Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Operatorit telefonik serb i kërkohet përdorimi i kodit shtetëror +383

Një operator i përkohshëm telefonik serb në Kosovë duhet të punojë në implementimin e kodit shtetëror telefonik të Kosovës ose do të pësojë sanksione ekonomike.

Me marrëveshjen e arritur më 13 nëntor të vitit 2016  në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, u vendos që Kosovës t’i takojë kodi shtetëror telefonik me kusht që në periudhën e tranzicionit drejt këtij kodi në Kosovë të funksionojë një kompani e përkohshme e quajtur Mts D.O.O

Më 15 dhjetor të vitit 2016, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ndau për Kosovën kodin +383 si kod shtetëror i cili pritet të implementohet tërësisht këtë vit.
Në vendimin e  Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për shtyrje të afatit të implementimit të kodit shtetëror ishte përmendur se operatori serb nuk kishte bërë lëvizje në drejtim të implementimit të kodit shtetëror.

KALLXO.com kishte raportuar se kjo kompani që shërben si operator i përkohshëm telefonik në Kosovë është në pronësi të Qeverisë së Serbisë.

Për funksionim e këtij operatori që sipas ARKEP funksionin në hapësirë të kufizuar, ishin ndarë 60 mijë numra.

Në përgjigjen për KALLXO.com nga Kryetari i ARKEP, Kreshnik Gashi,  listohen kompetencat e këtij operatori telefonik në Kosovë.

“ARKEP, dëshiron të ritheksoj edhe njëherë, sa i përket shërbimeve të telefonisë mobile, operatori mts D.O.O. nuk konsiderohet si operator i tretë, pasi që autorizimi i lëshuar (në përputhje me marrëveshjen e Telekomunikacionit në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë) është i përkohshëm dhe operatori në fjalë ka të drejtë të ofroj shërbime vetëm në kuadër të infrastrukturës së kufizuar, e cila shtrihet kryesisht në pjesën e veriore të Kosovës. Pra, kjo ndërmarrje NUK ka të drejtë të zgjeroj dhe shtrij infrastrukturën në tërë territorin e Republikës së Kosovës për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile”, thotë Gashi

Sipas këtij autoriteti, ky operator ka hapur mundësinë për thirrje në 383 dhe mbetet të verifikohet nëse ky kod po përdoret për këto thirrje.

S“Ndërmarrja mts D.O.O është duke operuar dhe në funksion të implementimit të kodit shtetëror 383, ARKEP më datë 16/04/2018 me Vendimin nr. 1169 (Ref. Nr.Prot.014/B/18) i ka caktuar ndërmarrjes mts D.O.O. kodin ISPC 7-214-7 (shprehur në decimal 16055). Sipas njoftimit të kësaj ndërmarrje, tashmë ekziston mundësia për terminimin e trafikut në 383, megjithatë kjo do të verifikohet shpejt nga ARKEP”, tha ai.

Sipas Gashit, për operatorin MTS. D.O.O por edhe për operatorët e tjerë që funksionojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës do të ketë sanksione nëse kodi  +383 nuk implementohet tërësisht deri në fund të tetorit të këtij viti.

“Pas analizimit të ecurisë së deritashme të procesit të implementimit të kodit 383 të caktuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), gjendjes në tregun e komunikimeve elektronike, si dhe pas shqyrtimit të kërkesave të operatorëve për kohë shtesë për përfundimin të këtij procesi, ARKEP përmes Vendimit nr.1198 (Ref. Nr.Prot. 033/B/18) ka shtyrë afatin për implementimin e kodit 383 deri më 31 Tetor 2018 për rrjetet e telefonisë mobile dhe 30 ditë për rrjetet e telefonisë fikse, në rast të mospërmbushjes do të shqiptohet sanksioni ekonomik”, tha ai.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të këtij viti po ajo është shtyrë për datën 31 tetor, me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe ‘IPKO’ të cilët po kanë probleme në kalimin në këtë kod.

Telekomi i Kosovës ka thënë se kostoja e implementimit të plotë të kodit shtetëror 383 shkon deri në 5 milionë euro. Edhe IPKO ka thënë se implementimi i kodit 383 ka kosto shtesë për ta, por nuk kanë përmendur asnjë shifër. Kostoja është vetëm njëra nga arsyetimet që ata ia kanë paraqitur ARKEP-it për t’i bindur ata që të shtojnë afatin e kalimit të plotë në kodin shtetërore 383.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me arsyet e operatorëve për kërkesën për shtyrje të afatit të implementimit të kodit shtetëror.

Sfidat e 383-shit