Zgjedhjet Qendrore 2021, KQZ, kutia e votimeve

Dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes, pengesë për gratë që t’i hynë garës për zgjedhjet lokale

Teksa Kosova po përgatitet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kandidatet gra janë përballur me gjuhë të urrejtjes, dezinformata dhe sulme me bazë gjinore — në rrjete sociale dhe jashtë tyre— që rrezikojnë të heshtin zërat e tyre dhe t’i dekurajojnë ato nga hyrja në politikë.

Pavarësisht viteve të tëra të avokimit për barazi gjinore, gratë mbeten të nënpërfaqësuara në politikën lokale në Kosovë. Nga 206 kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, vetëm 20 janë gra — një shifër që reflekton mungesën e mbështetjes nga partitë politike dhe një ambient politik që nuk e mirëpret udhëheqjen e grave.

Për shkak të mungesës së mbështetjes nga partitë, shumë gra hezitojnë të kandidojnë për pozita udhëheqëse, pasi kjo shpeshherë i shndërron në objektiva të gjuhës së urrejtjes dhe fushatave dezinformuese — sulme që ndikojnë më shumë në jetën e tyre private sesa nëprogramet politike të tyre.

Shumë parti politike dështojnë ose të rekrutojnë gra, ose t’i mbështesin ato në komuna ku fitorja duket e pamundur. Aktivistët theksojnë se kjo nuk është vetëm çështje numrash, por edhe e përfshirjes kuptimplote.

“Faktori i parë është se partitë nuk i mbajnë elektoratin gjatë viteve afër vetes apo nuk merren me lidership të grave apo burrave, thjesht pak para se me u shpallë zgjedhjet ose me u bë listat ia nisin me komuniku edhe kjo i frikëson gratë, sepse e shohin vetën se kanë me pasë të vështirë tutje me mbledh vota sepse në moment të fundit është vështirë me mbërri në terren”- ka deklaruar Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.

Për shumë gra, hyrja në politikë mbart rreziqe të mëdha personale.

“Edhe lajmet e rreme, gratë nuk duan që jeta e tyre private të bëhet temë diskutimi. Dukja diskutohet gjithmonë, veshja, se si sillen janë gjithnjë të targetuara. Qarkullimi i lajmeve të rreme në mënyre marramendëse për gratë është më e vështirë sepse pasojat janë më afatgjate që gratë i marrin kur ato përfshihen në jetën politike”- ka thënë më tej Demolli.

Natyra Kuçi, kandidate e Partisë Socialdemokrate (PSD), për kryetare të Komunës në Deçan, ishte shënjestër e një pretendimi të rremë në Facebook, ku thuhej se ajo ishte tërhequr nga gara. Platforma e verifikimit të fakteve “Krypometër” verifikoi se postimi kishte përdorur foto të vjetra nga viti 2019 për të përhapur pretendimin.

Kuçi e mohoi, duke e quajtur postimin “plotësisht të rremë.”

“Gjuha e urrejtjes ka qenë dhe vazhdon me qenë pjesë e fushatës negative që po zhvillohet ndaj nesh”- ka thënë Kuçi, teksa shton se “një pjesë e madhe e saj nuk kisha thënë që kualifikohet si seksiste por mund të gjeni nuanca të saj të shpërndara gjithandej, kryesisht në rrjete sociale ku anonimiteti ruhet më lehtë”.

Ajo vëren se shpeshherë qarkullojnë përmbajtje të rreme për të, të shpërndara nga llogari të rrejshme të krijuara posaçërisht për këtë qëllim.

“Këto lloj postimesh përhapen shumë më shpejt në rrjete sociale sesa në media të tjera”- shtoi ajo.

Sipas Kuçit, hyrja në politikë në një mjedis kaq toksik është dekurajuese, por ajo thekson rëndësinë e kuptimit të burimit të gjuhës së urrejtjes dhe mënyrës më efektive për t’iu përgjigjur.

“Shumica bëhet në anonimitet me agjendë të caktuar dhe organizim të caktuar. Kur e kupton si të tillë është më lehtë ta luftosh me punë dhe të mbetesh e përkushtuar në vizionin politik tëndin. Besoj po ashtu që në një moment gjuha e tillë kthehet kundër atyre që e përdorin. Kjo arrihet sigurisht vetëm me punën tonë. ”- shprehet ajo, duke shtuar se “Frika mundet veç me organizim. Ne, gratë, e dimë shumë mirë këtë”.

Gjobat për gjuhën e urrejtjes në politikë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ndëshkoi shumicën e partive me gjoba të larta, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet qendrore që u mbatën në shkurt të këtij viti. Ndryshimet ligjore në Ligjin për zgjedhje i mundësuan PZAP-së që t’u shqiptojë gjoba partive politike të cilat në rrjetet sociale dhe në media kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë të papërshtatshme.            

Partia e cila më së shumti u dënua për shkelje të tilla është Lëvizja Vetëvendosje (LVV). BIRN Kosova ka gjetur se se kjo parti u dënua 19 herë nga PZAP-ja.

Partia e dytë për nga gjobat ishte Partia Demokratike e Kosovës (PDK), 6 herë, e ndjekur nga Koalicioni për Familje me 6 gjoba, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 3  gjoba, Lista Serbe ishte dënuar me 1 vendim, LDK e ka 1 gjobë, Partia Liberale Egjiptiane 2 gjoba nga PZAP-ja dhe partia IRDK ishte e dënuar me një vendim.

Ndërkohë, organizata Demokracia për Zhvillim (D4D), e cila monitoron aktivitetin në rrjetet sociale të kandidatëve për kryetarë komunash dhe kuvende komunale, identifikoi 32 raste të gjuhës së papërshtatshme në rrjete sociale mes 13 dhe 18 shtatorit.

Sipas D4D, shumica nga 32 rastet përfshinin gjuhë të urrejtjes, të ndjekura nga 4 raste me dezinformata dhe 4 me bullizëm personal. Dy raste u klasifikuan si seksiste ose mizogjene.

“Gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat krijojnë frikë, stres dhe pasiguri te gratë që mendojnë të hyjnë në politikë” -theksoi Rrezarta Delibashzade-Krasniqi nga D4D.

“Këto dezinformata përhapen sidomos gjatë periudhave kur gratë shpallin kandidaturën, veçanërisht për pozita që kërkojnë dukshmëri të lartë publike, si garat për kryetarë komunash”- shtoi ajo për Kallxo.com.

Sipas Delibashzade-Krasniqit, stereotipet gjinore i bëjnë gratë të mendojnë dy herë para se të kandidojnë.

“Kjo gjuhë degraduese duke përdorur stereotipe gjinore (p.sh. “gruaja duhet të qëndrojë në shtëpi”, “gruaja nuk ka vend në drejtim”, kritika për pamjen, zërin, imazhin) i bën udhëheqëset e mundshme të mendojnë dy herë për kandidim, veçanërisht në pozita ku është nevojë për dukshmëri publike të fortë, ose që janë shumë publike si kryetar komune”- shprehet ajo.

Me tej, Delibashzade-Krasniqi sqaron se narrativat më të zakonshme të dezinformatave për gratë në politikë, janë se “ato nuk janë kompetente për politikë, janë emocionalisht jostabile, jo të afta për të udhëhequr, se roli i grave duhet të jetë në fusha ‘të buta’ ose ‘tradicionale’ — mësimdhënie, kujdes shëndetësor, etj., dhe jo në role udhëheqëse si kryetarë komunash ose poste publike me përgjegjësi të mëdha”.

Stereotipet gjinore- ende të thella

Kandidatet femra shpesh gjykohen sipas standardeve të ndryshme nga burrat.

Adelina Berisha nga RrGK, thekson se partitë politike në vend ende nuk janë të gatshme të krijojnë hapësira për gratë që ato të garojnë për pozita udhëheqëse.

“Kjo tregon se partitë politike në Kosovë ende nuk janë të gatshme të krijojnë hapësira dhe mundësi reale për gratë, në mënyrë që ato të garojnë për pozita udhëheqëse. Mendësia patriarkale po manifestohet edhe në kryesitë e partive politike, të cilat ende nuk e përfytyrojnë lehtë një grua si lidere të suksesshme në nivel lokal”- ka thënë Berisha.

Berisha theksoi se gjuha diskriminuese dhe seksiste mbetet një barrierë e zakonshme, veçanërisht kundër kandidateve femra.

“Vëmendja shpesh përqendrohet në paraqitjen e tyre fizike si duken, si janë veshur, si e kanë grimin apo flokët në vend të ideve apo programeve që përfaqësojnë”- thekson Berisha.

Shoqëria, sipas saj, vendos pritshmëri të padrejta dhe shpesh jorealiste mbi gratë në politikë, duke i gjykuar ato si nëna ose bashkëshorte, ndërkohë që burrat asnjëherë nuk pyeten se si kujdesen për fëmijët ose se kush gatuan. “Ky është një standard i dyfishtë”- shpjegon ajo.

Sipas Berishës, shumica e partive kanë dështuar të promovojnë barazinë gjinore në mënyrë të qëndrueshme.

“Fatkeqësisht, shumë liderë partiakë ende kanë mendësi patriarkale dhe nuk janë të gatshëm të ndajnë privilegjet e tyre. Kjo ndodh edhe sepse kemi parë raste ku gratë i kanë tejkaluar burrat me vota, dhe kjo nuk është mirëpritur nga udhëheqësit burra, të cilët më pas i kanë bllokuar gratë në procese  vendimmarrëse”- shton ajo.

Berisha deklaron se gratë në politikë duhet të tregojnë solidaritet me njëra-tjetrën dhe të çojnë përpara çështjen e barazisë gjinore.

Shoqëria civile duhet të vazhdojë avokimin për përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe fushatat vetëdijësuese për rëndësinë e trajtimit të barabartë të të gjithëve, pa dallim gjinor”- përfundon Berisha.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12.10.2025. Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 105; 191 Partia Demokratike e Kosovës; 113 Lidhja Demokratike e Kosovës; 174 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 186 NISMA Socialdemokrate; 170 Lista Serbe; 103 Alternativa; 118 Partia Guxo; 149 Partia Socialdemokrate.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,626, prej të cilëve: 206 kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe 5,420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 17.10. 2021. Në zgjedhjet e kaluara ka prirë LDK për nga numri më i madh i votave, e pasuar nga LVV,  e treta PDK, dhe e katërta AAK.