The Economist zgjodhi Ukrainën 'Shtetin e vitit 2022'

Në kohëra normale, zgjedhja e shtetit të vitit nga The Economist është e vështirë të bëhet. Shkrimtarët dhe redaktorët tanë zakonisht fillojnë me një debat të lirë, në të cilin ata debatojnë mbi pretendimet rivale të një gjysmë duzine kombesh në listën e ngushtë. Por këtë vit, për herë të parë që kur filluam t’i emërtojmë ‘shtetet e vitit’ në 2013, zgjedhja është e qartë. Mund të jetë vetëm Ukraina.

Nderi i shkon normalisht vendit, i cili, sipas nesh, është përmirësuar më së shumti në 12 muajt e mëparshëm. Pra, Ukraina është në një kuptim një zgjedhje e pazakontë, pasi jeta për shumicën e ukrainasve është përkeqësuar në mënyrë spektakolare që nga pushtimi i paprovokuar i vendit të tyre nga Vladimir Putini në muajin shkurt. Shumë njerëz kanë vdekur. Qytete të tëra janë shkatërruar dhe djegur. Miliona njerëz i kanë braktisur shtëpitë e tyre. Ekonomia e Ukrainës është tkurrur me rreth një të tretën. Për shkak të sulmeve ruse, shumë ukrainas po ngrihen së ftohti në errësirë pa energji elektrike.

Megjithatë, ukrainasit e kanë dëshmuar veten këtë vit. Janë katër nga cilësitë e tyre që spikasin këtë vit. E para është heroizmi. Kur filloi pushtimi, shumica e njerëzve në mbarë botën menduan se Ukraina do të shtypej nga fqinji i saj shumë më i madh. Shumë do të kishin hasur në mirëkuptim nëse mbrojtësit e Ukrainës do të kishin ikur. Putini priste qartë që ushtria ukrainase të dorëzohej: trupat e tij mbërritën me uniformat e tyre të veshjes gati për një paradë fitoreje, por pa ushqim pothuajse të mjaftueshëm.

Ukrainasit u ngritën dhe luftuan. Presidenti Volodymyr Zelensky, duke i refuzuar ofertat perëndimore për ta larguar atë nga Kievi, supozohet se kishte nevojë për “municion, e jo për udhëtim”. Ukrainasit e zakonshëm treguan guxim të ngjashëm. Profesorët, montues hidraulikësh dhe yjet e pop muzikës u dyndën për t’u regjistruar, duke i shkëmbyer shtretërit e rehatshëm me vrimat e ngrira dhe rrezikun e vdekjes së dhimbshme. Betejë pas beteje, ata i shpartalluan rusët. Duke u mbrojtur kundër një agresori që e kundërshtoi të drejtën e vendit të tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, ata gjetën një ndjenjë të re kombësie.

Ata gjithashtu treguan zgjuarsi. Vunë re dobësitë e armiqve të tyre, hodhën në erë karburantet dhe municionet e tyre dhe mësuan shpejt se si të përdornin armë të reja të furnizuara nga perëndimi. Ata ia kaluan vendimmarrjen oficerëve në terren, duke i bërë njësitë e tyre më të shkathëta dhe më të adaptueshme se rusët e egër e hierarkikë. Përdorën me shkathtësi ndihmën e shërbimeve miqësore të inteligjencës, veçanërisht atyre të Amerikës, ndërsa armiqtë e tyre luftuan gjysmë të verbër dhe nganjëherë hoqën dorë nga pozicionet e tyre duke bërë telefonata në linja të hapura.

Ukrainasit kanë treguar gjithashtu qëndrueshmëri. Kur nuk ka ujë rubineti në shtëpi, ata po shkrijenë borën. Kur nuk ka energji elektrike, ata gjejnë nxehtësi dhe dritë në kafenetë me gjeneratorë nafte ose flenë në zyrat ku punojnë, shumë prej të cilave tani kanë strehë për bomba dhe ujë në shishe. Tmerret që Putini vazhdon t’u bëjë atyre nuk duket se e kanë dëmtuar moralin e tyre.

Dhe me disa përjashtime, ata nuk i janë përgjigjur krimeve të luftës me krime lufte. Forcat ruse kanë bombarduar në mënyrë rutinore civilë, kanë torturuar robër dhe kanë plaçkitur fshatra. Në të kundërt, të burgosurit rusë të luftës janë të befasuar se sa mirë trajtohen dhe janë trajtuar. Kjo është kryesisht për shkak se Ukraina nuk është, siç pretendon Putini, një shtet nazist, por një demokraci ku jetët njerëzore kanë rëndësi. Ukraina ka të metat e saj, veçanërisht korrupsionin, por qeveria dhe populli i saj e kishin refuzuar Putinizmin edhe para luftës, dhe tani ata e refuzojnë të njëjtin edhe më ashpër.

Duke u përballur me despotin e Rusisë, ukrainasit i kanë mbrojtur fqinjët e tyre. Në rast se ia kishte dalë ta pushtojë Ukrainën, Putin do ta kishte sulmuar Moldavinë ose Gjeorgjinë më pas, ose t’i kërcënonte shtetet baltike. Ukraina ka treguar se të dobëtit mund t’u bëjnë ballë ngacmuesve, madje edhe atyre ngacmuesve të mëdhenj. Kësisoji, Ukraina ka qenë një frymëzim jo vetëm për vendet me fqinjë grabitqarë, fqinj të tillë çfarë i ka Tajvani për shembull, por edhe për njerëzit e shtypur kudo. Shumë tiranë transmetojnë gënjeshtra të mëdha për t’i justifikuar keqbërjet e tyre dhe për ta imponuar vullnetin e tyre nëpërmjet terrorit. Ukrainasit kanë treguar se gënjeshtrat mund të ekspozohen dhe terrorit mund t’i rezistohet. Lufta e tyre është larg nga fundi. Mirëpo shembulli i tyre në vitin 2022 ishte i pashembullt. Slava Ukraini! /The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala