4. Shpallet vendimi për rastin Geci

Procesi gjyqësor kundër Sabit Gecit dhe të tjerëve ka vazhduar edhe gjatë muajit korrik pranë Gjykatës Supreme të Kosovës. Të pandehurit akuzoheshin se gjatë luftës kanë kryer krime kundër popullatës civile, krime këto të dënuara me ish ligjin penal të ish RFSJ-së, Kodit Penal të Kosovës dhe me konventat dhe protokollet e Gjenevës.
 
Seancat kishin të bënin kryesisht me leximin e provave materiale, fjalët përfundimtare dhe aktgjykimin e këtij rasti. Fillimisht, mbrojtja pas pranimit të listës së provave nga ana e prokurorit i kishte dorëzuar gjykatës një kërkesë jashtë seancës, kjo pasi që mbrojtja kishte parë që nuk ishte përfshirë në listën e provave edhe alibia e të pandehurit Sabit Geci. Së bashku me shkresën e dorëzuar gjykatës, mbrojtja i kishte bashkangjitur edhe provat materiale që e dëshmonin alibinë e të pandehurit. Alibia kishte të bënte me një certifikatë mjekësore të lëshuar nga Spitali Ushtarak në Tiranë, në të cilin Sabit Geci nga data 3 deri me 13 qershor 1999 kishte qenë i shtruar për shërim, kohë kjo në të cilën prokuroria pretendonte se i pandehuri është përgjegjës për vrasjet sa ka qenë komandant i Policisë Ushtarake të UÇK-së. Kryetari i kolegjit ka kërkuar sqarime nga prokurori për arsyet e mospërfshirjes së një provë të tillë në shkresat e lëndës. Prokurori pas kërkimit në shkresat e prokurorisë konfirmoj se kanë pranuar kërkesën por jo edhe provat materiale. Kryetari i kolegjit deklaroi se shkresa është dashur të shërbejë si indikacion për prokurorin që ta hetoj rastin e alibisë së të pandehurit dhe jo gjykata të merret me këtë çështje gjatë seancave.

Përveç që provat nuk ishin administruar si duhet nga ana e prokurorit, si duket ato nuk janë paraqitur në të mirë të palëve ashtu siç edhe parashihet me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës. Në seancën e radhës kolegji e pranoi si provë alibinë e të pandehurit dhe e futi në listën e provave materiale të cilat pastaj u morën për bazë gjatë marrjes së vendimit. Duhet theksuar që gjatë seancës, mbrojtja pretendonte që prokuroria kishte një provë tjetër siç ishte ajo e një pasaporte të huaj por me fotografi të të pandehurit Sabit Geci. Mbrojtja insistonte që kjo provë gjendej në shkresat e një lënde tjetër penale ku ishte akuzuar i pandehuri Sabit Geci, por prokuroria edhe pas kërkesave në dosje të lëndës nuk arriti ta gjente.
 
Pas përfundimit të leximit të provave materiale, shqyrtimi ka vazhduar me fjalët përfundimtare të palëve. I pari që e dha fjalën e tij ishte prokurori special, i cili mbeti në tërësi pranë aktakuzës dhe thënieve të tij. I fundit kërkoi që të pandehurit të dënohen sipas ligjit dhe gjatë matjes së dënimit të mos merren parasysh masat lehtësuese. Mbrojtja në tërësi kërkoi që të pandehurit në mungesë të provave, të lirohen me aktgjykim lirues. E mbrojtja e të pandehurit Sabit Geci gjatë fjalës përfundimtare e ngriti çështjen e juridiksionit të gjykatës, pasi që sipas saj nuk ka juridiksion për veprat e aktakuzës pasi që edhe në aktakuzë thuhet se janë kryer në territorin e Shqipërisë. Secili nga mbrojtësit bëri një analizë të fakteve duke e kundërshtuar çdo provë të prokurorisë. Në fund gjykata morri aktgjykim ku të pandehurit u shpallën  fajtor për veprën penale Krime Lufte kundër popullatës civile.

I pandehuri Sabit Geci, u shpall fajtor për 4 pika të aktakuzës që kishin të bënin me Krimet e Luftës kundër popullatës civile dhe u shpall fajtor edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe të njëjtit për pikën 1 të aktakuzës dhe ju shqiptua dënimi në lartësi prej 8 vitesh burgim, për pikën 2 të aktakuzës i është shqiptuar dënimi prej 12 vitesh burg, për pikën 3 të aktakuzës dënim prej 9 vitesh burg dhe për pikën 5 të aktakuzës 8 vite burgim. Ndërsa për pikën 7 të aktakuzës ju shqiptua dënim prej 4.000 euro gjobë, për tu liruar në mungesë të provave nga pikat 4 dhe 6  të aktakuzës. Të njëjtit ju shqiptua dënimin total prej 15 vitesh burg dhe 4000 euro gjobë.

I pandehuri Riza Alijaj u shpall fajtor për pikën 1 të aktakuzës dhe u dënua me 8 vite burgim, po ashtu u shpall fajtor për pikën 2 të aktakuzës ju shqiptua një dënim prej 9 vite burg, e kolegji në total i shqiptoj 12 vite burg. I njëjti u lirua nga pika 3 e aktakuzës. I pandehuri Haki Hajdari u shpall fajtor për pikën 2 të aktakuzës dhe u dënua me 6 vite burgim. I njëjti u lirua nga pika 1 e aktakuzës. I pandehuri Shaban Hoti, u shpall fajtor për pikën 1 të aktakuzës dhe u dënua me 7 vjet burgim. I njëjti lirohet nga pika 2 e aktakuzës. Të gjithë të pandehurve koha e kaluar në paraburgim do të ju llogaritet në dënim. Po ashtu dy të pandehurit e parë mbetën në paraburgim deri sa të bëhet i plotfuqishëm aktgjykimi, ndërsa dy të pandehuri e tjerë do të paraqiten në polici dhe do ti dorëzojnë pasaportat gjykatës deri në plotëfusiqshmëri të aktgjykimit