I Dyti i Drejtësisë me dy Aktakuza dhe një Vendim për Shpifje

Kryeministri Hashim Thaçi, më 14 qershor 2012 kishte shkarkuar Ramadan Gashin nga detyra e zëvendësministrit të Drejtësisë, për shkak të një aktakuze që ishte ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Shtetit. Gashi ka qenë ish-kryetar i Skënderajt dhe ish-deputet i Partisë Demokratike në pushtet.

Por një tjetër i akuzuar tashmë mban pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Drejtësisë. Ai ishte emëruar në këtë detyrë  më 25 maj 2011. 

Daut Xhemajli është njeriu numër dy në sistemin e drejtësisë kosovare, atij i janë ngritur dy aktakuza në shtatorin e vitit të kaluar. 

Ai është një nga themeluesit e degës së PDK-së për Komunën e Vitisë dhe aktualisht është kryetar i Degës së PDK-së në Viti nga viti 2004, si dhe është anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Xhemajli do të përballet në Gjykatën Themelore të Gjilanit për dy  vepra penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. 

Ngritjen e aktakuzave Gazetës Jeta në Kosovë ia kanë konfirmuar edhe prokurorët Isuf Sadiku dhe Shaban Spahiu nga Prokuroria Themelore e Gjilanit. 

Rreth pesë muaj pas ngritjes së aktakuzave ndaj Xhemajlit, nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore. 

“Deri tash nuk është mbajtur asnjë seancë, e as deri në fund të këtij muaji nuk do të mbahen, ndoshta [mbahen] gjatë muajit tjetër”, tha Sabit Shkodra , zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit. 

Xhemajli me dy aktakuza për shpërdorim të detyrës zyrtare

Kryeministri Thaçi ndonëse kishte shkarkuar Gashin nga pozita e zëvendësministrit të Drejtësisë, kur ishte ngritur aktakuzë ndaj tij, deri tash nuk ka vepruar njëjtë edhe me zëvendësministrin Xhemajli. 

Ish zëvendësministri Gashi, nuk ka dashur të komentojë arsyet pse Xhemajli vazhdon ta mbajë pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë, derisa ai ishte shkarkuar nga kjo pozitë në momentin që i ishte ngritur aktakuza. 

Zyra e kryeministrit Thaçi, nuk i është përgjigur akoma Gazetës Jeta në Kosovë, kur është pyetur se si do të veprojë me rastin e Xhemajlit.

Ndërsa shefi i zëvendësministrit Xhemajli, i pari i Ministrisë së Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk është përgjegjësi e tij kjo çështje. 

“Kjo nuk është kompetencë e imja, dërgo pyetjet në zyrën për informim”, është përgjigjur shkurt Kuçi, përmes një mesazhi telefonik, kur është pyetur se cilët do të jenë hapat që do të merren ndaj zëvendësministrit Xhemajli, për aktakuzat që janë ngritur ndaj tij. 

Përgjigje të njëjtë, Gazetës Jeta në Kosovë i ka dhënë edhe Zyra për Informim e Ministrisë së Drejtësisë. 

“Kjo nuk është në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë”, tha Astrit Kolaj, zëdhënës për informim në këtë ministri. 

Xhemajli që me profesion është inxhinier i ndërtimtarisë, nga viti 2008 ka qenë shef për Administratë dhe Personel në Komunën e Vitisë, deri në qershor të vitit 2011, kur u emërua në pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë. 

Aktakuza e parë ndaj Xhemajlit është ngritur më 24 shtator 2013 nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Shaban Spahiu,  prokurori që ka ngritur këtë aktakuzë tha se Xhemajli akuzohet për dy vepra penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar këtë aktakuzë.

Xhemajli, në një rast, nga pozita e shefit të Administratës dhe Personelit nënshkroi një vendim që liroi për një periudhë katërmujore nga pagesa e qirasë Fitim Alidemën nga Vitia,  përfaqësues të barnatores Galemi Pharm. 

Qiraja mujore që Alidema paguante, ishte 1 mijë e 90 euro. 

Aktakuza thotë se Komuna e Vitisë u dëmtua në vlerë prej mbi 4 mijë e 360 eurosh nga ky vendim i Xhemajlit. 

Po ashtu kjo aktakuzë thotë se Xhemajli në një rast tjetër  nuk ka vepruar në kuadër të autorizimit të tij, duke mos u kujdesur për implementimin e obligimeve kontraktuese sipas kontratës së lidhur me datën 23 shtator 2009, mes Kuvendit Komunal dhe përfaqësuesit të firmës NPH “Elita”, Dritan Azemit në Viti.

Kontrata kishte të bënte me shfrytëzimin me qira të një prone që gjendej në oborrin e shtëpisë së kulturës në Viti.

“…që nga fillimi i shfrytëzimit të lokalit, e gjer në janar të vitit 2013, përveç një kësti mujor prej 201 eurove që kishte paguar me datë 26 janar 2012, asnjë këst tjetër nuk e kishte paguar, ashtu që komunës së Vitisë i kishte mbetur borxh, përkatësisht i ishte shkaktuar dëm material prej 6 mijë e 834 eurosh”, thuhet në aktakuzë. 

Në cilësinë e shefit të Administratës… Xhemajlit i është ngritur edhe aktakuza e dytë nga prokurori Isuf Sadiku. 

Sipas aktakuzës që e ka ngritur prokurori Isuf Sadiku, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në cilësinë e ish shefit të Administratës…, Xhemajli dyshohet se me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër, ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar detyrat zyrtare. 

Ai akuzohet se ka shkelur legjislacionin përkatës të Ligjit të Prokurimit, duke lidhur kontratë për punë në vlerë prej 7.936.13 euro me kompaninë “Kristal” nga Vitia, e cila do të bënte implementimin e punëve “rregullim i trotuareve dhe drunjve dekorativë në Viti”.

Por konform legjislacionit, përgjegjës për të zhvilluar aktivitetet e prokurimit, është zyrtari i prokurimit dhe jo shefi i administratës dhe personelit. 

Zëvendësministri Xhemajli, i ka thënë gazetës se nuk janë ngritur aktakuza ndaj tij dhe se nuk e di për çfarë është akuzuar.

“Ato janë vetëm akuza, unë prej shtatorit këto i kam dëgju vetëm prej gazetarëve, mua askush asgjë nuk më ka thënë”, i tha gazetës Xhemajli. “…nejse ato janë akuza të prokurorit, por unë nuk kam të bëj asgjë me ato”. 

Ai thotë se nuk e ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe nuk e di çka kanë menduar prokurorët me këto akuza ndaj tij. 


Daut Xhemajli

Xhemajli i denuar edhe për shpifje

Xhemajli në mars të 2005 ishte dënuar për shpifje nga Gjykata Komunale në Viti. 

Ngjarja kishte ardhur me 18 tetor të 2002, gjatë kohës sa ka qenë duke u mbajtur një debat publik në qytetin e Vitisë, në kohën e fushatës zgjedhore.

Xhemajli duke e prezantuar PDK-në, në këtë tubim ishte pyetur nga një qytetar në këtë debat “pse nuk shpallet lista e uzurpuesve”?

Ai i ishte përgjigjur se “përkundër kërkesave tona për publikimin e listës së uzurpuesve, kjo nuk është bërë për arsye se në krye të uzurpuesve është  kryetari i Komunës së Vitisë Samet Dalipi”. 

Dalipi, me 22 tetor 2002 e kishe paditur Xhemajlin për shpifje.  

Në padinë që ka siguruar gazeta, Dalipi kishte thënë se i ishte cenuar nderi dhe prestigji i tij si kryetar i komunës së Vitisë.

Gjykata fillimisht i kishte shqiptuar Xhemajlit një vërejte gjyqësore, ndaj të cilës Xhemajli kishte paraqitur ankesë. 

Gjykata Komunale në Viti në maj të 2003 e kishe kthyer rastin në rigjykim, pasi kishte shqyrtuar ankesën e Xhemajlit.

Pas mbajtjes së rigjykimit, Gjykata… kishte marrë vendim për të dënuar Xhemajlin për shpifje me 30 ditë burg, me kusht që ai nuk do të kryej vepër tjetër penale brenda një viti, thuhet në aktgjykimin që ka siguruar gazeta. 

Kur Xhemajli u pyet nga Gazeta rreth këtij vendimi të gjykatës, ai tha se “ajo punë ka qenë çështje e fushatës zgjedhore”. 

“Jo, jo, s’ka dënim, gabim është”, i tha ai Gazetës Jeta në Kosovë. 

Xhemajli tha se ai nuk e ka marrë vendimin e gjykatës komunale që është dënuar për shpifje.

“Unë e kam marrë veç atë vendimin për qortim dhe asgjë tjetër”, tha ai.