Shtepia e Pleqve ne Obiliq

Në Shtëpinë e të Moshurave në Prishtinë u punësua si infermiere kandidatja që s'i plotësoi kriteret

Në Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë si inferimere është zgjedhur kandidatja e cila nuk e ka plotësuar njërin prej kritereve të vendosura në konkurs për pozitën në fjalë.

Kjo është njëra nga shkeljet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të evidentuara nga Zyra Kombëtare e Auditmit, për pasqytat financiare të kësaj ministrie për vitin 2019.

Sipas raportit të Auditimit, në konkursin e rekrutimit të datës 4 prill 2019 për katër pozita në “Shtëpinë e Personave të Moshuar” në Prishtinë nuk ishte cekur kohëzgjatja e emërimit dhe përshkrimi nëse pozita është me afat të caktuar ose të përhershëm.

“Ne shqyrtuam procesin e rekrutimit për pozitën ‘Infermier’ ku vërejtëm se, ishte përzgjedhur kandidatja e cila nuk plotësonte njërin nga tri kriteret e vendosura me konkurs, që kishte të bënte me trajnimet në lëmin e infermierisë. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e një pozite të tillë, trajnimet ishin kriter i domosdoshëm për t’u konsideruar”, thuhet në raport.

Kjo kishte ndodhur për shkak se zyra e personelit nuk kishte marrë parasysh rregullat përkatëse me rastin e përcaktimit të përmbajtjes së konkursit si dhe nga mos përfillja e kritereve të vendosura nga komisioni i vlerësimit.

Sipas ZKA-së, mosrespektimi i kritereve të konkursit ndikon në përzgjedhjen e kandidatëve jo meritor dhe pamundëson arritjen e objektivave përkatëse të institucionit.

“Po ashtu, mangësitë në përmbajtje me rastin e shpalljes së konkursit dëmtojnë transparencën e procesit të konkursit”, vijon raporti.

Ndërkaq, në raport thuhet se sipas nenit 5 – paragrafit 1.6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, kërkohet që në konkurs të përcaktohet kohëzgjatje e emërimit nëse pozita është me afat të caktuar ose të përhershëm, gjë që s’ishte bërë në konkursin në fjalë.

Auditori ka rekomanduar se ministri duhet të forcoj kontrollet e brendshme dhe të ndërmerr veprimet e nevojshme për të siguruar se me rastin e rekrutimit të stafit dhe publikimit të konkurseve respektohen kriteret dhe legjislacioni përkatës.

Në vitin 2019, MPMS udhëhiqej nga ministri Skender Reçica, qe vjen nga radhët e Nismës. Reçica në qeverinë aktuale ka marr mandatin e dytë në këtë ministri, që nga 3 qershori i këtij viti.

Ai vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate.