Rezultatet PISA 2018, pikë referimi për rishikimin e sistemit arsimor

Rezultatet e testit PISA duhet të shërbejnë si pikë referimi për institucionet shtetërore në rishikimin e sistemit arsimor në vend.

Kjo është thënë gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në të cilën u diskutua për rezultatet alarmuese të vendit në testin e fundit të Programit për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve PISA 2018, dhe ndikimit të tyre në sektorin privat.

Besnik Krasniqi, hulumtues i çështjeve ekonomike si dhe profesor universitar, tha se rezultatet e testit PISA nuk janë aspak befasuese, pasi sipas tij duke e marrë parasysh se zhvillimi i programeve dhe i metodologjisë së mësimdhënies në Kosovë nuk i aftëson nxënësit për të aplikuar dijen praktike në kontekst specifik.

“Zhvillimi joadekuat i aftësive kreative tek nxënësit ka implikime edhe në sektorin privat, i cili në anën tjetër nuk mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit pa një rol proaktiv të institucioneve shtetërore për dialogu në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Gresa Statovci, konsulente e arsimit, tha se shikuar nga këndvështrimi ekonomik, përmirësimi i cilësisë së arsimit është parametri kryesor për zhvillimin e mëtejmë të vendit.

“Në kuadër të përpjekjeve për përmirësim të gjendjes së sistemit arsimor, Kosova është duke e implementuar kornizën e kurrikulës së re të arsimit, e cila me përmirësime adekuate do të sjellte rezultate më të mira në testin PISA, dhe  rrjedhimisht një fuqi punëtore më të përgatitur. Është e domosdoshme që në hartimin e politikave të arsimit të përfshihet edhe sektori privat në mënyrë që të zvogëlohet hendeku ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës”, ka theksuar Statovci.

Në anën tjetër, psikologu si dhe profesori universitar, Naim Telaku, nga aspekti psikologjik i elaboroi disa faktorë të cilët mund të kenë ndikuar në rezultate të dobëta në testin e PISA-s.

“Siç janë kurrikula e papërshtatshme, përdorimi jo i duhur i teknologjisë, vështirësitë emocionale dhe mos funksionimi i trekëndëshit prind-fëmijë-mësimdhënës. Shpesh herë roli i mësimëdhënësve dhe qasja e tyre si autoritet i pakontestueshëm rezulton në demotivim të nxënësve, të cilët në të njëjtën kohë hasin një presion të vazhdueshëm nga prindërit e tyre për rezultate më të mira”, ka thënëai.

Telaku bëri thirrje për zbatim të të gjitha udhëzimeve të nevojshme nga programi PISA për përmirësimin e sistemit të arsimit, duke integruar këtu edhe ndihmën e sektorit privat Telaku, mes tjerash, foli edhe për nevojën e një qasje që kombinon inteligjencën emocionale me zhvillimin e aftësive kognitive.

Pavarësisht pritjeve të mëdha, edhe këtë vit sistemi arsimor dhe nxënësit e Kosovës nuk kanë kaluar mirë në testin ndërkombëtar të njohur si PISA.

Në mesin e 79 vendeve, Kosova u rangua  e treta nga fundi dhe me një  rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

“PISA”, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë dhe këto aftësi maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Por, nxënësit kosovarë këtë vit performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Kurse, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

(DOKUMENT) Rezultatet e Kosovës në testin PISA 2018

.