Gani Thaçi flet përfshirjen e shoferit në rrjetin e drogës

Gani Thaçi, shefi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ka folur për KALLXO.com lidhur me rastin e shoferit të institucionit që ai e drejton.

Enis Qerka është arrestuar nën dyshimin se është kapur me 113 kilogramë narkotikë, që dyshohet të jetë heroinë.

Gani Thaçi, i cili është vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka thënë se për rastin e Qerkës ka marrë vesh nga mediat.

Për Enis Qerkën thotë se nuk ka qenë me veturën zyrtare në momentin e arrestimit, as me veturën e tij.

“Ka qenë në veturën e një shokut të tij, i cili ka qenë duke shkuar në një dasmë në Shkup”, ka thënë për KALLXO.com Gani Thaçi.

Gani Thaçi ka mohuar se Enis Qerka është shofer i tij. Për të, Thaçi ka thënë se është shef i logjistikës deri në janar. “E më pas do të ketë pozitën e shoferit por jo shofer i imi, por i të gjithëve, kush ka nevojë”, ka theksuar shefi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Megjithatë, Gani Thaçi nuk e ka mohuar se Enis Qerka punon si shofer në institucionin që e drejton ai.

“Ka qenë shef i logjistikës në Byro, por për shkaqe ekonomike i njëjti departament është shu dhe Enisi është lënë si shofer i personave që kanë nevojë për një të tillë. Unë nuk di pse involvona në raste të tilla. Ai nuk është as djali im, as shoferi im, as djali i tezës”, tha Gani Thaçi.

Në bisedë me KALLXO.com, Gani Thaçi insiston se Enis Qerku nuk ka qenë me veturë zyrtare, as të tijën, por në veturën e një shoku me të cilin po shkonin në një dasmë në Shkup.

Thaçi tha se nuk mban përgjegjësi për veprimet e të tjerëve.

“Edhe djali jem me qenë nuk mundem me marr përgjegjësi. Për mua Enisi është djalë i mirë dhe vazhdon të jetë deri në vendim të gjykatës”,  tha për KALLXO.com Gani Thaçi.

Kjo nuk është hera e parë që Enis Qerka përballet me organet e drejtësisë.

Në fund të tetorit të këtij viti, ai ishte përfshirë në një përleshje fizike që kishte ndodhur gjatë një mbledhjeje të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

https://kallxo.com/ekskluzive-gjate-incidentit-te-gani-thacit-audio-incizimi-u-nderpre/

www.kallxo.com