Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për më shumë se një vit MPJD paguan dy persona për një pozitë

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që nga muaji prill i vitit 2020, dy zyrtarë paguhen për pozitën e njëjtën.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila është publikuar në raportin e vitit 2020.

Ndonëse me Ligjin për Shërbim Civil thuhet se në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se 3 muaj, në MPJD për pozitën Udhëheqës i Divizionit të Personelit një person ka qëndruar u.d për 9 muaj.

“Pozita “Udhëheqës i Divizionit të Personelit” në MPJD ishte mbajtur me Ushtrues detyre për një periudhë nëntë mujore duke filluar nga muaji tetor i vitit 2019. Më pas, zyrtares së njëjtë në korrik të vitit 2020 i është lëshuar një vendim përmes të cilit ishte caktuar si zëvendësim në pozitë në Divizionin e Personelit deri në përfundim të procesit të rregullt të rekrutimit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Mirëpo, sipas Auditorit, nga muaji prill 2020 MPJD e kishte të punësuar me akt emërim të rregullt “Udhëheqësin e Divizionit për Burime Njerëzore” si rezultat i bashkimit me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS).

Sipas Auditorit, të paguhen dy persona për një pozitë është shpenzim i paarsyeshëm.

“Kompensimi i dy zyrtarëve për pozitën e njëjtë përveç që nuk është në pajtueshmëri me autoritetet ndikon në rritje të pa-arsyeshme të shpenzimeve”, thuhet në raport.

Më gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit është pajtuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila po ashtu ka marrë edhe rekomandime nga Auditori.

“Ministrja duhet të ndërmerr masa konkrete për të zgjidhur problemin e pozitës së udhëheqësit të divizionit të personelit konform kërkesës ligjore, në mënyrë që të evitojë shpenzime të paarsyeshme për pozitat të cilat tashmë janë të mbuluara me staf të rregullt”, thuhet në rekomandim.