Punësimi në Kosovë akoma në varësi të përkatësisë politike

Diplomatët britanikë thonë se qeveria e Kosovës ka zënë një sërë postesh të nivelit të lartë në sektorin publik gjatë dy viteve të fundit me njerëz me kualifikime të dyshimta, duke mos i kushtuar vëmendje këshillës së dhënë nga ambasada britanike nën një marrëveshje vetingu.

Nga 21 procese rekrutimi që nga marsi 2016, 12 rezultuan në emërimin e kandidatit më të kualifikuar, tha ambasada për BIRN.

“Ne kemi tre raste kur janë emëruar individë që nuk i përmbushnin kriteret e caktuara, në kundërshtim me rekomandimet për kandidatët më të merituar,” tha ambasada në një përgjigje të shkruar fillimisht në shqip.

Shumica e vendeve të lira të punës mbetën pa u zënë.

Të tre rastet tregojnë se rekrutimi i punonjësve në sektorin publik vazhdon të jetë subjekt i ndërhyrjes politike në Kosovë.

Në 2016, ambasada britanike nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Kosovën për ta ndihmuar atë në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies në rekrutimin e stafit të lartë të sektorit publik.

Ambasada, në një përgjigje me shkrim për BIRN, nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse nepotizmi apo ndërhyrja politike në sektorin publik të Kosovës po përkeqësohej, duke thënë vetëm:

“Janë shtetasit e Kosovës dhe ju, shoqëria civile dhe media, që duhet të vlerësoni nëse ka apo jo ndonjë përmirësim në të gjithë sistemin.”

Rezultatet e vetë monitorimit të BIRN nuk janë aspak inkurajuese.

Mbajtja e pozicionit të punës në familje

Në shkurt, pavarësisht mungesës së kualifikimeve të nevojshme, Ekrem Kastrati u emërua sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, kundër rekomandimeve të ambasadës britanike. Ministria kontrollohet nga Nisma Social Demokratike, NISMA. Posti i fundit i Kastratit ishte si drejtor komune në Malishevë, një komunë e drejtuar nga NISMA.

Gjithashtu në shkurt, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të kontrolluar nga NISMA, qeveria emëroi Burim Rrecaj, një anëtar i NISMA-s, si sekretar të përgjithshëm, pavarësisht dështimit të tij për të treguar kualifikime apo eksperiencë të mjaftueshme. Ambasada britanike e kundërshtoi emërimin e tij.

Rrecaj u pezullua në shtator nga ministri i atëhershëm Bajram Hasani pas akuzave për shfrytëzim posti. Hasani u përjashtua nga NISMA ditë më vonë dhe zëvendësuesja e tij, Arbëreshë Krasniqi, riktheu në punë Rreçajn.

Ministri i ri, i zgjedhur nga NISMA, është Endrit Shala, një ndihmës i afërt i liderit të partisë Fatmir Limaj. Dhëndri i Limaj, Veron Selmani, iu bashkua ministrisë në mars, ndërsa djali i Limajt, Durimi, është gjithashtu i punësuar në ministri si këshilltar.

Kryeministri Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e të cilit është në koalicion me NISMA-n, ka pranuar se jo të gjitha proceset e rekrutimit shkuan si do të kishte dëshiruar ai dhe ka këmbëngulur se ai dëshiron një sistem punësimi të bazuar te merita.

Minierat, telekomunikacioni

Emërimet politike gjithashtu dëmtuan procese të tjera të rekrutimit në sektorin publik, nga minierat te telekomunikacioni.

Ambasada britanike u mbajt larg zgjedhjes së një bordi të ri në kompleksin e minierës së Trepçës në prill.

Qeveria e mbajti sekret listën e anëtarëve të propozuar të bordit derisa ata u zgjodhën. Nga gjashtë të zgjedhurit, të paktën gjysma kishin lidhje politike – me bashkë-qeverisësen AAK, NISMA dhe Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, të presidentit Hashim Thaçi.

Sipas ligjit, anëtarët e bordit nuk mund të jenë anëtarë të ndonjë partie politike dhe nuk duhet të kenë mbajtur ndonjë post të zgjedhur ose partie politike për tri vitet e mëparshme.

“Fillimisht, ne u përfshimë në proces, duke ndihmuar në përgatitjen e thirrjes, por më pas, me kërkesë të qeverisë, neve na hoqën,” tha ambasada britanike për BIRN në prill.

Dhe në Telekomin e Kosovës, BIRN, zbuloi se gjashtë emra ishin shtuar në listën e propozuar nga një komision qeveritar për bordin e kompanisë nën rrethana të paqarta. Lista fillestare përmbante 12 emra, por u zgjerua në 18 të tillë kur u dërgua në zyrën e kryeministrit.

Sipas ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, vetëm tre nga gjashtë anëtarët e bordit të emëruar në mars meritonin të arrinin fazën përfundimtare të procesit të përzgjedhjes.