Asociacioni i 'kamufluar' në propozimin e BE-së

Mbrëmë pas më shumë se 7 muajsh diskutime, Bashkimi Evropian vendosi ta publikoj planin e tyre për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, i njohur si plani franko-gjerman.

Kryetema e këtij plani ishte perceptuar të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo kjo marrëveshje nuk përmendet veçmas në asnjë nga 11 nenet e këtij plani.

Mirëpo, pika e parafundit e këtij plani, pika e 10-të, në përmbajtjen e saj e përfshinë edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese” – thuhet në pikën 10-të të këtij propozimi.

Ndwrsa neni 7-të i dokumentit të publikuar dje flet për mundësinë e vet menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë si dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia nëpërmjet një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Ky nen poashtu ka kërkuar që palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun që nga viti 2011, duke arritur kështu 33 marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

Një ndër to ka qenë edhe marrëveshja ‘problematike’ e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njihet si kundërshtari më i madh i kësaj marrëveshje që nga koha kur kishte qenë në opozitë si lider i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), deri tani kur po udhëheq ekzekutivin kosovar.

Mirëpo dje, pas takimit trepalësh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Kurti tha se ka qenë i gatshëm ta nënshkruaj këtë plan i cili parasheh edhe asociacionin.

“Propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.. Ai është neni 10 është fjalia e fundit e nenit të fundit.. Unë praktikisht jam përgjigjur për këtë çështje” – tha Kurti para gazetarëve në Bruksel.

Ndonëse Kryeministri Kurti tha që ka qenë pala serbe ajo që nuk ka pranuar nënshkrimin e planit të BE-së, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha që marrëveshja nuk u nënshkrua për shkak që kryeministri kosovar refuzoi asociacionin.

“Natyrisht do të bëhet fjalë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake. Sa i përket Asociacionit, z. Kurti nuk është i gatshëm ta pranojë Asociacioni, nëse është i gatshëm ta pranojë në të ardhmen do ta shohim, por kam frikë që do të ngelim në këtë çështje” – ka deklaruar Vuçiq të hënën.

E në anën tjetër, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

“Jam i lumtur të lajmëroj që Vuçiq dhe Kurti janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit të BE-së, i cili ka titullin ‘Propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’. Ata janë pajtuar që nuk nevojiten diskutime të tjera, ky është propozimi që do të publikohet në shërbimin për veprim të jashtëm të BE-së”- ka thënë Borrell.

Palët paralajmëruan edhe një takim tjetër më 18 mars, për të diskutuar për udhërrëfyesin për zbatimin e planit të BE-së i njohur si plani franko-gjerman.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Marrëveshja e Brukselit ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa 2 vite më vonë, në gusht të 2015, po ashtu në Bruksel u nënshkrua marrëveshja për themelimin dhe parimet e Asociacionit.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë është serbe, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Mirëpo edhe në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje parasheh se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Ndonëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kanë përmendur se marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet nga Kosova. E në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës vazhdimisht kanë theksuar se marrëveshja antikushtetuese kurrsesi nuk mund të zbatohet.

KËTU mund ta gjeni përmbajtjen e plotë të propozimit të Bashkimit Evropian, që u publikua disa orë pas Takimit Kurti-Vuçiq.