Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Çfarë dihet për idenë e Macronit për një Evropë me dy nivele?

Pas një fitoreje të madhe zgjedhore muajin e kaluar, Emmanuel Macron ka bërë një nga ndryshimet më të mëdha në strukturën e Bashkimit Evropian në dekada.

Cila është ideja e Macron?

Mes sugjerimeve të tij se anëtarësimi i Ukrainës në BE, e shkatërruar nga lufta, mund të marrë “dekada” kohë dhe vonesa të gjata për pranimin e vendeve në Ballkanin Perëndimor, presidenti i Francës dëshiron që t’i kushtohet vëmendje një Evrope me dy shpejtësi.

Ai e parashtroi vizionin e tij për një komunitet më të gjerë të demokracive evropiane që do të mundësonte një bashkëpunim më të thellë midis bllokut 27-anëtarësh dhe vendeve jo anëtare të BE-së.

Brenda këtij bashkimi të ri politik, kombt si Ukraina, madje edhe Britania pas Brexit, mund të krijojnë lidhje më të thella me BE-në madje pa u anëtarësuar zyrtarisht në BE.

“Marrë parasysh nivelin e integrimit dhe ambicieve të saj, BE nuk mund të jetë në afat të shkurtër mjeti i vetëm i strukturimit të kontinentit evropian”, u tha Macron eurodeputetëve.

 “Është detyrimi ynë historik t’i përgjigjemi kësaj sot dhe të krijojmë atë që unë do ta quaja një ‘komunitet politik evropian’. Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësonte kombeve demokratike evropiane që i përmbahen vlerave tona thelbësore ta gjejnë një hapësirë ​​të re bashkëpunimi në politikë, siguri, energji, transport, investime në infrastrukturë dhe lëvizjen e njerëzve, veçanërisht të të rinjve.

Pse tani?

Macron i bëri këto komente të hënën në Konferencën për të Ardhmen e Evropës, një ushtrim konsultimi se si duhet të reformohet BE.

Në mënyrë simbolike, ai foli në Ditën e Evropës, një rast që e nderon pikënisjen e integrimit politik dhe ekonomik të kontinentit.

Fjalët e tij vijnë po ashtu teksa po vazhdon invazioni rus në Ukrainë, e cila e ka nxitur Kievin dhe dy ish-vendet sovjetike, Moldavia dhe Gjeorgjia, të paraqesin aplikime të përshpejtuara për anëtarësim në BE:  Përveç kësaj, një zhurmë vie edhe nga Ballkani Perëndimor ku shtete si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë kohë që presin fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Kjo mund të ndërlidhet gjithashtu me zhgënjimet në shpejtësinë e vendimmarrjes së BE-së. Disa vende, duke përfshirë Hungarinë, po e vonojnë një ofertë të Brukselit për t’i ndaluar importet e naftës ruse.

Si do të funksiononte ideja e Macron?

Detajet janë ende shumë të skicuara.

Duke folur më vonë së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Macron tha: “Ne duhet tëa gjejmë një formë politike që mundëson ‘ankorimin’ në Evropë të disa shteteve që ndajnë të njëjtat vlera dhe gjeografi dhe të ndërtojmë së bashku një koordinim politik, ndoshta disa forma solidariteti në aspektin e sigurisë – dhe që nuk janë të njëjta me NATO-n, por disa elementë bashkëpunimi, solidariteti duhet të përcaktohen – bashkëpunimi në aspektin energjetik, sepse ne shohim integrimin dhe solidaritetin brenda Evropës për këto çështje energjetike që janë kaq të strukturuara.

“Tani duhet t’i fillojmë konsultimet politike për ta parë interesin dhe, siç e keni vënë re, ndoshta është gjithashtu një mënyrë për ta rifituar stabilitetin dhe një formë tjetër bashkëpunimi me disa vende si Mbretëria e Bashkuar, e cila ka vendosur të largohet nga Bashkimi ynë Evropian, por që mund të ka vendin e merituar në këtë komunitet politik”.

Megjithatë, ideja shënon një ndryshim të madh në drejtimin e politikës evropiane, veçanërisht për Francën, e cila ka treguar një shkallë mospërputhjeje drejt integrimit të mëtejshëm të vendeve të reja anëtare të BE-së për vite me radhë.

Planet e Macron do ta shihnin një Evropë me dy nivele, e cila, në shumë mënyra, bie ndesh me idenë e BE-së, domethënë, besnikërinë e plotë ndaj ligjeve dhe rregulloreve të bllokut, dhe në rastin e këtij propozimi të ri, të lidhur lirshëm me Qeveritë evropiane të cilat vetëm do të bashkëpunonin më thellë për çështje të tilla si mbrojtja dhe taksat.

“Dikush mund të thotë se zona Shengen dhe eurozona janë shembuj të një Evrope me dy shpejtësi, e cila nuk është e njëjtë me idenë tjetër [e Macron], që është ky rreth i jashtëm i joanëtarëve të BE-së, i cili do të bashkëpunonte me Bashkimi Evropian në fusha specifike pa qenë pjesë e bllokut si anëtarë të institucioneve”, tha për Euroneës, Camino Mortera-Martinez, shef i zyrës së Brukselit në Qendrën për Reforma Evropiane.

“Dhe kjo është ajo që unë mendoj se Macron përmendi ose po i referohej, kësaj ideje të komunitetit politik evropian. Dhe kjo është ajo që vlen për Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe ndoshta për Britaninë e Madhe, si dhe vende të tjera.”

Kush pret të anëtarësohet në Bashkimin Evropian?

Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia i kanë paraqitur të gjitha aplikimet që nga fillimi i luftës së Rusisë më 24 shkurt.

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian, tha se synon të japë një opinion të parë në muajin qershor lidhur kërkesën e Ukrainës për t’u bërë anëtare.

Macron tha se aspirata e Ukrainës për t’u bashkuar me bllokun e BE-së ishte “legjitime”, duke thënë se dëshira e Kievit, si dhe ajo e Gjeorgjisë dhe Moldavisë, “na lejon ta rivlerësojmë gjeografinë tonë dhe organizimin e kontinentit tonë”.

Megjithatë, prapa dyerve të mbyllura, shumë shtete anëtare pranojnë se anëtarësimi i shpejtë për Ukrainën – dhe kandidatët e tjerë – ka shumë pak gjasa të ndodhë duke pasur parasysh se një propozim si ky do të kërkonte ndryshime të mëdha në traktatet e BE-së.

“Shumë nga këto qeveri [BE] janë shumë të kujdesshme për hapjen e traktateve sepse e dinë se kjo është si hapja e kutisë së Pandorës,” tha Mortera-Martinez. “Të gjithë do të kenë një kërkesë dhe do t’i këshillojnë ata ta kenë një listë dëshirash, dhe kjo do të bëhet mjaft e vështirë për momentin.”

Kritikët theksojnë se Macron thjesht po përpiqet t’i qetësojë vendet jo-BE që presin për antarësim, disa prej të cilëve kanë qenë në radhën e kandidaturave për vite tani, në vend që t’i marrin në konsideratë seriozisht ofertat e tyre për anëtarësim.

Përveç Turqisë – me të cilën bisedimet filluan në vitin 2005, por që pastaj ngecën dhe u ndërprenë më pas në vitin 2019 – dhe treshes së aplikantëve të fundit, të gjithë ata që presin të bashkohen janë të vendosur në Ballkanin Perëndimor.

Maqedonia e Veriut, e cila aplikoi për herë të parë në vitin 2004, i ka përmbushur kriteret për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, por oferta e saj po pengohet nga një mosmarrëveshje me Bullgarinë.

Oferta e Shqipërisë është e lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut, kështu që vetoja e Sofjes po i pengon gjërat edhe për Tiranën.

Mali i Zi aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2008. Bisedimet e antarësimit, të cilat filluan në vitin 2012, janë avancuar dhe Mali i Zi mund të jetë gati për t’u anëtarësuar deri në vitin 2025.

Bisedimet po vazhdojnë edhe me Serbinë, ndërkohë që Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina konsiderohen si “kandidatë potencial për anëtarësim në BE”.

Kosova, ish krahinë e Serbisë, e ka shpallur pavarësinë nga Beogradi në vitin 2008. Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon ta trajtojë atë sikur të ishte nën sovranitetin e saj. Brukseli thotë se asnjëri prej tyre nuk do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE derisa kjo mosmarrëveshje të zgjidhet.

Perspektivat për Bosnjën, ndërkohë, janë të dobëta. Ajo aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2016, por, sipas një shënimi informues të Parlamentit Evropian, “paqëndrueshmëria e brendshme politike dhe mungesa e reformave politike i kanë zbehur perspektivat e Bosnjës për t’u bashkuar me BE”.

Cilat janë shanset që ideja e Macron të bëhet realitet?

Ideja e Macron ka të ngjarë të kërkojë ndryshime në traktatet e BE-së dhe duket se ka pak interesim për këtë.

Deri në 13 vende, duke përfshirë Danimarkën, Slloveninë, Bullgarinë dhe Suedinë, e kanë nënshkruar një dokument të hënën duke hedhur poshtë këtë iden.

“Ne nuk i mbështesim përpjekjet e pakontrolluara dhe të parakohshme për ta nisur një proces drejt ndryshimit të traktatit,” shkruan ata.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, megjithëse shprehu interes për propozimin e Macron, paralajmëroi gjithashtu kundër zhgënjimit të kandidatëve prej kohësh të BE-së.

“Ajo që është e qartë është se kjo nuk duhet dhe nuk do të na ndalojë të ecim përpara me atë që kemi filluar, përkatësisht duke i mundësuar proceset e anëtarësimit për të cilat kemi punuar për kaq gjatë tani,” tha Scholz në një konferencë të përbashkët për media me presidentin francez në Berlin të hënën.

“Kjo është veçanërisht e vërtetë për Ballkanin Perëndimor, për të cilin kemi folur tashmë. Ka shumë prej tyre që tashmë kanë bërë përgatitje shumë të gjera, të cilët gjithashtu kanë marrë vendime të guximshme. Dhe ky guxim duhet të shpërblehet në një moment të caktuar.

“Unë thjesht do të doja ta ilustroj këtë me shembullin e Maqedonisë së Veriut. Ka pasur liderë politikë shumë të guximshëm që kanë guxuar të bëjnë diçka për ta bërë të mundur fillimin e procesit të anëtarësimit. Dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë që ky guxim të mos kthehet në një zhgënjim.”

Presidenti Macron thotë se do të dëshironte ta diskutonte idenë në samitin e Këshillit Evropian në muajin qershor, me synimin për ta iniciuar këtë propozim tijin një konventë të BE-së për ndryshimin e traktateve në të ardhmen e afërt.

Por me kaq shumë kundërshtarë që tashmë i kanë thënë fjalët e tyre, çdo ndryshim domethënës në mënyrën se si funksionon blloku i BE-së mund të ketë ende vite të tëra. /Euronews