Deli Hoxha Thotë se u Kërcënua nga Rreshteri Policor

Deli Hoxha, i dëmtuari në gjykimin e rreshterit policor Nuredin Begolli tha në gjykatë se është kërcënuar nga i akuzuari për keqpërdorim të informatave.

Hoxha tha se më 24 maj rreth orës 19:45 në vendin e tij të punës afër postës kishte kaluar rreshteri Nuredin Begolli me uniformë me një koleg të tij.

Në fillim tha se e kishte provokuar me gjeste duke i qitur gjuhën, ndërsa më pas i ishte afruar duke e kërcënuar edhe me fjalë.

“E ka bo një xhiro edhe ka ardhë të dera e postës aty ku isha unë, edhe erdhi e më tha unë di gjithçka për ty, edhe më kërcënoi më tha a e din çka të boj unë ty. Edhe une i thashë se sot jemi konë në gjyq, e shihemi në seancën e ardhshme, tani nisi me më kërcënu, kurse kolegu i tij u distancua prej tij”, tha Hoxha.

Prokurori Genc Nixha kërkoi që denoncimi i Hoxhës të konstatohej në procesverbal, por i akuzuari Nuredin Begolli dha një version tjetër të ngjarjes.

“Në rastin konkret të cilin është duke e citu, unë kam qenë në plan operativ në largimin e veturave nga shtëpia e kulturës dhe vetura e tij ishte e parkuar në vendin e ndaluar dhe unë kam dashtë të gjitha veturat me i largu. Pikërisht me datën 24 dhe zotërisë i kam thënë largoje ti veturën prej këtu duke ia dhënë vetëm një qortim dhe asnjë kërcënim- do të thotë vazhdon të gënjejë sikurse ma parë me avokatin dhe sikurse me të gjitha gjërat tjera”, tha i akuzuari Begolli.

Pastaj edhe denoncimi i Hoxhës, po edhe përgjigjja e Begollit hynë në procesverbal.

Në seancë duhej që një ekspert i teknologjisë informative të tregonte nëse rreshteri i akuzuar Begolli kishte qasje në informatat të cilat ngarkohet se i keqpërdori.

Por eksperti i teknologjisë informative nuk ishte i pranishëm në gjykatë dhe seanca u shty për mungesë të tij.

Rreshteri Nuredin Begolli akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se në tetor të vitit 2015 duke punuar në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren ku kishte qasje në informacione, keqpërdori informatën zyrtare që personi tjetër të përfitojë.

Sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të kërkesës së qytetares A.K. gjatë bisedave telefonike nëpërmjet rrjetit viber e njofton atë për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes të kryera nga Deli Hoxha.

Këto informacione që konsiderohen zyrtare më pas kanë ndikuar në prishjen e raporteve në mes të të dëmtuarit dhe qytetares A.K.

Në dhjetor të vitit të kaluar, rreshteri Begolli u deklarua i pafajshëm.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-rreshterit-per-keqperdorim-te-informates/

Seanca e radhës do të mbahet më 7 gusht 2017.