+383 Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com
Arsyet e ‘IPKO-s’ dhe Telekomit për shtyrjen e implemetimit të kodit +383
Telekomi i Kosovës ka thënë se kostoja e implementimit të plotë të kodit shtetëror 383 shkon deri në 5 milionë euro. Edhe IPKO ka thënë se implementimi i kodit 383 ka kosto shtesë për ta, por nuk kanë përmendur asnjë shifër. Kostoja është vetëm njëra nga arsyetimet që ata ia kanë paraqitur ARKEP-it për t’i bindur ata që të shtojnë afatin e kalimit të plotë në kodin shtetërore 383.
Telekomi i Kosovës dhe ‘IPKO’ janë dy operatorët vendorë telefonikë që kanë raportuar tek Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) për progresin që kanë arritur me implementimi e kodit shtetëror telefonik për të cilin kanë kërkuar afat shtesë.
ARKEP ka shpjeguar se ‘i tërë procesi i migrimit, i përshkruar në mënyrë të detajuar në dokumentin teknik “Plani i Migrimit” përfshinë 2 faza. Faza e parë ka të bëjë me atë që është më e “dukshme” për publikun në përgjithësi, e cila i referohet implementimit të kodit +383. Kjo fazë është më e lehtë dhe nuk kërkon investime të mëdha.
Sa i përket fazës së dytë, e cila ka të bëjë me implementimin e kodit mobil shtetëror MCC: 221 ajo është më e komplikuar dhe kërkon investime më të mëdha nga operatorët e telefonisë mobile (ndërrimi i një pjese të konsiderueshme të SIM kartelave, pastaj marrëveshjet e reja të roamingut ndërkombëtar, etj.).
IPKO dhe ‘Telekomi i Kosovës’ i kanë listuar sfidat dhe arritjet në procesin e implementimit të 383-shit në raportimet e bëra në ARKEP.
Sipas ARKEP, ky institucion ka komunikuar në vazhdimësi me operatorët telefonikë duke kërkuar raporte mbi procesin e implementimit.
“Para së gjithash, në përcaktimin e afateve kohore është marrë parasysh kërkesa e operatorëve, si bartësit kryesor të procesit të implementimit të kodeve si dhe gjendja aktuale në tregun e komunikimeve elektronike në mënyrë që i tërë procesi të jetë sa më i lehtë dhe po ashtu sa më i shpejtë”, thuhet në përgjigjen e ARKEP për KALLXO.com.
Sipas ARKEP, të gjithë operatorët kanë qenë të njoftuar paraprakisht në detaje për afatet kohore të implementimit, por operatorë kanë shfaqur sfida dhe problematike në këtë proces.
Arsyetimi i Telekomit të Kosovës për shtyrjen e afatit
Në raportin drejtuar ARKEP-it, Telekomi i Kosovës ka listuar disa nga sfidat e implementimit të kodit shtetëror telefonik.
Sipas këtij raporti ‘përqindja e trafikut ndërkombëtar në ardhje në kodin 383 është e vogël: 7.6% në fiks dhe 4.9% në mobil’.
Megjithatë Telekomi ka arritur marrëveshje me 383 operatorë të huaj për hapjen e trafikut telefonik në kodin 383.
Çmimet me shumicë drejt kodit 383 janë të njëjta si ato me kodet paraprake dhe Telekomi ka marrëveshje Hubbingu me Monaco Telecomin për rutimin e trafikut ndërkombëtar për telefoninë mobile.
Sipas Telekomit nevojitet kohë shtesë për implementimin e plotë të kodeve E.164 dhe Q.708 dhe E.212.
Kjo ndërmarrje ka specifikuar pjesët të cilat kanë kosto, si dhe ka paraqitur vlerën prej 5 milionë euro si kosto e përgjithshme (3.5 milionë për implementimin e kodeve dhe 1.5 milionë për ndërrimin e SIM kartelave) për implementimin e kodeve duke përmendur këtu problemet financiare me të cilat po përballet.
Sipas këtij raporti, Telekomi nuk ka kërkuar datë specifike për shtyrjen e afatit por vetëm ka bërë kërkesë për shtyrje.
Arsyetimi i ‘IPKO’-s për shtyrjen e afatit
Operatori telefonik ‘IPKO’ ndryshe nga Telekomi i Kosovës ka raportuar trafik edhe më të vogël telefonik në kodin shtetëror.
“Përqindja e trafikut ndërkombëtar në ardhje në kodin 383 është shumë e vogël 2.64%; Deri më tani 210 operatorë kanë hapur trafikun në drejtim të kodit 383, megjithatë sfidë mbetet numri i operatorëve që e kanë hapur trafikun për SMS. Po ashtu një sfidë tjetër mbetet se ekzistojnë ende operatorë të mëdhej si Vodafone Group që ende nuk e kanë hapur trafikun për kodin 383”, thuhet në raportin e IPKO-s.
Sipas ‘IPKO-s’ Çmimet me shumicë drejt kodit 383 janë të njëjta si ato me kodet paraprake. Po ashtu i vetmi operator për bartjen e trafikut ndërkombëtar mbetet Telekom Sllovenije.
IPKO ka specifikuar pjesët të cilat kanë kosto, mirëpo nuk ka paraqitur një vlerë rreth kostos së përgjithshme ndërsa sfidë mbetet vështirësitë në negociatat me operatorët ndërkombëtar për roaming.
Ndryshe nga Telekomi, IPKO ka kërkuar që afati i fundit kur duhet të bëhet implementimi i tërësishëm i kodit 383 të jetë në fund të dhjetorit.
ARKEP megjithatë kishte marrë vendim që afati i implementimit të kodit të shtyhet vetëm deri në fund të tetorit të këtij viti.
Kreshnik Gashi, Drejtor i ARKEP-it kishte deklaruar për KALLXO.com se pas kësaj nuk do të lejojnë shtyrje të tjera.
“Ne kemi konkluduar që fundi i tetorit të jetë afati optimal dhe nuk do të ketë shtyrje tjera. Ne mendojnë që nëse nuk implementohet deri në atë kohë, idea apo diskutimet brenda ARKEP-it janë që pasojnë penalltitë apo dënimet”, kishte thënë Gashi.