VV-ja e LDK-ja Ndeshen për Veprimet e Vëllait të Kurtit

Taulant Kurti, vëllai i Albin Kurtit, i cili është kryesues i vendvotimit 1906 E/02r  (Fakulteti Filologjik) në Prishtinë  mohon deklaratat e LDK-së se ai ka penguar votuesit që të ushtrojnë të drejtën e votës.

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një kumtese për media akuzoi se vëllai i Albin Kurtit,  liderit të Vetëvendosjes, po  i pengon qytetarët për të votuar . 

“Nëpërmjet veprimeve të tilla z. Kurti po u mohon qytetarëve të Prishtinës të drejtën e tyre themelore për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve”. 

Por, sipas Taulant Kurtit, ky reagim (i LDK-së) është bërë me qëllim që të ushtrohet ndikim ndaj tij, pasi që ai nuk ka lejuar shkelje. 

Ai  thotë se nuk ka lejuar disa persona që të votojnë për herë të dytë.

“Te 4 persona u vërejt spreji, prandaj edhe nuk lejuam të bëhet shkelje. Secili qytetar ka të drejtë të votojë një herë dhe vetëm një herë”, tha ai.

Menaxheri i qendrës së votimit 1906 E, Demë Ibërdemaj, tha për Gazetën Jeta në Kosovë  se në këtë qendër nuk ka qenë rasti i vetëm vendvotimit 02, që nuk u lejuan votuesit te të cilët u evidentu që kanë sprej në duar, të votojnë edhe një herë.

“Kanë ndodhur dikund 7 raste kur janë identifikuar personat që kanë votuar më herët e që kanë ardhur prapë për të votuar. Unë nuk du me mbrojt, as mos me mbrojt askënd këtu, mirëpo bëhet fjalë për disa raste që kanë ndodhur edhe në pikat tjera, jo vetëm në pikën dy”, deklaroi Ibërdemaj.

Ky rast sipas tij nuk duhet të ndërlidhet me faktin që kryesues i vendvotimit është Taulant Kurti, vëllai i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje. 

“Për parregullsi që vërehen vendimi merret nga të gjithë komisionerët”, deklaroi Ibërdemaj. 

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, që përmes një komunikate për shtyp shprehën shqetësimin se Taulant Kurti ka penguar procesin e votimit në këtë qendër,  thonë që rastin e kanë paraqitur në organet kompetente.

Vjosa Osmani shefe e Shtabit Zgjedhor të LDK-së,  thotë se e kanë kryer punën e tyre duke lajmëruar organet kompetente policinë dhe prokurorinë, por se nuk e  dinë çka ka ndodh më tej.

“Pasi që kemi raportuar më nuk kemi informata çka ka ndodhë tjetër” tha Osmani.

Kundër LDK-së gjatë ditës reagoi Vetëvendosje.

“Sot, në Fakultetin Filologjik, në vendvotimin nr.1906E/02R, kishte disa tentime të votimit të sërishëm nga persona të njëjtë. Tash, nga reagimi i LDK-së mësuam që bëhet fjalë për njerëz të saj”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje. 

Tutje në kumtesë thuhet se Vetëvendosje është e vendosur që të mos lejojë asnjë shkelje të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, ku secili qytetar ka të drejtë të votojë një herë dhe vetëm një herë.

“Zyrtari që mbante pajisjen që detekton duart me sprej i ndaloi këta njerëz dhe komisioneri i Lëvizjes Vetëvendosje që është kryesues në atë vendvotim, nuk e lejoi atë person të bënte shkelje”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes. 

Ndërkohë Brahim Sadriu zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar që e kanë pranuar informatën për parregullsi në këtë qendër votimi. 

Por sipas tij, nuk është hapur rast.

“Kemi pranuar informatën, kanë shkuar policia dhe hetuesit, por nuk ka pasur diçka për të trajtuar” tha Sadriu.