Humbja e Diskut në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar përmes një deklarate për media se në Qendrën e Numërimit dhe të Votimit mungon një nga disqet e arkivuara, në të cilin kanë qenë të ruajtura imazhet e kamerave të cilat kanë regjistruar hapësirat e brendshme dhe të jashtme të QNR-së. 

Por, KQZ-ja ka njoftuar se serverët ku janë të ruajtura të dhënat e tabelimit të rezultateve janë të paprekur dhe të sigurt, andaj “kjo nuk ka asnjë ndikim në procesin e punës në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe sidomos jo në procesin e përgatitjes dhe përpunimit të rezultateve.”

Në anën tjetër, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se vjedhja e hard-diskut në QNR-së ka të bëjë me fshehje të gjurmëve të ndonjë vjedhjeje, ose manipulimi.

Ai ka ftuar prokurorinë të hetojë rastin, sepse kjo mund të shpie tek zbardhja e rasteve të tjera të vjedhjeve.

 “Prandaj ftoj prokurorinë me hetu këtë vjedhjen e hardiskut dhe synimin qe të zbardhet edhe ndonjë vjedhje tjetër që ka mundur të ndodhë në rezultat atje,” ka shtuar Rrustemi.

Florian Dushi, anëtar i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka dashur që të komentojë shumë rreth kësaj çështje.  

Ai ka thënë se KQZ-ja ka lëshuar një deklaratë për media, me qëllim të sqarimit të opinionit, sepse sipas tij ka qarkulluar informacion i dëmshëm për punën e KQZ-së.

Ai ka thënë se mungesa e imazheve të ruajtura nuk ndikon procesin e numërimit.

“Janë kamera që xhirojnë hapësirat e brendshme, por jo procesin se si mundet me u bë numërimi dhe të tjera”, ka thënë Dushi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar që të kontaktojë edhe me Betim Gjoshin, anëtarin e KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, por nuk ka arritur që të marrë një përgjigje nga ai.