Diversiteti Ndërmjet Myslimanëve Duhet të Respektohet

Farah Pandith, Përfaqësuese e Posaçme për Komunitete Myslimane në Departamentin amerikan të Shtetit, thotë se që nga qershori 2009, kur është emëruar në këtë pozitë, ka vizituar 62 shtete me popullatë myslimane dhe ka parë vetëm një element të përbashkët – vështirësitë që kanë të rinjtë nën moshën 30 vjeçare në lidhje me identitetin.

“Ajo shfaqet në formën e pyetjeve se cili është dallimi mes kulturës dhe religjionit? ‘Si mund të jemi ‘modernë’ dhe myslimanë’. Arsyet janë të gjëra dhe të komplikuara”, tha Pandith, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë. “Përgjigja ndaj këtyre çështjeve nënkupton se disa nga këta të rinj bëhen më konservativë dhe disa prej tyre janë më liberalë në lidhje me atë se çka mendojnë”.

Ajo ka qëndruar në një vizitë në Kosovë ku është takuar me Presidenten e vendit dhe me studentë në Universitetin Amerikan si dhe Medresenë “Alaudin”. 

“Është shumë me rëndësi që mund të flasim për këto çështje”, thotë Pandith. “Në Kosovë ka një krenari për trashëgiminë e respektimit të feve të ndryshme, por edhe këtu kam pranuar pyetje të vështira nga studentët”.

Emisarja shtoi se në çdo shtet që ka shkuar të rinjtë i kanë thënë se ata po shohin ndryshime që ndodhin shkaku i impresionove të jashtme në lidhje me atë se çka nënkupton të jesh mysliman.

“Ata kanë filluar të shohin zëra të jashtëm që po u vijnë”, tha Pandith. “U takon komuniteteve të pranojnë ose jo atë që ndodhë. Shumë të rinj kanë lëvizur për të kundërshtuar indologjinë që depërton në paqen e tyre kulturore”.

Zyrtarja e lartë amerikane tha se nuk ka njëtrajtësi mes myslimanëve dhe pranimi i këtij dallimi është shumë i rëndësishëm.

“Ka diversitet mes myslimanëve, nuk mund të bëhet fjalë për njëjtësi të plotë. Ka nuanca dhe është me rëndësi që atyre t’u jepet rëndësi. Jo të gjithë myslimanët në Europë janë të njëjtë ose ata në Azi. Kjo është një pasuri”, tha Pandith. “Edhe brenda një rajoni ka shumë dallime. Ka një dallim për shembull se si njerëzit kanë jetuar me qindra vite në Bosnjë, Kosovë, Shqipëri etj”.

Zyrtarja ka përmendur se Sekretarja Hillary Clinton ka nënvizuar rëndësinë e përdorimit të mediave sociale për të avancuar komunikimin dhe se ajo po punon që të ndërtojë rrjete për këtë qëllim duke folur me njerëz nga shoqëritë civile, ndërmarrës, organizata qeveritare, artistë të hip-hopit, poetë, aktivistë studentorë etj.

“Është e mrekullueshme që tani çdo qytetar në botë mund të dërgojë mesazh tek një zyrtar shumë i lartë amerikan. Kjo është e paprecedentë. Përpara ka pasur hierarki, ka qenë shumë e vështirë që qytetarit t’i dëgjohen brengat. Shumë nga ambasadorët tanë dhe Presidenti kanë adresa në facebook dhe twitter”, thotë Pandith.

Ajo thotë se shumë e më shumë zëra myslimanë kanë dalë online për të folur dhe për të dhënë tregime alternative.

“Interneti është fenomen botëror dhe mund të përdoret për mirë ose për keq. A ka zëra online që predikojnë dhunën dhe ekstremizmin? Natyrisht se po. Por ka një rritje të zërave kredibilë që po sfidojnë ideologjinë radikale”, thotë ajo. “Nëse megafoni më i zhurmshëm predikon vetëm ekstremizëm, kjo do të jetë e vetmja gjë që dikush do të dëgjojë. Por po shohim shumë e më shumë zëra ku ata po japin versione tjera”.

Megjithatë, Pandith ka shtuar se nuk është vetëm interneti, por edhe njerëzit brenda komuniteteve që mund të flasin në lidhje me këto çështje në një mënyrë të re si drejtuesit fetarë, mësuesit, studiuesit.

Zyrtarja thotë se SHBA beson fuqishëm në ndarjen mes shtetit dhe kishës, që është pjesë e kushtetutës së këtij vendi, dhe prandaj e merr shumë seriozisht të drejtën e lirisë së shprehjes të çdo individi “qoftë përmes një shamie, kryqi a ferexhe”.

Po ashtu, shtoi ajo, në çdo politikë të administratës amerikane është i ngulitur prioriteti dhe forcimi i vajzave dhe grave si dhe trajtimi i barabartë.

Pandith thotë se pozita e saj në departamentin e shtetit është krijuar për herë të parë në historinë e SHBA-së për të shtyrë përpara përkushtimin për përafrim me myslimanët.

“Presidenti Obama në fjalimin e tij në Kairo (qershor 2009) ka folur për rëndësinë që kjo të bëhet bazuar në interesin e përbashkët dhe respektin e përbashkët”, thotë ajo, duke nënvizuar se ka 1.6 miliardë myslimanë në botë, shumica prej tyre nën moshën 30 vjeçare, dhe që përbëjnë një të katërtën e të gjithë njerëzve në planet.

“Kjo gjeneratë është gjenerata e Facebookut. Nuk është e ndarë me rajone ose bazë ekonomike e sociale. Kudo që janë në Oslo, Australi, New Delhi…njerëzit dëgjojnë idetë e njëri-tjetrit”, tha ajo. “Pas shtatorit 2001, ne duhet të bëjmë më shumë për të ndërtuar tregime (pikëpamje) të reja ndryshe prej asaj që kishin parë në ballinat e gazetave për një dekadë”.

“Islami është pjesë e perëndimit. Idetë se ka perëndim dhe ka islam, nuk qëndrojnë. Islami ekziston në çdo pjesë të botës dhe është shumë me rëndësi që qeveria jonë e kupton këtë. Ne i japim respekt një myslimani që jeton në Australi sikurse atij në Jordan”, tha ajo. “Presidenti Obama e ka nënvizuar qartë se nuk ka ‘ne’ dhe ‘ata’”.