Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com
Deklarohet Rreshteri Policor, i Akuzuar për Keqpërdorim të Informatës Zyrtare
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Nuredin Begolli, i akuzuar për veprën penale – keqpërdorim të informatës zyrtare, ka dhënë deklaratë para Gjykatës në Prizren.
Begolli tha se asnjëherë nuk ka pasur qasje në informacion dhe as që i ka interesuar ndonjëherë të ketë qasje për të dëmtuarin Deli Hoxha.
Sa i përket qytetares A.K., i akuzuari tha se e njeh familjarisht dhe se e njëjta kishte pasur ankesa ndaj Deli Hoxhës tek ai dhe disa zyrtarë të tjerë policorë.
I pandehuri theksoi po ashtu se të gjitha informatat për Deli Hoxhën i kishte marrë nga qytetarja A.K., për të cilën tha është shoqe e vajzave të tij dhe se nuk e dinte se çfarë raporte kishte pasur me Hoxhën.
I pyetur nga prokurori, i akuzuari u deklarua se nuk ishte në dijeni që qytetarja kishte deponuar ndonjë ankesë në Polici. Sipas tij, ankesat e saj me të gjithë zyrtarët policorë kishin qenë gojore.
Ndërsa bisedën e zhvilluar në “Viber” me qytetaren A.K., i akuzuari e quajti bisedë joformale, private.
I pyetura nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar se a i kishte thënë A.K. se Deli Hoxha ka 37 vepra penale ose kundërvajtje, i akuzuari u përgjigj: “Unë nuk kam cituar asnjëherë përmes rrjetit social, viber, që Deli Hoxha i ka 37 vepra penale ashtu siç aludon përfaqësuesja e të dëmtuarit”.
I akuzuari Nuredin Begolli të hënën nuk arriti ta përfundojë deklaratën e tij.
Seanca gjyqësore u ndërpre për të vazhduar më 13 nëntor.
Rreshteri Nuredin Begolli akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se në tetor të vitit 2015 duke punuar në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, ku kishte qasje në informacione, keqpërdori informatën zyrtare që personi tjetër të përfitojë.
Sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të kërkesës së qytetares A.K. gjatë bisedave telefonike nëpërmjet rrjetit “Viber” e njofton atë për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes të kryera nga Deli Hoxha.
Këto informacione që konsiderohen zyrtare më pas kanë ndikuar në prishjen e raporteve në mes të të dëmtuarit dhe qytetares A.K.
http://kallxo.com/rreshteri-deklaron-pafajesine-per-keqperdorim-te-informates/
KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky proces gjyqësor.