DnV-ja Regjistron Shkelje Shtesë

Deri në orën 16 sipas “Demokracisë në Veprim” kanë votuar 32 për qind e qytetarëve të Kosovës. Ky rrjet në përgjithësi procesin zgjedhor e ka cilësuar si të qetë, ndërsa sipas tyre falë veprimit të shpejtë të policisë janë eliminuar incidentet.

Në konferencën e tretë për sot, rrjet i organizatave joqeveritare brenda katër orëve ka identifikuar parregullsi të tjera të cilat janë shënuar në vende të ndryshme, e që kryesisht kanë qenë të natyrës së lehtë.

Sipas tyre në fshatin Tërpezë të Vitisë është arrestuar një komisioner, pasi ka ndërhyrë në votim.

“Në fshatin Tërpezë të Vitisë në qendrën 2620d /01, është arrestuar një komisioner për shkak se e ka marrë fletëvotimin e një votuesi dhe e ka plotësuar vetë. Pas njoftimit policia e ka arrestuar komisionerin dhe i njëjti është zëvendësuar me një komisioner tjetër”, ka thënë Driton Selmanaj nga DnV-ja.

Ndërsa një incident tjetër sipas DnV-së ka ndodhur në Lipjan në qendrën 1325/01 pasi një person është lejuar të votojë me kartelë të bankës. Me dokument tjetër identifikimi janë lejuar të votojnë edhe dy qytetarë të tjerë nga Lipjani, duke kryer këtë obligim qytetar me certifikata të lindjes.

Neni 90 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton letërnjoftimin, pasaportën, dokumentin e udhëtimit, lejen e vozitjes, kartën e personit të zhvendosur brenda vendit dhe atë të refugjatit, si dokumentet e vetme  me të cilat mund të votohet. Këto dokumente duhet të jenë të vlefshme.

Ndërsa në qytetin e Gjakovës në shkollën “Hajdar Dushi”, menaxheri i qendrës së votimit i ka larguar tre vëzhgues të AKR-së, me arsyetimin se ata e kanë prishur mbarëvajtjen e votimit në këtë qendër.

Ndërsa rastet më të shpeshta të shkeljeve nga ana e vëzhguesve, ose votuesve, sipas “Demokracisë në Veprim”, kanë pasur të bëjnë kryesisht me votimet familjare dhe asistimet më shumë se një herë nga komisionerët e njëjtë.

Kështu, në Suharekë në fshatin Mushtisht një komisioner ka asistuar në shtatë raste si dhe ka bërë presion mbi votuesit, ndërsa rasti i njëjtë ka ndodhur edhe në qytetin e Pejës ku i njëjti person ka asistuar në 10 raste.

Koalicioni i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim” është duke monitoruar procesin zgjedhor në raundin e dytë për zgjedhjet lokale për kryetarë komunash, në të gjitha ato komuna ku po organizohet procesi i balotazhit. Ajo ka të angazhuar në terren 1600 vëzhgues si dhe disa ekipe mobile.

 

15:03

DNV: 13% e qytetarëve votuan deri në orën 12

Rrjeti i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, në konferencën e dytë gjatë ditës së zgjedhjeve ka thënë që rreth 13 për qind e qytetarëve kanë dalë për të votuar deri në orën 12. Ata kanë evidentuar nëpër qendrat e votimit në Kosovë edhe përleshje fizike, tentim për të votuar me dokumente false, ose votime familjare.

13 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë dalë për të votuar deri në orën 12, kanë thënë përfaqësues të rrjetit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”.

Në konferencën e dytë për shtyp ata prezantuan disa incidente nga të gjeturat e vëzhguesve të tyre nëpër komunat e Kosovës, të cilat sipas njerëzve të DnV-së në terren, nuk janë të pakta.

Vëzhguesit e këtij rrjeti kanë raportuar për një përleshje fizike në mes të dy komisionerëve të PDK-së dhe AKR-së në qytetin e Mitrovicës, të cilët më pas janë arrestuar.

“Në Mitrovicë në qendrën te Tuneli i Parë, dy koordinatorë ose shpërndarës të ushqimit të PDK-së dhe AKR-së brenda një vendvotimi, janë përleshur fizikisht dhe për disa minuta, përafërsisht 20 minuta është mbyllur ai vendvotim. Policia i ka arrestuar këta persona dhe më pas rasti është proceduar përmes prokurorit”, tha Driton Selmanaj, nga DNV-ja.

Përveç incidenteve në pjesën jugore të Mitrovicës,  sipas Selmanajt parregullsi janë vërejtur edhe në pjesën veriore.

Ai tha se, në shkollën teknike në Mitrovicën Veriore janë evidentuar rastet kur është tentuar për të votuar më shumë se një herë, si dhe ka pasur raste kur disa persona kanë tentuar të votojnë me dokumente false.

Në qytetin e Gjakovës në shkollën “Yll Morina” menaxheri i qendrës ka votuar pa dokument identifikimi, tha Selmanaj.

“Pasi vëzhguesit e kanë vërejtur këtë parregullsi kanë krijuar problem, ku si rezultat i kësaj është mbyllur qendra e votimit për 20 minuta, ndërsa pas intervenimit të policisë ajo është hapur prapë”.

“Demokracia në Veprim”, parregullsi ka evidentuar edhe në qytetin e  Ferizajt dhe të Gjilanit.

Selmanaj tha se monitoruesit e DnV-së në Ferizaj, kanë vërejtur se në fshatin Varosh një automjet civil ka poseduar një kuti të votimit, ku ngasësi i këtij automjeti pasi është pyetur nga një dëshmitarë se pse e posedon atë, është përgjigjur se është e dëmtuar.

Më pas vëzhgues të DNV-së kanë pyetur në KKZ nëse vërtet është dëmtuar një kuti, por këta të fundit e kanë mohuar një gjë të tillë.

Demokracia në Veprim, në lidhje me këtë rast, u ka bërë thirrje organeve të rendit që ta hetojnë incidentin, pasi sipas tyre ajo kuti mund të përdoret për të manipuluar me vota.

Ndërsa në qytetin e Gjilanit në shkollën Skënderbeu, një person ka vendosur në qendër votimi material propagandues , përkatësisht poster të njërit prej kandidatëve që është në garë zgjedhore.

Incidente të natyrës më të vogël kanë ndodhur edhe në Prishtinë, ku sipas DNV-së në një vendvotim ka munguar ngjyra vjollcë, ndërsa një person tjetër është ankuar se në vendin ku ai duhej të nënshkruante, kishte firmosur dikush më herët për të.

Sipas DNK-së janë mbi 30 raste kur personat kanë asistuar më shumë se një herë, ndërsa votimet familjare sipas tyre  janë bërë tashmë traditë e keqe, pasi të tilla ka me qindra dhe kjo si dukuri është në të gjitha vendet e Kosovës.