Dashuria në kohën e Putinit - Aktivistët rusë që u martuan në ditën e pushtimit

Polina Oleinikova u zgjua në ditën e dasmës së saj, më 24 shkurt, ndërkohë që telefoni i saj vibronte.

Përplot me emocione ajo e kapi telefonin dhe priste mesazhe urimi përpara ceremonisë zyrtare të martesës në zyrën e gjendjes civile atë pasdite. Pastaj ajo pa lajmin.

Brenda natës, Vladimir Putin kishte nisur atë që e quajti një “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Ajo filloi të qante.

Megjithëse Oleinikova është një aktiviste politike dhe bashkëshorti i saj i ardhshëm, Arshak Makiychan, bën fushata kundër ndryshimeve klimatike, asnjëri prej tyre nuk mendoi se puna do të arrinte deri këtu.

Ashtu si shumica e rusëve, ata e dinin se Putini mund të përpiqej ta konsolidonte pushtetin në rajonet pro-ruse në lindje të Ukrainës.

Ata nuk besonin se ai do të përpiqej ta pushtonte të gjithë vendin. Çifti e mendoi shkurtimisht që ta anulojnë dasmën, përpara se të arrinin në përfundim se martesa tani ishte më e rëndësishme se asnjëherë më parë.

Qifti ishin njohur mes vete para gjashtë muajsh dhe ishin bashkë prej vetëm tre muajsh.

Makiychan ishte 27 vjeç dhe Oleinikova vetëm 18. Por edhe para pushtimit, martesa e tyre nuk kishte të bënte vetëm me romancën: ishte “një masë sigurie”, siç shprehej Makiychan.

Si burrë e grua, asnjëri nuk mund të detyrohej të dëshmonte kundër tjetrit. Dhe nëse njëri prej tyre do të dërgohej në burg, do t’i lejoheshin vizitat bashkëshortore – një dënim në të ardhmen dukej i mundshëm, pasi secili prej tyre ishte arrestuar disa herë.

Megjithëse dasma e shpejtë kishte kuptim, Makiychan u inatos me shtetin për shkak të ndërhyrjes në orarin e tyre romantik.

“Nuk mund të zgjidhja as kur t’i propozoja të dashurës sime!”, tha ai me mosbesim dhe çifti shpërtheu në të qeshura.

Këtë kohë, vitin e kaluar, Oleinikova po planifikonte të shkonte në universitet. Ajo kishte shkëlqyer në lëmin e lëndëve shkencore në shkollë dhe ëndërronte të punonte si kimiste në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Një nga mësuesit e saj u arrestua për pjesëmarrje në një tubim në Moskë kundër burgosjes së qeverisë të Alexei Navalny, liderit më të dalluar të opozitës në Rusi. Oleinikova i shtyu studimet e saj për t’u bërë aktiviste: “Nuk mund të fokusohesha në vetitë kimike kur bota po digjej.”

Ajo së pari e vërejti Makiychan gushtin e kaluar.

Duke shfletuar nëpër Instagram, ajo ndaloi në një foto të një të riu me sy të errët dhe kaçurrela të zeza që rrinte i vetëm në sheshin Pushkin në qendër të Moskës.

Ai mbante një tabelë: “Luftojeni krizën klimatike, jo Pussy Riot”, një referencë për yjet e rokut rusë të burgosur në vitin 2013 për protestat e tyre kundër regjimit rus.

Ajo i shkroi Makiychan, duke e lavdëruar “veprimin e tij vërtet të lezetshëm” duke i dërguar po ashtu një emoji me zemër.

Menjëherë pas kësaj, Oleinikova u arrestua për organizimin e protestës të saj me një person në Sheshin Pushkin.

“Ka pasur një rritje prej 32% të përdhunimeve në Moskë në vitin 2021”, shkruhej në pankartën e saj. “Çfarë po bëni për këtë?” Që nga viti 2014, demonstratat solo kanë qenë forma e vetme e protestës e lejuar në Rusi pa leje. Megjithatë, policia gjithsesi i arreston ata që protestojnë të vetëm me një pretekst.

Oleinikova njoftoi në Instagram se po mbahej nga policia, dhe para se ta dinte, Makiychan u shfaq në stacion me çaj dhe patatina në duar.

Kur ajo u lirua disa orë më vonë, dyshja u kthyen në banesën e Makiychan dhe “thjesht folën për gjëra që kanë të bëjnë me aktivizmin”, tha Oleinikova.

Takimi i tyre i parë i duhur ishte në dhjetor.

Makiychan e ftoi Oleinikovën në një koncert në të cilin vëllai i tij po luante me violonçel: “Ishte e veçantë, sikur po më hapej në një mënyrë shumë intime.” Makiychan ishte një violinist dhe ndoqi Konservatorin prestigjioz të Moskës, ku stërvitej Rachmaninoff.

Ai ishte i pavëmendshëm ndaj krizës klimatike, tha ai, derisa Greta Thunberg filloi të organizonte grevat e saj të famshme në shkolla jashtë parlamentit suedez në vitin 2018.

Ndërkohë që, njohuritë e Makiychan për mjedisin u thelluan, ai u bind se një lëvizje klimatike ishte më e rëndësishme në Rusi se ndoshta kudo tjetër. “Pothuajse të gjitha paratë tona vijnë nga karburantet fosile,” tha ai.

“Rusët duhet ta dinë të vërtetën.”

Makiychan filloi të vihej në kontakt me aktivistët klimatikë kudo në botë dhe i lansoi protestat e tij “Të Premteve për të Ardhmen” (“Fridays for Future” ), frymëzuar nga Thunberg. Deri në verën e vitit 2019, ai dhe të rinj të tjerë rusë po mbanin protesta javore në gjysmë e qyteteve në të gjithë vendin.

Makiychan kishte ndërmend të vazhdonte të studionte muzikë në Gjermani. Në vend të kësaj ai hoqi dorë nga violina për t’u fokusuar në aktivizëm. Ai e dinte se do të ishte e rrezikshme: një burrë që ai supozonte se ishte agjent i qeverisë tashmë ishte përpjekur ta korruptonte për të lënë vendin, tha ai, dhe një tjetër e kishte kërcënuar se do ta godiste me thikë gjatë një proteste nëse ai nuk ndalonte së demonstruari.

Por qëndrimi në Rusi për ta vazhduar ndërtimin e lëvizjes klimatike dukej si “gjëja e duhur për ta bërë”.

Ceremonia e diplomimit të tij nga universiteti në vitin 2019 e konfirmoi këtë vendim. ”

Njerëzit po lexonin poezi të Pushkinit për lirinë dhe po luanin muzikë për natyrën,” tha ai.

“Por ata nuk po bënin asgjë për ta mbrojtur atë. Ata ishin nisur në një aheng të madh më pas dhe unë kisha një poster në çantë për protestën time.”

Sikurse Makiychan ashtu edhe Oleinikova e kuptojnë pse shumica e rusëve nuk e kundërshtojnë në mënyrë aktive Putinin. Ata e dinë se sa e rrezikshme është të protestosh, veçanërisht tani.

Më 4 mars, tetë ditë pasi Rusia e pushtoi Ukrainën, parlamenti në Moskë e miratoi një ligj përmes të cilit do të dënoheshin të gjithë ata që përhapin “lajme të rreme” për konfliktin në Ukrainë – duke përfshirë thjesht referimin e tij si “luftë” – me një dënim maksimal me burgim prej 15 vjet.

Njerëzit që shprehin mospajtim kundër “operacionit special ushtarak”, siç kërkohet ta quajnë rusët, gjithashtu përballen me dënime.

Në janar, Oleinikova u arrestua për një kohë të shkurtër për vendosjen e posterave në stacionet e policisë që dënonin torturat në burgjet ruse. Asaj iu dha një dënim i vogël dhe mendoi se kjo ishte fundi i këtij rasti.

Mirëpo, të nesërmen ajo dëgjoi një përplasje në derën e banesës në Moskë ku jetonte me prindërit e saj.

Jashtë po qëndronte një numër i madh policësh dhe e dinte se ata kishin ardhur aty për të. “[Policia] po trokisnin dhe po bërtisnin,” tha ajo. “Isha shumë e frikësuar.”

Në telefon, avokati i Oleinikovës i tha asaj se policia nuk mund të futej brenda sepse nuk kishte një urdhër të tillë. Ajo kishte dy zgjedhje, tha ai: të largohej nga shtëpia, të arrestohej dhe ndoshta ta kalonte një muaj në burg, ose të shtrihej dhe të shpresonte se policia do ta humbiste interesin për ta ndjekur atë.

Oleinikov doli me një mënyrë të tretë. Ajo e kontaktoi Makiychan në Telegram, një shërbim i koduar i mesazheve, dhe ai shpejt erdhi me një çantë me rroba.

Oleinikova veshi pantallonat e burrave dhe një kapele, dhe fjalë për fjalë hoqi pallton nga shpina e Makiychan, sepse ai kishte harruar ta sillte një pallto shtesë (e saj ishte rozë e nxehtë).

E maskuar, ajo doli fshehurazi nga ndërtesa. Atë natë, në banesën e tij, ata vendosën të martoheshin.

Në mëngjesin e dasmës – dhe pushtimit – Oleinikova shkoi për t’i rregulluar flokët dhe grimin. E kishte të vështirë t’i rregullonte sytë, tha ajo, sepse nuk mund të ndalonte së qari.

Ajo u ndje më mirë pasi veshi fustanin! I blerë para pushtimit, ishte e njëjta blu mbretërore sikurse flamuri ukrainas.

Makiychan i bleu asaj një tufë trëndafila të verdhë që të përputheshin me ngjyrën tjetër në flamur. Pastaj ai shkroi “Fuck the war” në pjesën e pasme të këmishës së tij të bardhë të dasmës.

Ata u thanë mysafirëve të tyre të mos vinin, duke llogaritur se edhe një tubim i vogël do të dukej në mënyrë të papërshtatshme festive. Kishin një dëshmitar të vetëm: fotografin e tyre. Pas ceremonisë, Makiychan dhe Oleinikova u veshën me  rroba të zakonshme dhe iu bashkuan demonstratës së parë në Moskë kundër luftës.

Mençuria e vendimit të tyre për t’u martuar u vërtetua dy ditë më vonë. Ata sapo ishin larguar nga shtëpia për një protestë – Oleinikova ishte e mbuluar me gjak të rremë – kur u arrestuan.

Në komisariat ata u akuzuan për organizimin e një “tubimi masiv” dhe u liruan, dhe po prisnin datën e një seance në gjykatë.

E anuluan muajin e mjaltit në Armeni, ku planifikonin të shkoni të nesërmen. “Kur avioni u ngrit,” tha Oleinikova, “ne ishim në një miting duke bërtitur” Jo luftës! Putin në burg!”

Një javë pas dasmës së tyre, një gjykatës i gjeti fajtor Makiychan dhe Oleinikova dhe i dënoi ata me 20,000 rubla (150 dollarë). Ata e kanë apeluar këtë dënim. Nuk planifikojnë të paguajnë edhe nëse humbasin, që do të thotë se ndoshta do të përfundojnë në burg.

Shumë nga miqtë e tyre tani po largohen nga Rusia. Makiychan dhe Oleinikova gjithashtu kanë biseduar mes vete nëse do të duhej të largoheshin, por vendosën të qëndrojnë aty.

Mund të jetë tashmë tepër vonë për t’u larguar, tha Makiychan. Kostoja e fluturimeve në vende si Turqia apo Gjeorgjia, të cilat nuk kërkojnë viza, po rriten. Edhe kalimet përmes kufijve janë të vështira: ka pasur raportime për rojet kufitare që ndalojnë individë që përpiqen të arratisen.

Tani për tani, Makiychan dhe Oleinikova po vazhdojnë me demonstratat e tyre dhe po përpiqen t’i shpërfillin lajmet në shtëpi.

Javën e kaluar partitë pro-Kremlinit e prezantuan një projektligj në parlament për t’ië rekrutuar demonstruesit kundër luftës dhe për t’i detyruar ata të luftojnë në Ukrainë. Gjithashtu qarkullojnë zëra se Putini mund ta shpallë gjendjen ushtarake dhe t’i pengojë të gjithë burrat në moshë për luftë që të largohen nga Rusia. (Putini e ka mohuar këtë)

Në një tubim të madh ku çifti mori pjesë të dielën e kaluar, rreth 2,000 protestues u arrestuan, sipas ministrisë së brendshme ruse; një nga miqtë e tyre u fut në një makinë policie pikërisht përballë tyre. Kur fola me Oleinikova dhe Makiychan më vonë atë ditë, ata më thanë se nuk e dinin pse ishin kursyer. Ata dukeshin vërtet të tronditur që ishin kthyer në banesën e tyre.

Në fillimet e tij në lëvizjen klimatike, Makiychan ishte i njohur për deklaratat e tij të forta: “Aktivizmi është e vetmja gjë që do të na shpëtojë!” Tani ai është fatalist – për veten dhe Oleinikovën, dhe për ukrainasit. E vetmja gjë që mbetet për të shpresuar, tha ai, është “një mrekulli”./The Economist