena çka, s’nalen.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputet nga diaspora?

Dukagjin Vezvesja: Për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Dukagjin Vezvesja: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Dukagjin Vezvesja: Për me hjek.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Dukagjin Vezvesja: Unë kam biznes familjar. Biznesin familjar e kam qe 30 vjet. Punoj me vllazni. Zakonisht financimin e bëjë vet.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë

kohës kur jeni deputet/ministër?

Dukagjin Vezvesja: Unë e kam një vend të punës edhe medoj që do e mbaj një vend të punës. Nëse do jem deputet, do jem deputet edhe pjesë e biznesit familjar që jam me vite.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Dukagjin Vezvesja: 1000 euro i kam të ardhurat personale mujore. Kam banesë, shtëpi, shtëpinë e plakut domethënë babës që e kam të trashëgume prej familjes edhe pjesën e aksioneve që i kam në kompani, pjesën familjare.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Dukagjin Vezvesja: Me gruan e kena bashkërisht pasurinë.

KALLXO.com: Heren e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Dukagjin Vezvesja: Zakonisht, zgjidhjen e bojmë në spital publik por kur nuk ka zgjidhje shërimin e vazhdojmë në spitale tjera.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Dukagjin Vezvesja: Në spital publik.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Dukagjin Vezvesja: Pak në publik, pak në privat për shkak të drejtimit se s’ka pas në publik dhe është dashtë me regjistrua në privat.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Dukagjin Vezvesja: Asnjë nuk e kam, se fëmijët i kom të ri, të vegjël domethënë në studime. Unë edhe bashkëshortja jena në punë dytë. Po edhe për punësimin mendoj sipas konkursit do të punësohen të gjithë. Nuk besoj që do veproj në atë drejtim se mendoj që e kam kompaninë time mund t’i punësoj nëse ka nevojë në kompaninë time.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Dukagjin Vezvesja: Unë mendoj që Trepça më së miri është më mbetë në shoqërinë aksionare, në kuadër të shtetit.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Dukagjin Vezvesja: Varet prej projekteve që janë të renditura. Nuk mendoj që ka me vendos vota ime diçka për një projekt të caktum.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilën keni me lëne gjurme/trashëgimia juaj si deputet?

Dukagjin Vezvesja:  Unë meqenëse vij nga sektori i  zhvillimit ekonomik, mendoj si deputet të ardhmen. Mendoj që duhet të gjithë njerëzit të mundohen për zhvillimin ekonomik për me qenë sociale e çdo qytetari. Se na gjithë po e shohim nëpër media politikën, pak edhe shumë ekonomia ështëë mirëseardhur te njerëzit në Kosovë që jetojnë.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Dukagjin Vezvesja: Brenda një viti mendoj deri 10 pyetje, duhet të bohen.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Dukagjin Vezvesja: Sipas nevojës së qytetarëve unë jam i gatshëm.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Dukagjin Vezvesja: Më deri në 10 vite, mendoj.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Dukagjin Vezvesja: Sa të jetë ë nevojshme do jem aty.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Dukagjin Vezvesja: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Dukagjin Vezvesja: Zakonisht sipas grupit parlamentar qysh është, qysh vepron. Edhe unë jam sipas grupit parlamentar.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Dukagjin Vezvesja:  Jo.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Dukagjin Vezvesja: Dy.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike  dhe shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Dukagjin Vezvesja: Jo.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Dukagjin Vezvesja: Po.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri? A keni me leju qasje për publikun?

Dukagjin Vezvesja: Po.