Ilustrimi: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Fati demografik i Kosovës duket të jetë shumë i frikshëm

Shteti më i ri i Evropës nuk është imun ndaj plakjes dhe depopullimit që po zbraz shoqëritë në gjithë Ballkanin.

 

Kosova mund të jetë shteti më i ri i Evropës, por kushdo që ka qenë përgjegjës ka mbledhur të dhëna për aq kohë sa dikush ka pasur autoritetin që të mbledhë taksat.

Një statut i vitit 1330 i Manastirit serb ortodoks të Deçanit në Kosovën perëndimore regjistron numrin e vendbanimeve dhe familjeve përreth tij si dhe në pjesën që tani njihet si veriu i Shqipërisë. Kjo, me sa duket, tregon se shumica e njerëzve atje ishin serbë.

Kjo nuk është e saktë, argumentojnë disa historianë shqiptarë të cilët thonë se zyrtarët serbë ishin duke i “sllavizuar” emrat shqiptarë me qëllim që t’i asimilojnë ata.

Në Kosovë, historia ka qenë gjithnjë luftë me mjete të tjera dhe kështu është më e lehtë të gjesh analiza të hollësishme se cili ka qenë numri i serbëve dhe shqiptarëve që kanë jetuar në Kosovë gjatë secilës kohë përgjatë shekujve të kaluar se sa që janë gjetur analiza të numrave, trendeve dhe, kësisoji, edhe nevojat e njerëzve, sesa ato të serbëve, shqiptarëve dhe të tjerëve, që jetojnë sot në Kosovë.

Statistikat janë mbledhur apo janë manipuluar për të mbështetur njërën ose tjetrën anë, ose thjesht janë hamendësuar – të gjitha këto i bëjnë analizat më të ashpra të demografisë së Kosovës shumë më të vështira se kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor.

Ilustrimi: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Për shembull, sipas Eurostat, agjencia e statistikave të BE-së, e cila i merr të dhënat e saj nga ASK, Agjencia e Kosovës për Statistika, në vitin 2010 popullsia vendase e Kosovës ishte 2.2 milionë por në vitin 2011 ishte 1.79 milion.

Pra, a vdiqën apo emigruan papritmas më shumë se 400,000 njerëz? Sigurisht që jo.

Shpjegimi që fshihet pas kësaj gremine statistikore na ndihmon të kuptojmë se pse politika e ka bërë kaq të vështirë të jemi në dijeni me atë se sa njerëz jetojnë në Kosovë.

Në vitin 1981, regjistrimi jugosllav regjistroi një popullsi totale prej 1.58 milionë banorësh, nga të cilët 77.4 përqind ishin shqiptarë dhe 14.9 përqind serbë dhe malazezë.

Në kohën e regjistrimit pasues në vitin 1991, udhëheqësi serb Slobodan Millosheviç kishte shfuqizuar autonominë e Kosovës dhe shqiptarët e bojkotuan regjistrimin, që nënkuptonte se Instituti i Statistikave Federale Jugosllave duhej të vlerësonte numrat e tyre.

Konkludimi ishte se tani kishte 1.97 milionë banorë në Kosovë, nga të cilët 82.2 përqind ishin shqiptarë.

Në fakt, numri aktual në Kosovë ishte më pak sepse të dhënave të regjistrimit të Jugosllavisë përfshinin ata që punojnë jashtë dhe familjet e tyre.

Sipas një vlerësimi të përafërt të bërë nga ky Institut në vitin 1989, në fakt kishte vetëm rreth 1.87 milionë banorë në Kosovë.

Sidoqoftë, gjatë viteve 1990 ishte e diçka e zakonshme të lexohej se popullsia e Kosovës ishte të paktën dy milionë banorë.

Kur u bë regjistrimi i parë i pasluftës në vitin 2011, u zbulua se popullsia e Kosovës ishte shumë më pak sesa mendohej, duke përbërë rënie të madhe në të dhënat e Eurostatit.

Një arsye kryesore për gabimin ishte rënia e shkallës së fertilitetit, e cila përgjatë gjithë periudhës jugosllave kishte qenë jashtëzakonisht e lartë.

Ilustrimi: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Në vitin 1950, gratë kishin një mesatare prej 7.6 fëmijë. Deri në vitin 1981, kjo mesatare kishte rënë në 4.58 fëmijë. Deri në vitin 1991, kjo mesatare ishte 3.58 dhe më në fund, në vitin 2015 ra poshtë shkallës së zëvendësimit në 2.00 fëmijë, ku edhe mbeti e tillë në vitin 2018.

Sidoqoftë, deri në regjistrimin e vitit 2011, parashikimet u bënë duke përdorur shkallë më të larta se shkalla e lindshmërisë.

Nuk ka gjithashtu një statistikë të saktë se sa njerëz ishin larguar, qoftë në Serbi kur flasim për serbët apo në pjesën tjetër të botës kur flasim për shqiptarët e Kosovës.

Përderisa regjistrimi i vitit 2011 ishte i pari që i dha afërsisht një pamje të besueshme të popullatës së Kosovës që nga viti 1981 tani serbët e Kosovës bojkotuan apo regjistrimi nuk u mbajt në katër komunat e kontrolluara nga serbët në veri. Kështu që ASK-së iu desh ti përafrojë të dhënat për ta.

Sot faqet e internetit për katër komunat veriore me popullsi kryesisht serbe e vendosin popullsinë e tyre në shifrën prej 70.430 banorëve, por nëse ne përjashtojmë studentët, veçanërisht nga pjesët e tjera të Serbisë, ky numër mund të ekzagjerohet për arsye politike.

Gjatë vitit të kaluar, presidentët serbë dhe kosovarë kanë flirtuar me idenë e një shkëmbimi të territorit dhe të njerëzve, me anë të të cilave veriu i Kosovës do të shkëmbehej me Luginën e Preshevës, një territor në jug të Serbisë i banuar me shumicë etnike shqiptare (shqiptarët e kësaj ane gjithashtu bojkotuan regjistrimin e fundit serb).

Një problem nga këndvështrimi serb është se nëse shkëmbimi ndodh, shumica e serbëve të Kosovës do të liheshin në jug – për sa kohë që statistikat komunale janë të sakta. Megjithatë, dëshmitë nga burimet serbe sugjerojnë se një gjë e tillë nuk qëndron.

Regjistrimi në shkolla dhe të dhënat e Kishës Ortodokse Serbe tregojnë për një popullsi vendase serbe të Kosovës me rreth 100,000 sosh me rreth 40 përqind prej tyre që jetojnë në veri dhe pjesa tjetër në jug.

Nëse dyshimi se të dhënat e popullsisë së Kosovës së Veriut janë vënë në shërbim të qëllimeve politike është i saktë, kjo nuk do të ishte hera e parë në historinë e fundit.

Gjatë viteve 1980, kur shkalla e lindshmërisë  shqiptare ishte jashtëzakonisht e lartë, kjo ishte një çështje që u vu në shërbim të forcave politike serbe, të cilët argumentuan se shqiptarët e Kosovës qëllimisht po krijonin familje të mëdha për ta bërë Kosovën e tyre – më mirë se sa fakti që shoqëritë e varfra në të cilën shumica e grave priren të kenë një shkallë të lartë të lindshmërisë.

Megjithatë, ky argument ishte mjaft i forte dhe e ndihmoi Millosheviqin të vinte në pushtet – një pikë kthese që rezultoi me shkatërrimin e Jugosllavisë.

Në të njëjtën kohë, familjet e mëdha kishin nevojë për tokë dhe shtëpi dhe ky presion nga popullata do të thoshte se një numër i madh serbësh ua shisnin tokën e tyre shqiptarëve dhe u larguan për në Serbi, ku me ato para ata mund t’i blenin ato toka shumë më tepër sesa kishin pasur në Kosovë.

Pas luftës në vitin 1999, kur serbët u larguan nga spastrimet etnike, zyrtarët serbë pretendonin se rreth 220,000 serbë u dashtë të vinin në Serbi, që nënkuptonte më shumë serbë sesa në të vërtetë kishin jetuar atje, sipas regjistrimit të vitit 1991 në të cilin morën pjesë serbët dhe malazezët dhe që regjistroi 215.346 prej tyre plus 42.806 Romë, shumë prej të cilëve gjithashtu ishin pjesë e vuajtjeve të asaj kohe.

Në fakt, analiza e përafërt nga grupi i ekspertëve të Iniciativës për Stabilitet Evropian zbuloi se numri i vërtetë i atyre që kishin ikur ishte rreth 65,000.

Në atë kohë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara i përdorën të dhënat serbe, duke i bërë ato të besueshme.

Popullsia serbe e Kosovës po plaket dhe po tkurrët shpejt. Nuk ka mundësi të mjaftueshme për vende pune për popullatën e përgjithshme dhe prandaj edhe më pak për serbët e Kosovës, një pjesë e madhe e të cilëve nuk flasin shqip.

Ilustrimi: Ewelina Karpowiak/Klawe Rzeczy

Në të gjithë Ballkanin, tendencat tregojnë për shoqëri që po plaken dhe po tkurren dhe se të rinjtë dhe njerëz të aftë po emigrojnë në numër të madh.

Sot, falë shpërthimit të popullatës së saj, veçanërisht në vitet ’80, Kosova ka popullsinë më të re në Evropë.

Por tani që shkalla e lindshmërisë së saj ka zbritur nën nivelin e zëvendësimit, dhe falë emigrimit, shqiptari i Kosovës dhe, kësisoj, e gjithë popullata ka filluar të plaket dhe tkurret po ashtu.

Sipas analizave nga ASK, popullsia e Kosovës mund të bjerë në 1.49 milionë deri në vitin 2061.

Në vitin 2017, 25 përqind e popullsisë ishte 14 vjeç ose më e re se aq dhe tetë përqind ishte 65 vjeç ose më lart.

Deri në vitin 2061, mund të ketë vetëm 13 përqind të moshës më të re dhe 27 përqind në atë më të vjetër.

Çështja e emigracionit është çështje e mërzitshme dhe e politizuar. Është po ashtu një e tillë që është e vështirë të numërohet për shkak të mungesës së të dhënave.

Në periudhën Jugosllave, kishte tre flukse kryesore të emigrimit: Shqiptarët e Kosovës dhe serbët që shkuan për të punuar jashtë vendit si të ashtuquajtur gastarbeiterë (persona me leje të përkohshme pune), serbët e Kosovës që u larguan në Serbi dhe shqiptarët e Kosovës që u larguan në pjesë të tjera të Jugosllavisë.

Shkatërrimi i Jugosllavisë mbylli emigracionin legal  përveç atyre që kërkonin azil.

Në periudhën 2013-16, numri i kërkesave për azil me motive ekonomike në BE nga kosovarët plus ato të zbuluara në mënyrë ilegale në shtetet e BE ishte një numër masiv prej 229,005 sosh.

Tani, një kapitull i ri po hapet që do të thotë se përderisa njerëzit nga Kosova nuk e kanë mundësinë e udhëtimit të lirë pa viza në zonën Shengen, vende si Gjermania dhe Kroacia kanë filluar të japin leje pune për ta në mënyra dhe numra që nuk i kanë bërë më parë.

Sot, ndërsa ne mund të mbështetemi në statistikat e vendeve të huaja për të numëruar qytetarët e Kosovës në to, mund të hamendësojmë vetëm përmasat e diasporës, megjithëse zakonisht thuhet se janë rreth 700,000 në Evropë, me një numër të vogël në Amerikën e Veriut dhe gjetkë.

Kjo shifër i referohet vetëm shqiptarëve të Kosovës, dhe megjithëse numri i serbëve të Kosovës jashtë Kosovës dhe Serbisë do të jetë i vogël, numri i atyre që kanë lindur në Kosovë dhe fëmijëve të tyre në Serbi nuk do të jetë i tillë.

Kushdo që ka lindur në Kosovë ose ka një prind i cili është i regjistruar si qytetar, mund të kërkojë shtetësinë e Kosovës dhe ka të drejtën e votës.

Në vitin 2018, numri i njerëzve nga Kosova në Zvicër ishte 111.826, në Gjermani 218.150 dhe në Austri 25.025.

Në periudhën kohore 2010-18, numri i njerëzve nga Kosova që morën nënshtetësi zvicerane ishte 25.311 por në vitet para kësaj, një numër i madh që ishin shtetas të Jugosllavisë apo të Serbisë gjithashtu e morën shtetësinë dhe, bazuar në këto të dhëna, është e pamundur të dëshmohet se kush ishte nga Kosova ose kush ishte serb apo shqiptar. Gjermania e ka filluar regjistrimin e natyralizimeve të njerëzve nga Kosova vetëm nga viti 2008, dhe që nga atëherë  deri në vitin 2018, numri i përgjithshëm është 33.966.

Duke pasur parasysh këto të dhëna, është bukur e mundshme që diaspora totale në Evropë, përfshirë fëmijët me nënshtetësi të huaj, është rreth dyfishi i numrave të regjistruar të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, pra në të vërtetë rreth 700,000 njerëz.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, remitancat e diasporës përfaqësonin 11.8 përqind të produktit të brendshëm bruto në vitin 2018.

Mosha mesatare në Kosovë është 29.06, ndërsa në Shqipëri është 36.07 ndërkohë që në Serbi është 43.

Kosova duhet të përfitojë shumë më tepër sesa që përfiton tani nga popullsia e saj e re, por mungesa e vendeve të punës dhe mundësive mbetet një pengesë për rritjen dhe është nxitje për emigracionin.

Megjithatë, tendencat janë të qarta. Kosova është me vite – mbase edhe disa dekada – prapa pjesës tjetër të Ballkanit kur është fjala për plakjen dhe tkurrjen e popullsisë, por nëse diçka nuk ndryshon, ajo po ecën në të njëjtën drejtim sikurse fqinjët e saj.