Foto: KALLXO.com

Raporti i AIP-së: Gjykata dhe Prokuroria e Prishtinës me më së shumti ankesa krahasuar me të tjerat

Në kuadër të Javës së Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi, sot ka mbajtur një konferencë me gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të mediave e organizatave të shoqërisë civile.

Në këtë konferencë është paraqitur numri i ankesave që janë bërë ndaj prokurorive dhe gjykatave në vend. Sipas një raportit të AIP-së, gjatë vitit 2022, Gjykata e Prishtinës ka pranuar më së shumti ankesa krahasuar me gjykatat e tjera, gjithsej pesë. Pas asaj të Prishtinës radhitet ajo e Gjilanit me dy ankea, e më pas ajo e Pejës me vetëm një ankesë.

Edhe në nivelin e prokurorive prin ajo e Prishtinës me më së shumti ankesa në vitin 2022, gjithsej pesë. Kjo prokurori pasohet më pas nga Prokuroria Speciale me dy ankesa e me nga një ankesë radhiten Prokuroria e Shtetit dhe ajo në Gjilan.

Ndaj Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial janë deponuar nga dy ankesa për secilin.

Në raport është thënë se në total numri u ankesave të shqyrtuara nga AIP gjatë këtij viti për gjykata dhe prokurori arrin në 21 ankesa.

Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë Krenare Sogojeva-Dërmaku – komisionere e AIP-së; Enver Dugolli – nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri; Lars-Gunnar Wigemark – Shef i Misionit EULEX; Agron Qalaj – prokuror në Zyrën e Prokurorit të Shtetit; Kreshnik Gashi nga BIRN dhe Bujar Vitija nga Gazeta Shneta.

Komisionerja Sogojeva tha se zbatimi i ligjit për qasje në dokumente publike e rrit besueshmërinë e çdo institucioni.

“Qasja sa më e lehtë në dokumente publike, krijon bazën e një sistemi të hapur që shënon demokraci” – tha ajo.

Ndërsa shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se institucionet duhet t’i bëjnë publikojnë dokumentet që janë publike.

“Nuk duhet të harrojmë që e drejta në informim, për të pasur qasje në dokumente publike i takon gjithsecilit” – tha ai.

Sipas nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Siguri, Enver Dugolli, Agjencia për Informim dhe Privatësi është duke e kryer punën mirë.

“Jemi të lumtur që besimin e deputetëve komisionerët po e shpërblejnë me punë. Agjencia po e kryen detyrën e vetë dhe punën për çka iu është besuar” – tha Dugolli.

Agron Qalaj, prokuror i shtetit tha se kjo konferencë vë në pah bashkëpunimin në mes institucioneve. Ai tregoi se transparenca që nganjëherë kërkohet nga ana e tyre nuk mund të jepet për shkak të natyrës së rasteve.

“Dokumenti publik në momentin që karakterizohet si publik është edhe në interes tonin që të jetë sa më transparentë, mirëpo deri në atë moment ne mundohemi që këto dokumente të mos e bëhen publike me qëllim që të mos dëmtohen hetimet” – tha Qalaj.

Ai tregoi se janë shumë të kujdesshëm se çfarë të japin për publikun.

Gazetari hulumtues, Kreshnik Gashi, tha se duhet të flitet për aspektin se sa janë institucionet të mbrojtura nga sulmet hibride dhe nga parandalimi i abuzimit me të dhëna. Sipas Gashit, sot Kosova është vend shumë më i mirë pasi zyrtarët e dinë që në momentin kur e prodhojnë një dokument, ai dokument mund të dalë në publik.

Ai tha se transparenca në Kosovë është më mirë se vendet e tjera në rajon.

“Standardet e transparencës ne gjyqësor janë shumë më të larta se në krejt rajonin” – ka thënë Gashi.

Sipas gazetarit hulumtues, publikimi i dokumenteve ka bërë që të përmirësohet edhe puna e prokurorëve e gjyqtarëve.

“Sot gjyqtarët e Kosovës janë transparentë, seancat sot lejohet të transmetohen drejtpërdrejtë” – tha Gashi.

Mirëpo, ai tregoi se kërkohet dhe mendohet që këto seanca duhet të redaktohen nga ana e gjyqtarëve, me qëllim të parandalimit të abuzimit të të dhënave.

Sipas Gashit, nga ana e gjykatave dhe prokurorive duhet të anulohen edhe standardet e dyfishta.

Gashi tregoi se të dy palët, gazetarët dhe qytetarët e edhe prokurorët e gjyqtarët duhet të edukohen dhe të dinë se deri ku shkon transparenca.

Në anën tjetër, gazetari i Gazetës Shneta, Bujar Vitija foli për rastet kur institucionet nuk bashkëpunojnë me media, kur nuk i duhen në aktivitetet e tyre dhe kur i refuzojnë pyetjet.

Ai tha se ka raste kur institucionet nuk bashkëpunojnë me ta edhe në momentin kur atyre iu dërgohen të dhëna të bazuara për ndonjë proces të ndonjë hetimi.