Incidenti Pas Vjedhjes së një Shtëpie

Incidenti në Kroin e Vitakut, ku u vra një serb dhe u plagosën dy të tjerë, dyshohet se ka nisur pas një tentimi për vjedhjen e një shtëpi shqiptare në këtë lagje në veri të Mitrovicës.

Kështu ka thënë Nexhip Gashi, nga Policia rajonale e Mitrovicës, në takimin e jashtëzakonshëm të Komitetit për vlerësimin e sigurisë që u mbajt të enjten në Komunën e Mitrovicës.

Gashi ka shpjeguar para komitetit se të mërkurën rreth orës 19:50, policia e stacionit në veri është informuar për një përleshje në mes dy grupeve, shqiptarë dhe serbë në Kroin e Vitakut. “Kësaj thirrjeje i është përgjigjur njësia patrulluese e stacionit në veri, e cila ka intervenuar për të ndalur përleshjen”.

Ai tha se në një moment, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur tre persona të përkatësisë etnike serbe, njëri prej tyre pjesëtar i Policisë së Kosovës. “Të plagosurit janë dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, ndërsa më vonë është konfirmuar vdekja e Savo Mojsiqit, njërit nga të plagosurit”, tha Gashi, transmeton Zyra për Informim e Komunës së Mitrovicës.

Sa i përket motiveve të këtij akti kriminal, ai tha se mbeten të panjohura deri në këtë moment, përkundër faktit që hetuesit policorë kanë shikuar vendin e ngjarjes në kërkim të provave materiale dhe mbledhjes së dëshmive të tjera që do të ndihmojnë në procesin e hetimeve. “Dyshohet se përleshja ka filluar pas një tentimvjedhje që ka qenë në proces në një shtëpi shqiptare në atë lagje”, tha Gashi.

Me urdhër të prokurorit publik, janë bastisur gjashtë lokacione, tri shtëpi dhe tri banesa të banorëve shqiptarë dhe serbë në atë lagje. “Nuk ka të arrestuar as të dyshuar deri me tani”. 

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës e kanë dënuar incidentin që ndodhi të mërkurën rreth orës 20, në lagjen me popullatë etnikisht të përzier, në veri të Mitrovicës.

Kryetari Avni Kastrati ka shprehur keqardhje për humbjen e një jete dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë dhe rendit që të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit. “Strukturat përgjegjëse duhet të sqarojnë të gjithë situatën që ka ndodhur aty, në mënyrë që incidenti të mos shfrytëzohet për qëllime politike, duke pasur parasysh rrethanat aktuale në veri”.

Gjithashtu kryetari Kastrati, në takimin e jashtëzakonshëm të Komitetit për vlerësimin e sigurisë, i bëri thirrje popullatës që ta ruajë gjakftohtësinë, në mënyrë që situata të mos eskalojë. “Eskalimi i situatës është në favor të atyre që duan t’i realizojnë skenarët politike në dëm të Kosovës”, u shpreh ai.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ngjarja e së mërkurës mbrëma ka shqetësuar të gjithë, sidomos popullatën në veri. Ai kërkoi nga KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës që të shtojnë praninë në lagjet me popullatë të përzier në veri në mënyrë që të parandalohen incidentet e mundshme.

Nga ana tjetër, kryetar paralel i Mitrovicës së veriut, Krstimir Pantic, ka akuzuar njësinë speciale të Policisë së Kosovës për incidentin.  “Të gjithë e dinë të vërtetën, se ndaj serbëve kanë gjuajtur pjesëtarët e njësisë paraushtarake, Rosu, por të gjithë heshtin në lidhje me këtë”, ka thënë Pantic, transmeton B92.

Sipas tij, Komuna e Mitrovicës së veriut ka ndërprerë çdo kontakt me misionin e KFOR-it.