Ministri i Jashtëm kroat Miro Kovaç (majtas, në mes) dhe homologu i tij serb Ivica Daçiç (djathtas) - Foto: Beta.

Tensionet Kroaci-Serbi Përshkallëzohen në Luftë Diplomatike

Marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë janë acaruar gjatë ditëve të fundit dhe janë shoqëruar me shkëmbime notash proteste dhe deklaratash të ashpra nga politikanët e të dy vendeve.

Kriza e fundit diplomatike është shkaktuar nga çështjet e brendshme politike në të dy vendet – edhe nga fakti se të dy vendet udhëhiqen nga konservatorë ose politikanë nacionalistë, thanë ekspertët.

Tensioni pritet të përshkallëzohet edhe më shumë gjatë javëve të ardhshme ndërsa Kroacia po përgatitet të shënojë përvjetorin e operacionit “Stuhia” të vitit 1995 më 5 gusht, duke shënuar ditën kur ushtria kroate shtypi një revoltë serbe në rajonin jugperëndimor të Krajinës.

Ky operacion, i cili në Kroaci festohet ndërsa në Serbi është ditë zie, ka qenë një arsye tensionesh të mëdha etnike dhe mosmarrëveshjesh midis dy vendeve për vite me radhë.

“Ne kemi një proces rikthimi nacionalizmi në të dyja anët. Të dyja anët po “kujdesen” për traditat antifashiste”, tha për BIRN të premten Zoran Gavriloviç, drejtori i Byrosë për Hulumtime Sociale në Beograd.

Zyrtarë kroatë duke diskutuar veprimet e Serbisë - Foto: Beta
Zyrtarë kroatë duke diskutuar veprimet e Serbisë – Foto: Beta

Luftës së fundit diplomatike i paraprinë muaj të tërë presione, që Kroacia i bëri Serbisë për të ndryshuar ose shfuqizuar ligjin e saj ekzistues që i jep autoriteteve serbe juridiksion për të ndjekur penalisht shtetasit e tjerë në lidhje me krimet e kryera gjatë luftërave në vitet 1990. Për vite me radhë, ky ligj ishte një pikë mosmarrëveshjeje në të gjithë rajonin.

Tensionet u përshkallëzuan shpejt pas armëpushimit

Presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç dhe kryeministri i Serbisë në detyrë Aleksandër Vuçiq fillimisht u përpoqën të qetësonin tensionet duke nënshkruar një marrëveshje që synon përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve në fund të qershorit.

Marrëveshja synonte që të rriste mbrojtjen e pakicave të njëri-tjetrit, të përcaktonte kufijtë shtetërorë mes dy vendeve dhe që të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të vazhdueshme që rëndojnë në marrëdhënien e tyre të sikletshme.

Por këto marrëdhënie pësuan një goditje të re pasi BE-ja më 18 korrik hapi zyrtarisht negociatat për kapitujt 23 dhe 24 me Serbinë, pas të cilës zyrtarët kroatë theksuan përsëri se ligji kontrovers do të duhej të bllokohej.

“Serbia e ka për detyrim të ndryshojë ligjin për krimet e luftës. Kjo lind nga kriteret e BE-së dhe, nëse Serbia dëshiron t’i bashkohet BE-së, ligji do të duhet të shfuqizohet”, tha më 21 korrik ministri i Jashtëm kroat, në qeverinë aktuale “teknike”, Miro Kovaç.

Kovaç pohoi se autoritetet serbe ishin të vetëdijshme se ato duhet ta ndryshojnë ligjin, por “po aktronin para publikut të tyre dhe thonë se s’duan ta bëjnë këtë gjë”.

Kovaç paralajmëroi se nëse Serbia do të dërgojë padi të reja për krime lufte të kryera nga veteranët e luftës kroate, “kjo do të pasohet nga masa shumë më të ashpra nga ana e Kroacisë”.

Këto marrëdhënie tashmë të tensionuara u përkeqësuan më tej më 27 korrik, pasi një grup nacionalistësh kroatë ndërprenë një tubim antifashist me rastin e një përvjetori në Srb, një fshat i largët në jug të Kroacisë, gjë e cila u kritikua ashpër nga Serbia.

Situata u përkeqësua edhe më tej pasi gjykatat kroate më 26 korrik anuluan vendimin e dhënë nga gjykatat komuniste jugosllave në vitin 1946 që dënonin kardinalin katolik kroat Stepinaç të Zagrebit për bashkëpunim. (Stepinaç kishte përkrahur krijimin e NDH-së në vitin 1941.)

Më 28 korrik, gjykatat kroate urdhëruan gjithashtu një rigjykim të Branimir Glavasit, një ish-zyrtar gjeneral i ushtrisë kroate të shpallur fajtor në vitin 2009 për torturim dhe vrasje të civilëve serbë në qytetin e Osijekut në vitin 1991. Ai ishte dënuar me dhjetë vjet burg.

Shkëmbim notash të hidhura diplomatike

Të dy vendet më pas shkëmbyen disa nota diplomatike proteste më 26, 28 dhe 29 korrik.

Pasi mori një notë proteste nga Serbia të martën në lidhje çështjen e kardinalit Stepinaç, ministri i jashtëm i Kroacisë të mërkurën e akuzoi Serbinë se po përpiqej ta destabilizonte atë.

“Është një përpjekje e vogël për të destabilizuar Kroacinë në një periudhë të ndjeshme pas shpërbërjes së Parlamentit dhe para kremtimit të operacionit “Stuhia”. Kjo është një recetë nga vitet 1990, që të kujton presidentin serb të kohës së luftës Sllobodan Millosheviq dhe agresionin për një Serbi të Madhe”, tha Kovaç.

Kovaç i kërkoi Serbisë të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme kroate, duke e quajtur notën e protestës në lidhje me Stepinaçin “një histori e trilluar” dhe shtoi se kardinali ishte “një viktimë e qartë e regjimit komunist”.

Megjithatë, Serbia refuzoi të tërhiqej pas. Duke reaguar me zemërim për rrëzimin e vendimit për Glavasin, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq më 28 korrik tha se pozicioni i serbëve në Kroaci, si edhe i të gjithë serbëve në perëndim të lumit Drina (në Bosnjë dhe në Kroaci) po përkeqësohet nga dita në ditë.

“Detyra jonë është të marrim vendime me përgjegjësi dhe në mënyrë racionale, jo të tregojmë diku tjetër atë lloj urrejtje që ndjejmë. Duhet të veprojmë me përgjegjësi, seriozitet dhe qetësi”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai nuk mund ta kuptonte arsyen për vendimet për Glavasin dhe Stepinaçin.

Ndërkohë ambasadorja serbe në Kroaci, Mira Nikoliç, refuzoi të pranonte një nga notat diplomatike kroate të enjten për shkak se ajo tha se ishin “komente të pavenda”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ambasadorja u desh ta refuzonte ta pranonte notën sepse ajo ofendonte edhe të gjithë Serbinë.

“Ne do të vazhdojmë me politikën tonë të fqinjësisë së mirë, por do të mbrojmë interesat tona”, tha Daçiq në një konferencë të improvizuar për shtyp të enjten në mbrëmje.

“Ne besojmë se kjo është një vazhdimësi e qartë e politikës kroate, e cila shkon drejt rehabilitimit jo vetëm të NDH-së, por edhe të kriminelëve nga lufta e fundit (në vitet 1990).

“Me këtë rast, si edhe për incidentet në Srb dhe shumë incidente të tjera që përshkallëzuan në Kroaci gjatë kohëve të fundit, ne i kemi dërguar një notë proteste Kroacisë”, tha Daçiq.

Në notën e saj më të fundit të protestës të premten, ministri i Jashtëm kroat i bëri thirrje zyrtarëve serbë “të mos përdorin fjalorin e sistemit të dështuar komunist jugosllav dhe të politikës agresive për një Serbi të Madhe nga vitet 1990 që ishte ushtarake dhe moralisht e mposhtur”.

Analisti politik kroat Zarko Puhovski tha për BIRN të premten se shkëmbimi i mesazheve të zemëruara nga të dyja palët reflektonte faktin se asnjë nga palët “nuk e kupton realitetin.”

“Realiteti është se Kroacia (si një anëtare e BE-së) është institucionalisht më superiore se ka qenë ndonjëherë më parë,” tha ai.

“Kroacia nuk e kupton këtë dhe nuk di si të sillet dhe të mos reagojë ndaj provokimeve, ndërsa Serbia thjesht nuk mund ta durojë dot faktin që Kroacia është superiore dhe thjesht e provokon atë.”

Puhovski e përfundoi duke thënë se kjo zënkë nuk kishte aspak lidhje me fushatën për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator në Kroaci, duke shpjeguar atë më shumë si “një fenomen që ekziston prej kohësh dhe që do të vazhdojë të ekzistojë” edhe pasi zgjedhjet të kenë mbaruar.

Gavriloviç në Beograd i shikon ndryshe gjërat. “Të dy shtetet nuk arritën t’i pastronin shoqëritë e tyre nga fashizmi. Ka “fashizizim” të shoqërisë si në Serbi ashtu edhe në Kroaci”, tha ai.

“Megjithatë, nuk mendoj se kjo gjë në Serbi është po aq brutale sa është në Kroaci”, përfundoi ai.