Fuad Ramiqi

Fuad Ramiqi e Quan Politike Aktakuzën ndaj Tij

Në gjykimin e katër imamëve dhe Fuad Ramiqit, të akuzuar për vepra që lidhen me terrorizmin dhe thirrje për rezistencë, Ramiqi duke e kundërshtuar aktakuzën e cilësoi atë të karakterit politik.

Edhe Skender Musa, avokati i Ramiqit mbështeti të mbrojturin e tij, duke thënë se Ramiqi me veprimet dhe deklaratat e tij vetëm e ka kundërshtuar qeverisjen, një gjë që sipas Musës e kanë bërë edhe politikanë të tjerë.

“Kemi të bëjmë me një politikan i cili e kundërshton qeverinë që është normale që këtë e thotë një politikan. Këtë e kanë thënë edhe e thonë edhe politikanët tonë, por nuk është konsideruar thirrje për rezistencë. Të njëjtën terminologji e ka përmendur edhe Ramush Haradinaj por ai është në liri, ndërsa Fuad Ramiqi i arrestuar”, tha Skender Musa.

Hajrip Krasniqi, avokati i imamit Idriz Bilibanit e kontesto kompetencën e Gjykatës në Prishtinë për ta gjykuar të mbrojturin e tij, pasi deklaroi se Bilibani ka vepruar në Prizren.

Avokati Durim Osmani tha se citimi i ajeteve kuranore nga imamët nuk mund të jetë nxitje e urrejtjes.

Mazllam Mazllami që si  imam  i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren akuzohet se me predikimet e tij përhapi urrejtje dhe mosdurim ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT, në seancën e kundërshtimit të aktakuzës arsyetoi ligjëratat e tij.

“Nuk është natyrshmëri e njeriut, nuk është e natyrës as time e as të asnjë kosovari, kjo është diskriminim në mes të dy gjinive dhe e len Kosovën të pazhvilluar dhe unë i rri karshi kësaj pune dhe nuk dua qe kjo vepër të zhvillohet në vendin tim”, tha Mazllami në gjykatë.

Imami i akuzuar i Pejës Enes Goga tha se me ngritjen e kësaj aktakuze ai, familja e tij dhe institucioni të cilin e përfaqëson janë ofenduar jashtëzakonisht shumë.

I akuzuari ngritjen e kësaj aktakuze nga ana e prokurorit e konsideroi një papjekuri e cila mund të cenojë edhe harmoninë ndërfetare që sipas tij ekziston në qytetin e Pejës.

Lidhur me kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli tha se do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor dhe të gjitha palët do të njoftohen me kohë rreth vendimit të marrë.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në Xhaminë e improvizuar te “Termokosi”  ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Idriz Bilibani që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në Xhami-OJQ-në  “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Enes Goga në pozitën e hoxhës në Pejë në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube,  në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik