Ligjvënësit kosovarë bëjnë lojë politike me të dhëna personale

Ligjvënësit në Kosovë kanë hequr dorë nga marrëveshja me Britaninë për zgjedhjen e një komisioneri të pavarur për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. 

 

Të dhënat personale dhe e drejta e qasjes në informata publike mbetet, në masë të madhe, e pambrojtur në Kosovë pas dështimit të sërishëm nga ana e Kuvendit që ta përzgjedhë një Komisioner për Agjencinë për Informim dhe Privatësi, AIP. 

AIP ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’ia delegojë drejtorit të kësaj agjencie, Bujar Sadikut, kompetencat e Komisionerit e Agjencisë përkundër procesit të dështuar të rekrutimit për këtë pozitë. 

Kërkesa u refuzua nga Komisioni parlamentar për Çështjet e Sigurisë si e paligjshme, megjithatë, edhe grupet e shoqërisë civile të enjten i kërkuan publikisht Kryesisë së Kuvendit, veçanërisht Kryetares, Vjosa Osmanit, të ishte e kujdesshme dhe të injoronte kërkesa të tilla të paligjshme.

Më 14 gusht, asnjë nga tre kandidatët për këtë post nuk ia doli t’i marrë 61 votat e kërkuara, hera e tretë në dy vjet që kuvendi dështoi në emërimin e një Komisioneri, dështim ky të cilin analistët ia atribuojnë interesave të ngushta politike. Ambasada britanike, e cila ka ndihmuar në procesin e rekrutimit, tha se ekspertët britanikë janë tërhequr.

Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, e cila vullnetarisht ka monitoruar procesin e rekrutimit, deklaroi se vendimi i britanikëve ishte vendim i mirë porse ishte “lajm i keq” për Kosovën.

“Nuk ka logjikë, as financiare e as politike, që një aleat të investojë kaq shumë në një proces qartësisht të politizuar,” i tha Kusari BIRN.

Në pesë vitet e ekzistencës së saj, “agjencia ka dështuar që nga fillimi për ti mbrojtur të dhënat tona personale”, tha ajo. “Nëse posti i Komisionerit do të politizohet, ai/ajo mund të bëhet një censurues i informacionit publik, duke qenë i pranueshëm/kënaqshëm për politikanët.”

Duke filluar ‘nga zero’

Pa një Komisioner, Kosova nuk ka mekanizëm institucional për ta zbatuar Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Dy përpjekjet e para për ta emëruar një Komisioner dështuan në muajt maj dhe korrik të vitit të kaluar për shkak të rrëzimit të qeverisë së atëhershme dhe shpërbërjes së kuvendit për shkak se kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen pas ftesës për tu marrë në pyetje nga prokurorët e krimeve të luftës në Hagë.

Në një mungesë të një Komisioneri, qytetarët e Kosovës nuk kanë mekanizma institucional për t’u ankuar dhe për të kërkuar drejtësi nëse një organ publik ose privat shkel të drejtat e tyre për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale ose qasjen në informata. Grupet e shoqërisë civile thonë se pa një mbikëqyrës të pavarur, agjencia mund të bëhet e njëanshme në gjobitjen e institucioneve ose zyrtarëve të veçantë.

AIP nuk është në gjendje të vendosë gjoba për organet që shkelin ligjin për shkak të mungesës së akteve të caktuara të brendshme që duhet të nënshkruhen dhe dorëzohen në qeveri nga Komisioneri, deklaroi për BIRN Jeton Arifi, udhëheqës i fushës/shtyllës për Qasjen në Dokumente Publike në këtë agjenci. 

Ta zëmë, nëse një bankë zbulon aksidentalisht apo edhe qëllimisht detajet e llogarisë së një klienti, ai klient do të duhej ta padisë atë bankë në gjykatë, një proces i gjatë dhe, potencialisht, i shtrenjtë gjatë të cilit banka do të mund të vazhdonte të shkelte ligjin.

“Dështimi i vazhdueshëm për ta zgjedhur Udhëheqësin e autoritetit tonë po vazhdon të shkaktojë pasoja në zgjatjen e proceseve të brendshme, të cilat duhet të ishin përfunduar brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit përkatës,” i tha Arifi BIRN. Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka hyrë në fuqi me 11 Mars, 2019.

 

Kandidatët e miratuar nga britanikët 

Dymbëdhjetë persona kanë aplikuar për këtë post, të reduktuar në pesë sosh pas marrjes në shqyrtim të aplikacioneve. Secili prej pesë kandidatëve ka kaluar përmes një procesi intervistimi dyditor, pas së cilës një komision ka zgjedhur tre prej tyre për procesim të mëtejshëm në parlament.

Ata ishin Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva-Dermaku dhe Muharrem Mustafa. Sadiku dhe Sogojeva-Dermaku kishin marrë miratimin e Ambasadës Britanike si kandidatët më të mirë.

 

Politikanët mund ta ‘rrëmbejnë’ procesin

Pa një Komisioner, AIP është, po ashtu, e paaftë për të rekrutuar staf dhe si pasojë ka qenë e detyruar ta stopojë një projekt të përbashkët me Gjermaninë dhe Letoninë. 

“Tani, gjithçka do të fillojë përsëri nga zero,” tha Fatmire Mulhaxha Kollçaku, e cila kryeson Komisionin e Parlamentit për Siguri dhe Mbrojtje dhe e cila ishte udhëheqëse e panelit intervistues për postin e Komisionerit.

“Për sa kohë që nuk kemi një institucion të pavarur me një Komision kompetent, ne kemi dy ligje të pazbatueshme,” tha Mulhaxha Kollçaku duke pyetur njëkohësisht se si do të vazhdojë tutje procesi i rekrutimit pa përfshirjen britanike.

Më 17 gusht, ambasada britanike ka deklaruar se nuk do të shpenzonjë paratë e taksapaguesve britanikë duke e përsëritur një proces i cili tashmë ishte kryer siç duhet, por që nuk arriti të përfundonte me emërimin e një Komisioneri. Sipas marrëveshjes me këtë ambasadë, kuvendi është i detyruar ti japë përkrahjen një kandidati të miratuar nga ana e tyre.

“Mosemërimi i ndonjërit prej tyre vë në pikëpyetje zotimin e deklaruar të partive politike për ta zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit (Memorandum Mirëkuptimi) me Ambasadën Britanike por, më e rëndësishmja, dërgon një sinjal negativ tek profesionistët e pavarur në Kosovë dhe tek shpresat e tyre për të kontribuuar në institucionet e Kosovës,” tha ambasada.

“Çdo emërim publik duhet të marrë parasysh vetëm interesat e vendit dhe qytetarëve të tij, dhe jo interesin e ngushtë partiak.”

Pa përfshirjen britanike, politikanët mund ta “rrëmbejnë procesin dhe të përzgjedhin njerëz të përfshirë politikisht dhe pa aftësi aktuale për postin në fjalë”, paralajmëron Kusari.

Taulant Hoxha, kryeshef ekezekutiv i OJQ-së ‘Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile’, i cili përkrahë zhvillimin e shoqërisë civile me fokus në integrimin në BE, deklaroi për BIRN:

“Është i dhimbshëm fakti që Kuvendi i Kosovës duhet të nënshkruajë marrëveshje sigurie me ambasadat e huaja në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë përzgjedhjen e një Komisioneri. Do të kishte kuptim që vetëm burimet njerëzore, teknike dhe metodologjike të sigurohen me fonde nga Ambasada Britanike sepse Kuvendi i Kosovës është një institucion i ri. ”