Foto: Ilustrim

Detaje nga gjykimi ndaj Driton Asanit, i akuzuar për aksidentin ku vdiqën dy persona

Driton Asani, i akuzuar për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, si pasojë e kësaj vepre penale mbeten të vdekur Gazmend Gashi dhe Adem Elshani, pritet që ta japë mbrojtjen e tij në seancën e ardhshme e cila është caktuar për muajin nëntor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, i akuzuari Driton Asani në kohën e kryerjes së veprës penale kishte qenë duke drejtuar automjetin transportues – kamionin e markës ‘‘ Kenworth’’, të kompanisë Bechtel-Enka, dhe se i njëjti natën kritike ishte nisur për ne fshatin Krushë e Vogël për tek një kompani tjetër për të transportuar makineri të rënda.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor Gjyqtari i rastit Mehmet Ndrecaj konstatoi së në cilësinë e provës materiale nga Instituti i mjekësisë ligjore në Prishtinë, u janë siguruar raportet me shkrim për rezultat e alkoolit ‘’etanol’’ në gjak për të ndjerin Gazmend Gashi dhe  Adem Elshani, andaj gjykata i ka ftuar të dy ekspertët që të japin mendimet e tyre lidhur me këto rrethana të paraqitura.

Në shqyrtimin e sotëm elaboruan ekspertizën e tyre dy ekspertët e komunikacionit, Sami Fusha dhe Arben Selimi.

Eksperti i komunikacionit Sami Fusha, në pyetjen e prokurorit të çështjes Fatos Ajvazi, se prova  apo raporti për rezultatin e alkoolit a ka ndonjë relevancë apo ndonjë ndryshim në mendimin dhe ekspertizën e dhënë, eksperti u deklarua se ‘‘ shoferi i veturës ‘’Golf’’ (vetura që drejtonin dy viktimat e aksidentit) në mënyrë relative ka ndikuar në ngasje të veturës në mënyrë të sigurt, si përfundim i analizës është kohë zgjatja e reagimit të shoferit nën  ndikimin e alkoolit, si dhe mund të deklaroj se shkaktari primar nuk është ngasësi i veturës ‘’Golf’’, edhe pse ka qenë i ndikuar nga alkooli’’.

Ndërsa eksperti tjetër  Arben Selimi, në pyetjen e njëjtë të Prokurorit Fatos Ajvazi, u deklarua se ‘‘ përqindja e alkoolit në gjak ndikon në reagimin e ngasësit të automjetit mirëpo nuk ka ndikuar në shkaktarin e aksidentit, pra ngasësi i automjetit nën ndikim të alkoolit është një kontributdhënës në këtë rast, ndërsa nuk është shkaktar i drejtpërdrejtë i aksidentit’’.

Prokurori i shtetit Fatos Ajvazi propozoi që shqyrtimi i radhës të shtyhet në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për marrjen në pyetje të të akuzuarit. Gjyqtari i rastit mori aktvendim që seanca të shtyhet dhe seanca e radhës do të mbahet me datë  2 nwntor në ora 10:00, në këtë seancë do të jep mbrojtjen e tij i akuzuari Driton Asani.

Sipas aktakuzës me datë 10.12.2017 rreth orës 04:55  në rrugën Prizren – Gjakovë, pikërisht në fshatin Krushë e Vogël, i akuzuari nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, ashtu që duke drejtuar automjetin transportues, kur arrin në vendin kritik, ndërmerr veprim pa u siguruar që mund t`i rrezikoj pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, dhe si pasojë e veprimeve të tij vije deri tek goditja e automjetit ‘’VW Golf’’ me automjetin transportues. Vetura e godet automjetin transportues në boshtin e rrotave të pasme në anën e majtë, dhe si pasojë drejtuesi i automjetit Adem Elshani si dhe pasagjeri i tij Gazmend Gashi, nga lëndimet e marra trupore ndërrojnë jetë në vendin e ngjarjes.

FOTO NGA SEANCA NDAJ DRITON ASANIT- KALLXO.com