Ilustrim

Investimet në Kryptovaluta në Rrezik nga Kodi Shtetëror Telefonik

Implementimi i plotë i kodit shtetëror telefonik të Kosovës, +383 paraqet frikë tek investuesit kosovarë që kanë investuar në kryptovaluta.

Qershori pritet të jetë muaji i fundit kur në Kosovë funksionojnë kodet telefonike +377 dhe +386 pasi kodi i vetëm funksional për thirrje ndërkombëtare do të jetë ai shtetëror +383.

Megjithëse kodi shtetëror që buroi nga marrëveshja e arritur në dialogun Kosoë-Serbi u prit me entuziazëm, kjo po shihet si problematike nga kosovarët që kanë kuleta dixhitale (wallets) në platformat online të kryptovalutave.

Ermal Sadiku,  njohës i kësaj fushe tha për KALLXO.com se shumë kuleta dixhitale janë të konfiguruara përmes numrit të telefonit dhe në rastin e zhdukjes së kodeve të tjera, paraqitet rreziku për bllokimin  e tyre.

“Ato walleta qe janë të konfigurara me kod telefonik, dmth që verifikimin e kanë me numër të telefonit, do të kenë probleme me rastin e ndërprerjes së shërbimeve +377 dhe +386. Sidomos ata që kanë p.sh 2 Step verification me SMS (verifikim dy hapësh përmes SMS), nuk do të mund të qasen në walleta.”, tha Sadiku.

Sadiku ka bërë thirrje për kujdes nga investuesit në kryptovaluta dhe nga institucionet për zgjidhjen e këtij problemi eventual.

“Duhet të alarmohen njerëzit që ata ti rregullojnë këto verifikime para qershorit dhe duhet të  rregullohet nje metodë/marrëveshje për t’i i forwarduar SMS-at në numrat e vjetër”, tha ai.

KALLXO.com ka pyetur edhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimive Elektronike dhe Postare (ARKEP) lidhur me këtë çështje por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje nga ta.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar procesin e arritjes së marrëveshjes për kodin shtetëror.

Kronikë e një Licence të Paralajmëruar