Foto: BE

Gjarpërimi i dialogut me Serbinë, nga ai teknik te korrigjimi i kufijve

Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë kishin filluar dialogun në vitin 2011. Në atë kohë, dialogu konsiderohej “teknik”.

Qeveria e Kosovës pranoi si obligim ndërkombëtar për të hyrë në dialogun teknik ndërshtetëror pas votimit të një Rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me 9 shtator të vitit 2010.

Kjo Rezolutë erdhi pasi Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi konfirmoi ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 22 korrik 2010.

Për fillimin e dialogut në mes dy shteteve, ekzekutivi i atëhershëm kosovar nxori edhe një Rezolutë në Kuvendin e Kosovës me datë 10 mars 2011. Kështu filloi gjithçka në dialogun në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i parë, informues, ndërmjet dy shteteve, ndodhi një ditë më herët, pra më 9 mars 2011. Qeveria e Kosovës, që atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi e bëri Edita Tahirin ministre të Dalogut dhe udhëheqëse të dialogut në Bruksel.

Në anën tjetër, delegacioni serb udhëhiqej nga Borko Stefanoviq, i emëruar special i Qeverisë së Serbisë për dialog.

Faza e parë e dialogut rezultoi me shtatë marrëveshje të arritura: Lëvizja e lirë, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit/Marrëveshja e IBM-it, regjistrat kadastralë, regjistrat civilë, përfaqësimin rajonal, njohjen e diplomave, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të vulave doganore.

Ndërsa, u diskutuan edhe çështjet që lidheshin me telekomunikacionin dhe energjinë.

Faza e parë e dialogut në mes dy shteteve zgjati deri në fund të vitit 2012.

Ndonëse u tha tërë kohën se dialogu ishte teknik, ai u pasua me dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Ndërkaq, në tetor të vitit 2012, Kuvendi i Kosovës nxori një Rezolutë të re për të mandatuar Qeverinë e Kosovës si udhëheqëse të dialogut politik tashmë. Siç parashihte Rezoluta e parë, edhe e dyta parashihnin dhe obligonin ekzekutivin kosovar të raportonte para ligjvënësve dhe marrëveshjet për normalizim do të duheshin të ratifikoheshin në Parlament.

Si kryeministër i atëhershëm, Hashim Thaçi, më 19 tetor të vitit 2012 pati takimin e parë me kryeministrin e atëkohshëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Takimi për dialog politik, që u quajt edhe dialog për normalizim, u mbajt në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Takimet mes kryeministrash u mbajtën deri më 10 prill të vitit 2013, kur edhe u njoftua se dy krerët e qeverive, të Kosovës dhe asaj të Serbisë, u morën vesh për një marrëveshje, e njohur si “Marrëveshja e Brukselit”. Lajmin për këtë ujdi e dha ish- shefja e politikes së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila deklaroi se Kosova dhe Serbia tashmë i janë afruar një hap më afër Europës.

Pas kthimit nga Brukseli, ish- kryeministri Thaçi u tha qytetarëve të vendit se marrëveshja e arritur në mes dy shteteve do të normalizojë veriun e Kosovës dhe do ta inkuadrojë atë në ligjet e vendit. Edhe pas gjatë viteve, normalizimi i veriut mbetet sfidë për institucionet e shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Rezolutën e tretë për dialogun. Më 22 prill 2013, deputetët votuan pro një Rezolute me anë të së cilës Parlamenti shprehu pëlqimin dhe përkrahjen për nënshkrimin e marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve. Kjo Marrëveshje më pas u ratifikua më 27 qershor 2013 në Kuvendin e Kosovës me votën e 2/3 të deputetëve si marrëveshje ndërkombëtare. Kjo është edhe marrëveshja e vetme e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi e cila u ratifikua në Kuvendin e Kosovës.

Ujdia pesëmbëdhjetë pikëshe e 19 prillit 2013 në pjesën më të madhe të saj adreson integrimin e komunitetit serb veçanërisht komunave veriore të Kosovës në këmbim të krijimit të Asociacionit së komunave me shumicë serbe.

Kundër kësaj marrëveshjeje doli fuqishëm partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti në korrik të vitit 2013 e çoi atë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese refuzoi interpretimin e marrëveshjes së 19 prillit me arsyetimin se vlerësimi i kësaj marrëveshjeje dhe planit të zbatimit “bie jashtë fushëveprimit të juridiksionit ratione materiale të gjykatës”.

Dialogu me ish-kryeministrin Isa Mustafa

Dialogu u përfshi nga një pauzë për shkak të ndryshimeve politike brenda shteteve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe në udhëheqjen e BE-së përgjatë disa muajve të vitit 2014.

Në Kosovë më 8 dhjetor 2014, kryeministër ishte bërë Isa Mustafa, aktualisht kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mustafës i kishte rënë hise që takimet në dialogun e Brukselit t’i bëjë me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq.

Pas disa takimeve të përbashkëta negociuese, ata kishin arritur një paketë, e njohur si Marrëveshjet e Brukselit, ku u përfshinë: marrëveshja për energjinë, telekomunikacionin, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe lëvizjes së lirë/Urës së Mitrovicës.

Arritja e këtyre ujdive gëzoi fortë Federica Mogherinin, shefen e re për politikë të jashtme të BE-së. Ajo pati deklaruar se këto marrëveshje ishin “si kthesë për avancimin e agjendës së dialogut Kosovë-Serbi duke shënuar një të arritur të madhe në procesin e normalizimit”.

Por, marrëveshjet që arriti Isa Mustafa në Bruksel nuk u mirëpritën mirë në Prishtinë. Ndonëse ish- shefi i ekzekutivit kishte thënë se Asociacioni do të kishte kompetenca të një OJQ-je, pala serbe deklaroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të ketë kompetenca ekzekutive.

Marrëveshja për Asociacionin ngjalli shumë reagime në vend. Opozita nuk kurseu as gazin lotsjellës për të kundërshtuar këtë ujdi në mes Kosovës dhe Serbisë. Përveç gazit, opozita e atëhershme pati organizuar edhe protesta dhe pati mbledhur rreth 200 mijë nënshkrime në një peticion kundërshtues për marrëveshjen e asociacionit dhe demarkacionit. Pamjet që u shfaqën me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovën qarkulluan në shumë media ndërkombëtare.

Zgjidhja për marrëveshjen e Asociacionit u kërkua në Gjykatën Kushtetuese. Në tetor të vitit 2015, presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga kërkoi nga Kushtetuesja interpretimin e përputhshmërisë së parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në aktgjykimin e saj të datës 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese konstatoi se parimet, siç janë treguar në “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosove-Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, duke kërkuar që vendimet lidhur me Bashkësinë/ Asociacionin, statuti dhe akti ligjor shoqërues nga qeveria, të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën. Situata politike në Kosovë nuk u duk e qëndrueshme për disa muaj me radhë.

Në mars të vitit 2017, Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë e cila kërkonte pezullimin e procesit të dialogut deri në lirimin e kryeministrit aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ishte ndaluar në shtetin francez në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga shteti serb.

Pas kësaj Rezolute, nuk pati asnjë takim më në Bruksel për dialogun Kosovë- Serbi.

Në maj të vitit 2017 ishte rrëzuar Qeveria e Isa Mustafës. Kështu, vendi shkoi në zgjedhje dhe deri në formimin e ekzekutivit të ri nuk u mbajt asnjë takim ndërmjet dy vendeve.

“Tërheqja taktike” e Haradinajt nga dialogu Kosovë- Serbi

Që kur erdhi në krye të Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj kishte deklaruar se nuk do të donte të përfshihej në negociatat Kosovë- Serbi. Ai ishte pajtuar që dialogun ta udhëheq kreu i shtetit, Hashim Thaçi.

“Unë jam dakord që presidenti të përfaqësojë në dialog, por kemi kërkuar një platformë për dialogun e përgatitur nga Qeveria, ekspertë t’iu paraqitet Kuvendit, e Kuvendi të debatojë, të vendosë për t’ia dhënë mandatin presidentit. Ekziston mundësia që presidenti po ashtu të ketë në përbërje të ekipit të Kosovës përfaqësues të partive politike, zyrtarë të caktuar, nëse i duhet dikush nga Qeveria ia jap. Unë nuk e shoh rolin tim në dialog për shkak se kryetari i Qeverisë nuk e ka mundësinë të qëndrojë shumë jashtë vendit” kishte deklaruar kryeministri Haradinaj.

Por, para se Haradinaj të vinte në krye të ekzekutivit kosovar, një takim në Bruksel ndërmjet presidentit Thaçi dhe homologut të tij, Vuçiq, kishte ndodhur. Më 3 korrik të vitit 2017, dy presidentët u pajtuan që dialogu do të hynte në një fazë të re.

Ata u takuan sërish dhe u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes së drejtësisë, duke përcaktuar datën 17 tetor si ditë për fillimin e zbatimit të saj.

Negocimi për një marrëveshje vazhdoi në nivel presidentësh.

Kështu u paralajmërua edhe faza përmbyllëse e dialogut, e cila, siç u tha, pritet të përfundojë me “një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”.

Ndonëse ai vetë tha se nuk do të merrte pjesë në dialog, kryeministri Haradinaj me 12 janar të vitit të kaluar kishte emëruar shefin e stafit të tij, Avni Arifajn, si drejtues të ekipit për negociata me Serbinë.

Një incident në Mitrovicën Veriore në janar të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë lideri serb i partisë SDP, Oliver Ivanoviq, solli tensione në dialogun në mes dy shteteve. Pala serbe kërkoi që rasti të zbardhej sa më parë, në të kundërtën do të tërhiqej krejtësisht nga dialogu.

Vetëm në fund të shkurtit, palët u rikthyen në dialog pas një ftese të BE-së. Me 26 dhe 27 shkurt të 2018, presidentët diskutuan zbatimin e marrëveshjeve të arritura si marrëveshja për lirinë e lëvizjes, menaxhimin e integruar të kufirit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, drejtësia, energjia, dhe ura e Mitrovicës.

Risi në dialog, Thaçi përmend ‘korrigjimin e kufijve’

Gjatë verës së vitit 2018, gjithnjë e më shumë shtoheshin zërat për ‘ndarje’, ‘shkëmbim territoresh’ e ‘korrigjim kufijsh’.

Pas gjithë këtyre fjalëve, qëndronte një e vërtetë.

Këtë madje e deklaroi vetë presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi në një konferencë për shtyp më 1 gusht të vitit të kaluar.

Ai deklaroi se është i gatshëm për një ‘korrigjim të kufijve’ dhe ka mirëpritur kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën.

Për të promovuar këtë ide, ai mori pjesë në disa konferenca në vendet e Europës por edhe në ShBA.

Një korrigjim kufijsh u pa i pamundur për shumë politikanë në Kosovë e jashtë saj. Për më tepër, kryeministri Haradinaj doli hapur kundër idesë së Thaçit. Madje, ai i quajti tradhtar të gjithë ata që synojnë të prekin kufijtë e 17 shkurtit të vitit 2008.

Idenë për ndryshim kufijsh nuk e përkrahen as paritë tjera opozitare. Me idenë e presidentit nuk u pajtuan as një pjesë e OJQ-vë në vend.

Pas shumë kundërshtimesh, presidenti Thaçi së fundmi ka ndryshuar edhe togfjalëshin ‘korrigjim kufish’ në ‘korrigjim të lehtë kufijsh’.

PSD vendos të bëhet pjesë e dialogut Kosovë- Serbi

Pas një mosmarrëveshjeje të brendshme në partinë Vetëvendosje, Shpend Ahmeti dhe 12 deputetë u larguan nga kjo parti.

Të gjithë këta kaluan në Partinë Socialdemokrate, që deri atëherë udhëhiqej nga Kaqusha Jashari.

Kryetar i saj tash është Shpend Ahmeti dhe në dhjetor të vitit të kaluar kjo parti vendosi të bëhet pjesë e dialogut Kosovë- Serbi.

Partia e kryetarit të Prishtinës arsyetoi pjesëmarrjen në dialog me rëndësinë e këtij procesi për vendin.

Dukagjin Gorani nga PSD kishte thënë në seancën e 15 dhjetorit të vitit të kaluar se, dialogut me Serbinë nuk mund të jetë pronë e askujt por përgjegjësi e të gjithë neve.

PSD dhe koalicioni PAN e formuan një  delegacion, siç u tha, shtetëror, në krye me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmetin, kryetar i PSD-së. Si bashkëdrejtues, Limaj dhe Ahmeti propozuan edhe një Platformë për dialogun dhe u shprehën kundër  idesë së Thaçit për çfarëdo ndryshimi të kufijve.

Madje, me inicimin e koalicionit PAN dhe PSD, u miratua edhe një Rezolutë për dialogun. Votimin e kësaj Rezolute e injoruan dy partitë opozitare, LDK dhe VV.

Së fundmi, ekipi negociator për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë kanë hartuar edhe një Platformë për Dialogun, të cilën ia kanë dorëzuar Kuvendit të Kosovës të premten që lamë pas.

Kujtojmë se kjo nuk është Platforma e parë për dialog, pasi të tilla pati edhe në të kaluarën gjatë procesit të negociatave.

Do të shihet me kohë se sa mund të zbatohet kjo Platformë.