Dënime me Kusht Për Mujën dhe të Tjerët (TV)

Muja i akuzuar bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunalë për keqpërdorim detyre dhe të autorizimit, do ta ketë të ndaluar ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Minir Krasniqi ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjne vepër tjetër penale.

Avni Ademaj ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Procedura ndaj Mujës dhe të tjerëve, ishte nisur më 25 mars  të vitit të kaluar, për të përfunduar në marsin e sivjetmë.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Gjykimin e  udhëhoqi kryetari i trupit gjykues nga radhët e Eulexit, Vladimir Mikula.

Mozbatimi i veprimit të Gjykatës Supreme

Në vitin 2006, Gjykata Supreme kishte shpallur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 dhe 8619 që kanë sipërfaqe prej 0.20.65 dhe 0.06.22 hektarësh. Të dyja kanë vlerë rreth 50 mijë euro.

Për tri vjet rresht, nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit kishte njoftuar Kryetarin e Komunës, përmes një memorandumi, që vendimi i Supremes duhej ekzekutuar, Muja kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.

Sipas aktakuzës, Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.

Meqenëse toka nuk ishte kthyer në pronësi të komunës, nga veprimet e kryetarit të komunës dhe drejtorit të gjeodezisë kanë përfituar Minir Krasniqin (i pandehur tjetër në këtë rast), M.Q dhe J.A.

Dhënia e tokës “Gulistanit”

Pika e dytë e aktakuzës përfshin periudhën nga 24 nëntori 2010 dhe 11 shkurt 2011, gjatë së cilës kohë Muja së bashku më Minir Krasniqin, drejtor i Administratës dhe Avni Ademajn ushtrues detyre i Drejtorit për Gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan”.

Të tretë, në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “Boka Boka” me vlerë prej 100 mijë e 600 eurosh.

Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “Sharri” dhe administrohej nga AKP-ja, andaj komuna nuk mund ta posedonte.

Në mënyrë që të administronin me të, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.

Tokën e AKP-së Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010, kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtin ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga ky i fundit po atë ditë.

Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë më Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepej kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.

Tokë edhe për fabrikën “Kamila”

Pika e tretë e aktakuzës tregon që Muja kishte vazhduar të merrte veprime të paligjshme kur bëhej fjalë për shfrytëzim pronash.

Në periudhën kohore nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre, kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “Kamila”.

Me vendim të Mujës fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metrash katrorë, në vlerë prej 40 mijë eurosh,  në formën e shfrytëzimit pa pagesë, pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Pika e fundit e aktakuzës, ka të bëjë me ndërprerjen e përfaqësimit të ekspertëve të gjeodezisë në lëndët e gjykatës.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, kryetari Muja me nxjerrjen e një konkluzioni më 2 gusht 2012, të cilën për nënshkrim ia kishte ofruar drejtori i Administratës Minir Krasniqi, kishte ndaluar përfaqësimin e ekspertëve të gjeodezisë në gjykatë.

Ndërsa drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Abdullah Tejeci, në bazë të këtij konkluzioni i kishte urdhëruar ekspertët që të mos përfaqësojnë në gjykatë, kështu që ishte bërë bllokimi i lëndëve gjyqësore për gjashtë muaj rresht.