Cilat ndryshime pritet të bëhen nga ndryshimi i Ligjit për liritë fetare?

Tash e 16 vjet Kosova është duke funksionuar me Ligjin e njëjtë për Liritë Fetare, i cili ka lënë të parregulluara shumë çështje, duke përfshirë edhe regjistrimin e bashkësive fetare.

E më 25 janar, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit për liritë fetare.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti tha se qëllimi i këtij projektligji është ruajtja dhe pluralizmi fetar.

“Si në te gjitha fushat edhe në këtë fushë qeveria jonë synon ta arrijë një standard sa më të lartë të mbrojtjes të së drejtave të njeriut. Mendime e besime të ndryshme vazhdimisht po hynë dhe qarkullojnë lirshëm në mes të qytetarëve tanë. Diversiteti i bindjeve fetare mes popullatës është i pashmangshëm. Qëllimi është për të ruajtur dhe promovuar pluralizmin fetar”- ka thënë Kurti.

Përveç regjistrimit të bashkësive fetare, projektligji në fjalë do të rregullojë edhe çështjen e caktimit të vendeve të varrezave, ritet e varrimit, fondet për bashkësitë fetare, e raportimin financiar të tyre.

Në këtë projektligj është paraparë edhe dhënia e fondeve për bashkësitë fetare, por që nuk është përcaktuar vlera e tyre.

“Përmes ofertave vjetore, Qeveria mund të ftojë bashkësitë fetare për marrjen e fondeve që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e monumenteve kulturore që janë në pronësi të bashkësive fetare” – thuhet në projektligj.

Po ashtu sipas këtij projektligji, bashkësitë fetare vetë apo përmes organizatave të tyre bamirëse mund të aplikojnë për fonde shtetërore për zbatimin e programeve të veçanta bamirëse.

E në rastet kur ka pastrim parash, keqpërdorim i fondeve, financim i veprimtarive të paligjshme, bashkësitë lokale janë të obliguara me ligj që të bashkëpunojnë me prokurorinë e shtetit.

Përveç kësaj, bashkësitë lokale do të duhet të bëjnë edhe raportimin financiar.

“Të gjitha bashkësitë fetare janë të obliguara që deri me datën 31 mars të vitit pasardhës të dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak te Zyra” = thuhet në projektligj.

Zyra vendoset në kuadër të ministrisë përgjegjëse për administratë publike apo në organin tjetër qeveritar për të cilin vendos Qeveria.

Neni 8 A, i cili është shtuar do të rregullojë çështjen e varrezave dhe riteve e varrimit.

Sipas këtij plotësim ndryshimi, vendet e varrezave caktohen në baza neutrale dhe jodiskriminuese nga autoritetet publike, pa ndërhyrje të bashkësive të tjera fetare.

“Varrimet dhe ritet e varrimeve në varreza publike organizohen në mënyrë neutrale dhe personat që i përkasin një pakice fetare apo filozofike nuk duhet të varen nga personat që i përkasin një shumice fetare lidhur me aspektet e varrimit të tyre” – thuhet në projektligj.

Neni 7B, i cili është risi e Ligjit për Liritë Fetare do të rregullojë çështjen e regjistrimit të bashkësive fetare, e cila nuk është detyrim.

Procedura e regjistrimit ose e refuzimit të një kërkesë për regjistrim, në bazë të këtij projektligji duhet të përfundojë brenda 60 ditëve.

Për t’u regjistruar një bashkësi fetare në Kosovë, sipas këtij projektligji, duhet t’i plotësojë 6 kushte.

Kushti i parë është që të paraqes në zyrë kërkesën për regjistrim nga një përfaqësues i autorizuar.

Zyra vendoset në kuadër të ministrisë përgjegjëse për administratë publike apo në organin tjetër qeveritar për të cilin vendos Qeveria.

Për t’u pranuar kjo kërkesë një bashkësi fetare me rastin e themelimit të kenë të paktën 100 anëtarë, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, duhet të ketë një përfaqësues të autorizuar për qëllim të kontakteve të tij me autoritetet publike.

Po ashtu si kusht në kërkesë duhet të paraqes qëllimin dhe aktivitetet e bashkësisë fetare. Të paraqes parimet bazë të besimit të bashkësisë fetare si dhe të paraqesë pasurinë që e posedon dhe qëllimin e përdorimit të saj.

E pasi që të plotësohen këto kushte, projektligji ka paraparë procedurat që do të ndiqen tutje pas pranimit të kërkesës.

“Zyra bën kërkesën për themelimin e Komisionit ad hoc për regjistrimin e bashkësive të reja fetare. Komisioni në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas themelimit, obligohet që të marrë vendimin për regjistrim të bashkësisë fetare dhe ta njoftojë përfaqësuesin e autorizuar i cili ka aplikuar” – thuhet në projektligj.

Pjesë e komisionit janë 7 anëtar: tre deputetë të Kuvendit, një profesor nga universiteti publik, me ekspertizë në fushën e shkencave sociale, një përfaqësues i autorizuar nga bashkësia fetare që caktohet me rotacion nga çdo bashkësi fetare, një përfaqësues i Qeverisë i përzgjedhur nga kryeministri dhe udhëheqësi i zyrës.

Për regjistrimin e bashkësisë fetare, nuk do të ketë nevojë të paguhet ndonjë taksë.

Refuzimi dhe çregjistrimi i një bashkësie fetare

Por jo gjithmonë kërkesa për krijimin e një bashkësie fetare mund të aprovohet, projektligji ka paraparë edhe rastet kur një kërkesë e tillë mund të refuzohet.

Një kërkesë për regjistrim të një bashkësie fetare sipas ligjit mund të refuzohet për tri arsye, mospërmbushja e kushteve, në rastet kur qëllimi dhe aktivitetet e bashkësisë fetare janë në kundërshtim me, sigurinë, shëndetin dhe rendin publik ose të drejtat e personave të tjerë si dhe me ligjet në fuqi.

E edhe në rastet kur ekziston rreziku që emri i bashkësisë do të ngatërrohet me emrin e një bashkësie tjetër të njohur sipas ligjit në fuqi, kërkesa mund të refuzohet.

Në rast se një bashkësie i refuzohet regjistrimi, ligji e parasheh si instancë për ankesë gjykatën kompetente.

Projektligji i ri pritet të rregullojë edhe çështjen e çregjistrimit me kërkesën e themeluesit të bashkësisë fetare si dhe çregjistrimi me vendim të Komisionit.

Sipas ligjit, themeluesit e bashkësisë fetare mund të propozojnë çregjistrimin e bashkësisë fetare, duke parashtruar te Zyra kërkesën për çregjistrimin e bashkësisë fetare, duke prezantuar disa dokumente të nevojshme.

“Dëshmi nga Gjykata që nuk ka proces të hapur ndaj tyre. Dëshmi nga Administrata Tatimore që nuk ka obligime tatimore. Arsyen me shkrim për çregjistrim dhe dëshmi se kush i trashëgon pronat dhe pasurinë tjetër të luajtshme. Raportin e pasqyrave financiare të audituara nga themelimi e deri në momentin e kërkesës për çregjistrim” – thuhet në projektligj.

Ndërsa tek çregjistrimi me vendim të Komisionit procedura është pak më ndryshe.

Sipas këtij projektligji, zyra mund t’i propozojë Komisionit marrjen e vendimit për çregjistrimin e një bashkësie fetare pasi ka konstatuar se, në pajtim me procedurën e zhvilluar në pajtim me ligjin përkatës për procedurën e përgjithshme administrative, bashkësia fetare më nuk i plotëson kushtet e parapara me këtë ligj.

Vendimi këtij Komisionit për çregjistrimi është përfundimtar në procedurë administrative. Kundër vendimit të Komisionit për çregjistrimin, bashkësia fetare ka të drejtë të ngritë padi për konfliktin administrativ në gjykatën kompetente.

Në rast të shuarjes së bashkësisë fetare, ligji ka paraparë që pasuria i transferohet Qeverisë së Kosovës.

Projektligji për plotësim ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare në Kosovë, u miratua më 25 janar nga kabineti qeveritar.

Sipas projektligjit të miratuar, në Kosovë ekzistojnë 7 bashkësi fetare të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar Ipeshkvinë e Kosovës për të marrë qëndrimin e tyre për ndryshimet e bëra në këtë projektligj.

Don Fatmir Koliqi, Zëdhënës i Ipeshkvisë për KALLXO.com ka thënë se kanë marrë pjesë në diskutimet për këtë ligj, dhe kanë dhënë sugjerime.

“Ne kemi qenë që nga fillimi të përfshirë në grupet punuese, e posaçërisht në leximet publike, dhe kemi dhënë propozimet për këtë projektligj, të cilat disa prej tyre janë marrë në konsideratë” – ka thënë ai.

Tutje sipas tij në këtë ligj vetëm janë modifikuar disa nene të ligjit paraprak.

“Për ne është i pranueshëm si ligj, ndonëse nuk është i përsosur, por mendojmë se edhe si i tillë do të jetë në dobi të bashkësive fetare dhe kishave në Kosovë, sepse është i domosdoshëm për funksionalizimin ligjor të tyre në Republikën tonë”- ka thënë tutje ai.

Për këtë çështje kanë qenë të kontaktuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë dhënë përgjigje.

Ligji aktual për Liritë Fetare në Kosovë, është ai i viti 2007, i kohës së UNMIK.

Edhe raportin ndërkombëtar për Liritë Fetare të vitit 2020 të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishte theksuar nevoja për Ligj të ndryshuar për lirinë fetare. Sipas raportit, mungesa e statusit ligjor për bashkësitë fetare është një hendek i madh në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.