Kurti: Asociacioni kurrsesi nuk bën të zbatohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk bën kurrsesi të zbatohet.

Kurti ka thënë se kjo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese andaj edhe është e pazbatueshme.

“Unë nuk jam kundër serbëve, por Serbia është kundër nesh dhe nuk mund të lejoj një republikë serbe të dytë në Kosovë ngjashëm siç e kanë në Bosnje sepse edhe atje kanë filluar duke i bashkuar komunat me shumicë serbe drejt krijimit të një entiteti autonom, i cili e saboton shtetin e Bosnjë-Hercegovinës”, tha Kurti në një intervistë në Syri.tv.

Kreu i ekzekutivit tha që marrëveshja e Asociacionit po kërkohet të zbatohet nga ata që donin idenë e shkëmbimit të territoreve në Serbi.

“Të njëjtët që provuan ndarjen e Kosovës në emër të shkëmbimit territorial, janë ata të cilët tashmë me shumë ngulm e kërkojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është i papranueshëm për ne. Prej marrëveshjeve që përmendët, besoj se kryesorja që kurrsesi nuk bën të zbatohet është kjo”, theksoi Kurti.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës. Mirëpo edhe në vitin 2015 Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje parasheh se Asociacioni do t’i ketë organet dhe strukturën organizative. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Asociacioni, ‘elefanti në dhomë’ që po injorohet