Polici i akuzuar, Nuredin Begolli. Foto: Kallxo.com (Arkiv)

I Dëmtuari: Informata e Nxjerrë nga Polici më la pa u Fejuar

Deli Hoxha doli sot para gjykatës për ta fajësuar rreshterin policor se i ka prishur lidhjen e dashurisë të cilën tha se po priste ta forconte në fejesë e martesë.

I riu nga Prizreni është i dëmtuar në procesin ku i akuzuar është rreshteri policor Nuredin Begolli.

Ai akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se në tetor të vitit 2015 duke punuar në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren ku kishte qasje në informacione, keqpërdor informatën zyrtare që personi tjetër të përfitojë.

Sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të kërkesës së qytetares A.K. gjatë bisedave telefonike nëpërmjet rrjetit Viber e njofton atë për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes të kryera nga Deli Hoxha.

Këto informacione që konsiderohen zyrtare më pas kanë ndikuar në prishjen e raporteve në mes të të dëmtuarës dhe qytetares A.K.

“Jam i dëmtuar në disa aspekte, moralisht sepse kam mbetur pa grua respektivisht informata e policit më ka prishur raportet me të dashurën me të cilën kam pasur plan për t’u fejuar e pastaj edhe të martohem”, tha Hoxha në seancë.

“Ekonomikisht jam dëmtuar sepse kam pasur shpenzime në zbulimin e rastit dhe sigurimin e provave dhe kam marrë kredinë muajin maj për ta përgatitur fejesën, në shumë prej 18.000 euro të cilën deri sot nuk e kam paguar dhe kam probleme me përmbaruesin. Në punë nuk jam i qetë për arsye dy herë kam qenë në arrest dhe nuk më respektojnë”, shtoi ai.

Deli Hoxha Thotë se u Kërcënua nga Rreshteri Policor

Ndërsa avokatja e tij, Emira Gavazaj-Gashi, si përfaqësuese me autorizim, deklaroi se klientit të saj i janë shkaktuar dëme materiale dhe jomateriale në këtë rast.

Ajo kërkoi një shumë prej 25,000 euro dëmshpërblim për shkak të “dhimbjeve shpirtërore, cenim te dinjitetit dhe humbjes së reputacionit… por edhe kthimit të kredisë së marrë për martesë”

Shpallja e vendimit për këtë rast u caktua për javën tjetër.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces gjyqësor.

16 Nëntor 2017 - 22:25

Dhurata Ramoja 16/11/2017 - 22:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend