Bali Muharremaj përballë premtimeve, opozitës dhe qytetarëve të Suharekës për qeverisjen e tij

Bali Muharremaj nga radhët e AAK-së, po udhëheqë mandatit e tij të dytë si kryetar i komunës së Suharekës. Prioritet në mandatin e kryetarit Muharremaj duket të kenë qenë investimet në shëndetësi, infrastrukturën rrugore, krijimin e hapësirave të gjelbra dhe në përmirësimin e infrastrukturës në arsim.

Ndërtimi dhe renovimi i objekteve që ofrojnë shërbime mjekësore për qytetarët e Suharekës ishin disa nga projektet që kryetari Bali Muharremja i përmendi në hapësirën e dedikuar për projektet komunale të realizuara.

“Rregullimi i QKMF-së në qytet, është bërë renovimi i AMF-së në fshatin Girikocë dhe Duhël, kemi filluar me një objekt të ri në fshatin Mushtitsht, Duhël, në fshatin Sllonaqan është e përfunduar, por ende nuk është përuruar sepse kemi problem me e përfundu një rrugë dhe gjithashtu fillojmë edhe me Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjinoc”- tha kryetari Muharremaj.

Më rendësi të veçantë gjatë qeverisjes së kryetarit Bali Muharremaj, duket së janë trajtuar edhe krijimi i hapësirave të gjelbra për qytetarët e Suharekës, madje kryetari përmendi si arritje së 60% e fshatrave në komunë tani më kanë parqe.

“Po foli prej vitit 2017 nuk ka qenë asnjë park sot përafërsisht mbi 60% të fshatrave janë të përfunduara (parqet), vetëm aty ku kemi problem me prona ku s’ka prona, kemi fillu edhe tregun javorë, këtu kemi pas disa probleme është marrë prona e Damperit që ka qenë e paraparë një zone më u ndërtu dhe po besojmë që të ardhmen do të behët”- ka thënë kryetari Bali Muharremaj.

Kryetari në tre minutëshin e tij ku fletë për projektet e realizuara, përmendi edhe projektet që nuk arrit t`i realizoj siç i premtoj për shkak të telasheve që dolën gjatë rrugës, mirëpo shpreson se do marrin një epilog së shpejti.

“Është më rëndësi me përfundu edhe rruga ‘Skënderbeu’ një rrugë që ka zgjatë, është një rrugë kryesore në Suharekë që kalojnë mbi 13,800 vetura në ditë, të përfundohet sheshi dhe të startojmë me projekte tjera që kemi nëpër fshatra”- tha kryetari Muharremaj.

Si arritje të përbashkët me opozitën e konsideroi faljen e tatimit në pronë për qytetarët e Suharekës dhe pavarësisht kësaj kryetari tha se arriti me e mbush arkën e komunë.

“Asamblistët e dinë që kanë falë tatimin në pronë, për këtë vit qytetarëve të Suharekës u janë falë rreth 800 mijë euro që s’do të paguajnë, por sidoqoftë ne edhe këtë vit arritëm me e mbushë arkën e komunës”- ka thënë kryetari Muharremaj.

Si i vlerësoi “Krypometri” premtimet e kryetarit Bali Muharremaj

Bali Muharremaj në debatin “Jeta në Komunë” në vitin 2021 kishte premtuar së do të nisë dhe përfundojë në mandatin e tij kanalin atmosferik në fshatin Shirokë.

Mirëpo, deri sa mandati i qeverisjes së kryetarit Muharremaj po shkon drejtë fundit, pas verifikimeve në terren të ekipit “Jeta në Komunë” është parë se kanali atmosferik në fshatin Shirokë ende nuk ka nisur të ndërtohet.

Fjalët e kryetarit në fundin e mandatit janë se tani ky projekt i takon Ministrisë së Infrastrukturës dhe për çdo gjë kërkohet leje nga Ministria.

“Kanali atmosferik në Shirokë është bërë kërkesë të Ministria e Infrastrukturës, është rrugë e Ministrisë dhe ka ardh koha që për çdo problem që kemi duhet t’i kërkojmë leje speciale për me kry punë ato çka i përkasin Ministrisë së Infrastrukturës”- ka thënë kryetari.

Probleme me ujin e pijshëm banorët e rrugës ‘Xhavit Syla’  kishin edhe në vitin 2021 kur kryetari premtoi së me marrjen e mandatit do ta rregullojë këtë çështje, e vazhdojnë ta kenë edhe sot kur kanë kaluar 3 vite mandat të qeverisjes së kryetarit.

Premtimi i kryetarit ishte se: “Hidroregjioni është duke punuar dhe besoj brenda 10 dite apo dy jave rruga Xhavit Syla ka me pasë ujë”.

Ndërsa, se si qëndron problemi me ujin e pijshëm në këtë rrugë e tregoi edhe banori Shaban Olluri, i cili ballafaqohet me mungesën e ujit.

“Në rrugën ‘Xhavit Syla’ kjo pjesa jonë nuk ka ujë fare, shumë pak, dimrit ka ujë pak ma shumë, ndërsa verës ndalet krejt”- tha banori i kësaj rruge Shaban Olluri.

Pavarësisht gjendjes së faktuar të mungesës së ujit, kryetari Bali Muharremaj, ankesat nuk i pranoi si arsyetim pasi që thotë se rezervari i ujit i veçantë është vendosur në këtë pjesë.

“Është rezervari i ujit i veçantë i vendosur në Biraqë, nuk kanë mundësi me arsyetu lagjja apo rruga Xhavit Syla”- tha kryetari Bali Muharremaj.

Kryetari premtim dha edhe për zgjidhjen e problemit të varrezave në fshatin Vraniq qysh në vitin e parë të mandatit.

Ndërsa krejt çka komuna ka bërë për këtë kohë është ndarja e pronës, mirëpo ende nuk ka investime në këtë hapësirë që të mund të shfrytëzohet.

“Kemi një nevojë shumë jetike me problemin e varrezave këtu në fshatin tonë, sa herë që hapet një varr i ri, atakon disa eshtra të varrit tjetër dhe është e palogjikshme dhe e padinjitetshme me i zhvendosë një parë eshtra për me varrosë kufomë te re”- tha banori Skender Rraqi.

Ndërsa, kryetari për këtë zotim të tij tha se problemi për varrezat e fshatit Vraniq nga ana e komunës është zgjidhur me caktimin e lokacionit.

“Nuk është problem çështja e varrezave në fshatin Vraniq, lokacioni është vendosur me vendim të asamblesë komunale dhe veç duhet me fillu me punu”- tha kryetari Muharremaj.

Pritshmëria sipas fjalëve të kryetarit Bali Muharremaj, ishte që numri i drejtorive që udhëhiqen në komunën e Suharekës të ishin 50% gra dhe 50% burra, mirëpo kjo nuk ka ndodhur.

Nga 10 drejtori sa ka në total komuna e Suharekës, katër gra kanë pozita udhëheqëse si drejtoresha dhe gjashtë burrave ju është besuar udhëheqja me drejtoritë komunale.

Premtimi tjetër i kryetarit Muharremaj ishte që secili fshat në komunën e Suharekës do ta ketë parkun e vetë.

“Çdo fshat do ta ketë parkun e vetë”- premtoi kryetari Bali Muharremaj.

Ndërsa nga verifikimet që janë bërë në terren, ekipi i “Jeta në Komunë” ka identifikuar të paktën tri fshatra ( Nishor, Dobërdelan, Vraniq) në të cilat nuk ka parqe.

Ndërsa, përgjigja e komunës për ndërtimin e parqeve nëpër fshatra ka qenë së është investuar aty ku ka qenë mundësia.

“Në shumicën e fshatrave në komunën e Suharekës janë ndërtuar parqe aty ku është evidentuar së ekziston mundësia dhe ka hapësira publike”- thuhet në përgjigjen e komunës.

“Do të fillojmë edhe me një zonë ekonomike në Shirokë të Damperi”- premtimi i kryetarit Muharremaj në debatin “Jeta në Komunë” në vitin 2021.

Ky premtimi i kryetarit Bali Muharremaj për ndërtimin e zonës ekonomike në Shirokë të Damperi do mbetet vetëm fjali, pasi kjo prona e planifikuar për zonën ekonomike tani është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Komuna edhe përmes përgjigjes së saj zyrtare e ka konfirmuar të njëjtën gjë. “Zona të Damperi tani më është pronë e FSK-së”- është përgjigjur komuna.

Kryetari Bali Muharremaj, gjithashtu u zotua së do të ketë shkarkim të menjëhershëm për drejtorët që ju ngritet aktakuzë, mirëpo gjatë qeverisjes një veprim të tillë nuk e bëri  kryetari.

Gjatë mandatit të qeverisjes së Bali Muharremajt, u ngrit aktakuzë për drejtorin e Shërbimeve Publike Enver Shabani, mirëpo i njëjti vazhdon me qenë në krye të detyrës.

“Është e vërtetë që unë e kam liru nga detyra, mirëpo në konsultim me profesionistë të fushës më kanë thënë që nuk ke të drejtë me e shkarku derisa nuk e ka aktakuzën e plotfuqishme, e kam liru dhe pas 6 muajve e kam kthy në punë prapë”- është përgjigjur kryetari.

Premtim tjetër i kryetarit Bali Muharremaj ishte edhe përgjysmimi i taksës për bizneset që punësojnë dy punëtorë, ndërsa bizneset që punësojnë pesë punëtorë do lirohen tërësisht nga taksa.

Mirëpo, falja e tatimeve në pronë për qytetaret e Suharekës me vendim të asamblesë, e ka pamundësuar realizimin e këtij projekti.

“Nuk mujta me e majtë premtimin për arsye se këtë vit me vendim të asamblesë komunale, kemi falë tatimin në pronë për gjithë qytetarët e Suharekës e në qoftë së shkojmë edhe ja falim edhe bizneseve, atëherë se di qysh do punojmë atë çka e kemi planifikuar”- tha kryetari.

Pasi i erdhi radha për diskutim opozitës, asamblisti Urim Suka nga LDK kërkoi sqarim par listën e gjatë të pritjes për të bërë mamografi në QKMF.

“Në QKMF vetëm një memograf bëhet gjatë ditës, gjatë muajit shtator janë bërë vetëm shtatë, gjatë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit janë bërë 18, për shkak të neglizhencës kam përshtypjen dhe pse po ndodhë kjo le të përgjigjen zyrtarët tjerë. Lista e pritjes për një mamografi është deri në muajin qershor të vitit 2025”- tha asamblisti Suka.

Asamblistja e AAK-së, Mimoza Bajraktari dha një shpjegim pse po bëhet vetëm një mamofrafi në ditë.

“Është shumë e vërtetë, sepse kemi vetëm një radiologe dhe ajo radiologe i kontrollon me rengena, i bën EKG-të dhe i bën mamografitë. Në muajin rozë (tetor) është shumë e vërtetë që ajo nuk ka qenë për shkak të gjendjes shëndetësore të saj personale dhe të bashkëshortit të saj i cili edhe ai është asamblist dhe është dasht me qenë sot këtu, nuk ka pas mundësi doktoresha me qenë prezent në institucion”- tha Bajraktari.

Ndërsa edhe drejtoresha e Shëndetësisë për këtë dha një arsyetim se pse është vetëm një radiologe.

“Udhëzimi administrativ nuk na lejon më shumë së një specialist të Radiologjisë, natyrisht se shkon termini gjatë për shkak së ajo mamografi duhet të lexohet nga specialisti”- tha drejtoresha Besa Kuqi.

Ankesa nga opzita kishte edhe për cilësinë e punimeve që po bëhen nga kompanitë në infrastrukturën rrugore, këtë shqetësim e ngriti për diskutim asamblisti i LDK-së, Kushtrim Kuqi.

“Në Bllacë rruga Dukagjini, Duhël rruga 29 prilli, rruga Vranij-Sopi, rruga Nishor janë shfaqë dëmtime pasi është bërë pranimi teknik, menjëherë kemi nivel të uljes së rrugës në cilësi në secilin projekt”- tha Kuqi.

Ankesa kishte edhe për vonesat në projektin e rrugës ‘Skënderbeu’ në qytet.

“Kryetari tha që na ka mbet në gjysmë, rruga Skënderbeu në Suharekë, ka pas dinamikë të punimeve që rruga me zgjatë 53 ditë, mirëpo kjo rrugë ka fillu në nëntor të vitit të kaluar dhe ende nuk ka përfunduar”- tha Kuqi.

Lidhur me këtë dha një përgjigje, drejtori i Urbanizmit Visar Kuqi, i cili tregoi arsyet e vonesave.

“Arsyeja që në jemi vonuar në terren me rrugën ‘Skendërbeu’ është për shkak se kur i kemi fillu punimet kemi llogaritur që është rrugë rajonale që i takon Ministrisë dhe e kemi pajis operatorin ekonomik dhe drejtorinë përkatëse me leje ndërtimore duke llogarit që është rrugë në zonën urbane dhe pasi kanë fillu punimet janë ndërprerë punimet me vendim të inspektoratit të rrugëve të Ministrisë”- ka deklaruar drejtori Visar Kuqi.

Për cilësinë e punimeve në infrastrukturën rrugore u ankuan edhe banorët e rrugës “Abaz Kastrati” në fshatit Dvoran të Suharekës.

Ende pa u bërë një vit nga koha kur është shtruar asfalti ka filluar ka dalë bari që sipas banorëve quhet ‘bari i magarit’.

“Këtu i thojmë ‘bari i magarit’ del ai shpërthen edhe nuk thahet, këtu ka qenë një defekt i ujit s’kemi pas mundësi me e ndreq, jemi detyruar me e thy për me pas krejt fshati ujë, jemi mbi 50 familje këtu”- ka thënë banori Mehmet Alia.

Ndërsa, për këtë gjendje kryetari tha se nganjëherë është normale të ndodhë kjo.

“Unë e pash që ka dal bari, por bari nganjëherë mund me dal qosheve edhe është normale pasi që shtrohet me një shtresë, por edhe me dy shtresa me u shtru kur ka sasia të mëdha të ujit del bari”- tha kryetari Bali Muharremaj.

Shqetësimet e banorëve në komunë e Suharekës për gjendjen infrastrukturore pasi po kryhen projektet nuk ishin të pakta.

Probleme u paraqitën edhe në rrugën e fshatit Semetisht, problemi këtu ishte rrëshqitja e rrugës si shkak i terrenit të kësaj zone.

“Kjo rrugë prej që është shtru qikjo shtresë e asfaltit 5-6 cm përafërsisht 10 cm, kjo nuk zë vend asnjëherë, për çdo ditë rrëshqet edhe krejt banorët që udhëtojnë në këtë rrugë kanë rrezik”- tha banori Afrim Bytyqi.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit tregoi së pavarësisht investimeve që ka bërë komuna në këtë pjesë, problemi i kësaj rruge është me vite.

“Problemi i kësaj rrugë nuk është i viteve të fundit, por është qysh prej pas luftës është problem së lëvizë toka, ne e kemi bërë një fizibilitet dhe matje gjeologjike por duhet investim shumë i madh. Ne nuk kemi bërë investim diçka të madh në atë rrugë, përveç që e kemi sanu ato gropa, kryetari ju ka premtu banoreve një unazë që e lidhë me fshatin Bershanacë me këtë rrugë edhe jemi duke e bërë një rrugë tjetër”- tha drejtori Visar Kuqi.

 “Shiritat” u prenë, projektet u prishën

Komunarët në promovimin e punëve janë treguar me të aftë së në realizimin e projekteve të tyre sa i përket cilësisë.

Njëjtë si çdo kryetar tjetër edhe kryetari Bali Muharremaj ishte mjaftë aktiv në promovimin e projekteve komunale, por si është gjendja e këtyre projekteve pasi u përuruan tregojnë verifikimet që janë bërë në terren nga ekipi i “Jeta në Komunë”.

Më 30.12.2023 kryetari Bali Muharremja në facebook-un e tij kishte shpërndarë pamje deri sa po inspektonte punimet në portën e qytetit, mirëpo 10 muaj më vonë gjendja ku u kryen këto punime ka pësuar ndryshime.

Vendosja e pllakave të mbikalimit është parë se nuk është në rregull, pasi që disa kanë lëvizur nga vendi dhe shumë prej tyre kanë qenë të thyera si dhe kanë munguar rrethojat në hyrje të mbikalimit gjë që rrezikon qytetarët që kalojnë në këtë mbikalim.

Më 15.11.2023 kryetari Muahrremaj promovoi një projekt tjetër, shtegun e ecjes në fshatin Mavriq, mirëpo pasi ka kaluar një vit, kanë filluar të shihen telashet e para.

Dëmtimi i ulëseve si dhe gjerësia e krijuar në mes të pllakave kanë qenë disa nga problemet që tani më janë paraqitur në këtë park.

Ndërsa në dhjetor të vitit 2021, kryetari promovoi një material ku po kryheshin punimet në rrugën që lidh fshatin Shirokë më fshatin Sopi, ky postim u pëlqye nga 1600 persona, ndërsa 18 mijë veta e shikuan.

Pas tri viteve që kanë kaluar në këtë aks rrugor mungon shënjimi i rrugës dhe vijat e bardha, ndërsa në një pjesë të asfaltit edhe anësoret janë dëmtuar e shembur.

Kryetari për gjendjen e rëndë të rrugës Shirokë-Sopi tregoi së e kanë ditur së do të ballafaqohen më këto probleme.

“Të rruga Sopi-Shirokë, planifikimi për këtë rrugë ka qenë diku rreth 490 mijë, kemi hy diku me 320 mijë, prej fillimit e kemi ditë që kemi me pas probleme, nuk është paguar komplet ka diku edhe 80-90 mijë euro me u kry punë. U shkatërrua sepse ka shku dikush edhe e ka qelë kanalin edhe ka flejtë asfalti, për këtë ose do paguajë ai që e ka dëmtuar ose do të shkojë në llogari të kompanisë sepse mbikëqyrësi nuk e nënshkruan atë punë”- është përgjigjur kryetari Muharremaj.

Promovim ju bë edhe rrugës Breshancë-Kasterrcë. Këtu kryetari shfaqi një material promovues ku shiheshin se po kryhen punimet në asfaltimin e kësaj rruge.

Mirëpo, gjenda e kësaj rruge pas tri vitesh është shumë e rëndë dhe kjo tregon së cilësia e këtyre punimeve ka qenë jo e mirë.

Mungesa e shenjave të komunikacionit në këtë rrugë, vijat e bardha dhe dëmtimi i anësoreve ishin vetëm disa nga defektet që ka vërejtur ekipi i “Jeta në Komunë” gjatë verifikimeve në terren.

Shqetësimet e opozitës vazhduan edhe për investimet që u bën, por që nuk u gëzuan nga qytetarët e Suharekës.

“Në Peqan janë dhanë diku 80 mijë euro dhe këtu kam një foto është vendos veç një gyp në vitin 2021 dhe asnjë punim tjetër nuk është bërë, 80 mijë euro janë dhanë dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi, uji në fshatin tonë rrjedhë e qytetarët nuk kanë ujë”- ka thënë asamblisiti i VV-së, Liridon Fandaj.

Kryetari për këtë investim tha se është e vërtetë që punët nuk janë përfunduar siç duhet dhe përgjegjësia për këtë tha se i takon ndërmarrjes publike Hidroregjioni.

“Ne e kemi një marrëveshje që bashkëpunojmë më Hidroregjinonin është një kompani shtetërore edhe është e vërtetë që punimet qysh është dashtë me u kry, është një fshat që fle mbi ujë e në fakt nuk ka ujë”.

Si çështje për diskutim nga asamblistja e LDK-së Doruntina Zenelaj u ngrit siguria në shkollat e mesme në Suharekë.

“Kryetari ka premtu sistemin e mbyllur për tri shkollat e mesme që mos me hy dhe me dal persona të pa autorizuar, mirëpo fatkeqësisht para disa jave ka ndodhë një konflikt, rrahje brenda objektit të gjimnazit dhe njëri nga sulmuesit nuk është as nxënës, as personel i shkollës”- tha asamblistja Zenelaj.

Kryetari tha se ky premtim nuk do mund të realizohet pasi që një gjë e tillë nuk po lejohet nga bordi i shkollave.

“Sa i përket sistemit të mbyllur të shkollave, është një bord i shkollave që vendosë, nuk vendosë kryetari, bordi i shkollave nuk kanë dashtë me u mbyllë dyert sepse është shkelje e të drejtave të njeriut, sepse unë e zbatoj ligjin, por nuk më kanë lanë bordi i shkollave”- tha kryetari.

Gjithashtu, asamblistja Doruntina Zenelaj përmendi edhe mos funksionimin e disa ambulantave mjekësore në fshatrat e Suharekës.

“Keni premtu që të gjitha AFM-të do të jenë funksionale, tani kemi disa AFM që nuk janë funksionale si ajo në Reqan, Bllacë dhe Semetisht”- tha Doruntina Zenelaj.

Përgjigje për mos funksionalizimin e Ambulantave të Mjekësisë Familjare dha asamblista e pozitës, Mimoza Bajraktari.

“AMF-ja në Semetisht është funksionale, mundeni me shku dhe me pa direkt që është funksionale, në Reqan është në planifikim dhe e keni pa në planifikimin e buxhetit që është për renovim dhe kjo është arsyeja pse nuk është funksionale, ndërsa e Bllacës është edhe ajo funksionale”- tha Bajraktari.

Ankesa për probleme me ujin e pijshëm kishte edhe në fshatin Mavriq, për këtë pyeti asamblisti Selami Kolgeci.

“Kryetar kur ka me pas ujë të pijshëm në fshatin Mavriq”- pyeti Selman Kolgeci nga LDK-ja.

Mirëpo, kryetari Bali Muharremaj në përgjigjen e tij u tregua i qartë së kur do të zgjidhet ky problem.

“Sa i përket ujit në Vraniq në çdo fushatë kam thanë së deri sa nuk e merr në menaxhim Hidroregjioni nuk ka me pas ujë të mjaftueshëm pasi që unë si komunë nuk kam kompetenca për me vendos aty”- tha kryetari.

Gjithashtu asamblisti Kolgeci pyeti kryetarin, nëse ka krijuar qasje për personat me aftësi të kufizuar në katin e parë dhe të dytë të komunës pasi që sipas tij, kryetari shpesh promovon në facebook përkrahjen e kësaj kategorie.

Drejtori i Urbanizmit deri sa tregoi për gjendjen e objektit të vjetër të komunës, njoftoi se tani të gjitha objektet e reja ofrojnë qasje për personat me aftësi të kufizuar.

“Objekti i komunës është shumë i vjetër, ne e kemi rinovuar një pjesë të objektit, objekti i gjendjes cilivile ka qasje, shtëpia e kulturës ka qasje, të gjitha objektet e reja kanë qasje”- tha drejtori i Urbanizmit Visar Kuqi.

Ndërsa, asamblistja Bulëza Kuçi ngriti shqetësimin për gjendjen e shtigjeve të ecjes që janë ndërtuar në mandatit të kryetarit Bali Muharremaj, mirëpo në disa pjesë të këtyre shëtitoreve është rrezik për të ecur për shkak të kabllove të ndriçimit të cilat janë në tokë dhe të njëjtat shtigje janë të dëmtuara.

Gjithashtu nga asamblistja u përmend edhe mos mirëmbajtja e këndit të lojërave tek salla e sportit në Suharekë dhe fusha e tenisit.

Kryetari dha një përgjigje edhe për këto ankesa të opozitës duke treguar për punën që ka bërë sa i përket obligimeve të tij.

“Sot kemi arrit me i ndërtu 10 km shëtitore, ne e kemi obligim me i ndërtu shëtitoret, por nuk kam mundësi me i shku me i kap qytetarët e me ju thanë hajde po shkojmë po shëtitim deri sa nuk kalojnë qytetarët ka me dal bari, na e pamë po del bari edhe në asfalt e mos të folim ku ka kubëza”- tha kryetari Muharremaj.