Foto: Facebook/ Komuna e Ferizajt

Auditori gjen parregullësi në regjistrimin e pasurive nga komuna e Ferizajt

Pesë pagesa për ujësjellësin me kosto  2 milion e 320 mijë e 695 euro, Komuna e Ferizaj nuk i kishte evidentuar si investim në regjistrin e pasurive kapitale – SIMFK.

Zyra Kombëtare e Auditimit gjithashtu ka gjetur se komuna e Ferizajt tash e katër vite nuk ka qenë duke e regjistruar pasurinë jo kapitale nën 1 mijë euro në sistemin e- pasuria dhe si pasojë e kësaj nuk kishin vlerë të shpalosur në Pasqyrat e Financave Vjetore – PFV.

“Për më tepër edhe për pasuritë e blera gjatë vitit 2020 nuk ka asnjë lloj evidence as në Excel apo ndonjë softwer tjetër, ndërsa sipas evidencave të thesarit shpenzimet (kodet e pasurive nën 1,000€) vetëm për vitin 2020 ishin në shumë 208 mijë e 890 euro”, thuhet në raportin e auditimit.

Auditori poashtu ka gjetur se raporti i inventarizimit nuk ishte i nënshkruar e as i plotë dhe se nuk ishte kryer para përgatitjes së pasqyrave financiare, ashtu siç parashihet me rregullore.

Në pjesën e ndikimit të menaxhimit jo të mirë të pasurive, auditori ka theksuar se ndikon në nënvlerësimin  e pasurive në PFV si dhe mund të ketë ndikim në tjetërsimin apo humbjen e pasurive me të cilat është ngarkuar komuna.

“Shkaqet e këtyre mangësive janë kryesisht mosfunksiomini i sistemit të ‘E-pasurisë’, neglizhenca e zyrtarit të pasurisë dhe vëmendja e pamjaftueshme e menaxhmentit për të vendosur kontrolle efektive në menaxhimin e pasurive”, thuhet poashtu në raportin e auditimit.

Nga zyra e auditorit rekomandohet se kryetari duhet të sigurojë se të gjitha pasuritë e komunës janë regjistruar në sistemin e- pasuria.

Auditori në komunën  e Ferizajt poashtu ka gjetur edhe mangësi të menaxhimit të kontratave.