Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Shtyhet implementimi i kodit shtetëror telefonik +383

Në Kosovë do të vazhdojnë të realizohen thirrje nga tre kode të ndryshme shtetërore së paku deri në fund të tetorit.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të këtij viti po ajo u shtye me kërkesë të dy operatorëve telefonikë, Telekomi i Kosovës dhe ‘IPKO’ të cilët po kanë probleme në kalimin në këtë kod.

Sipas vendimit të marrë nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare thuhet se Telekomi i Kosovës në veçanti pati probleme që ‘përveç tjerash po përballet me probleme financiare’.

Kreshnik Gashi, Drejtor i ARKEP-it tha për KALLXO.com se pas kësaj nuk do të lejojnë shtyrje të tjera.

“Ne kemi konkluduar që fundi i tetorit të jetë afati optimal dhe nuk do të ketë shtyrje tjera. Ne mendojnë që nëse nuk implementohet deri në atë kohë, idea apo diskutimet brenda ARKEP-it janë që pasojnë penalltitë apo dënimet”, tha Gashi.

Ai po ashtu tha se kanë marrë parasysh gjendjen financiare të ndërrmarjes publike të Telekomit të Kosovës për të lejuar këtë shtyrje.

“Duke pasur parasysh situatën e Telekomit ne i kemi pasur dy zgjidhje, ose të fillojmë me dënime që nuk do të ishte e arsyeshme. Duhet pasur parasysh që procesi i implemetimit të kodit është mjaft kompleks. Konsiderojmë që deri 31 tetor është kohë e mjaftueshme. Është në dëm të Kosovës të shfrytëzohen kodet e tjera kur kemi mundësi ta implemetojmë”, tha Gashi.

Në vendimin e ARKEP po ashtu kërkohet nga të gjithë operatorët që nuk kanë bërë implementimin e tërësishëm të kodit shtetëror në telefoninë fikse ta bëjnë këtë sa më herët.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Që nga ajo kohë ishte paralajmëruar një periudhë në maksimum 18 muaj për ‘migrimin’ e sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377( e përdorur nga Vala) dhe +386 ( e përdorur nga IPKO) dhe edhe më pak se kaq për zhdukjen e kodit për telefoni fikse +381.

+381-shit përfundimisht i erdhi fundi më 24 mars të këtij viti.

Ndërsa periudha e ekzistimit të kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor të këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata ti hapin ‘routat’, për thirrje ndërkomëbtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar sfidat e implementimit të kodit shtetëror +383

 

Sfidat e 383-shit