Konkursi për mësimdhënës, kandidatja padit Drejtorinë e Arsimit të Vushtrrisë

Një konkurs i shpallur në muajin mars për mësimdhënëse të gjuhës angleze në dy shkolla të Komunës së udhëhequr nga Xhafer Tahiri ka përfunduar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – dega në Vushtrri.

Padi në këtë gjykatë ushtroi Leonora Feka, e cila nuk arriti të pranohej në konkursin për mësimdhënëse të gjuhës angleze në shkollën fillore “Latif Berisha” në Dobërllukë dhe në shkollën fillore “Liria” në Stroc.

Leonora Feka po pretendon se procesi i intervistimit të kandidatëve ka qenë i manipuluar nga komisioni vlerësues. Ajo në testin me shkrim ishte radhitur e dyta me më së shumti pikë, kurse pas intervistës u radhit e katërta.

Në këtë konkurs u pranuan Ardita Halili – Beka më 156.17 pikë dhe Bedri Aliu më 120.15 pikë.

Ajo dyshon se në intervistë u penalizua qëllimisht, pasi në testin me shkrim kishte lënë pas me pikë dy kundërkandidatët e saj.

Sipas saj, dyshimet iu ngritën qysh kur Bedri Aliu fillimisht figuronte se nuk i plotëson kriteret në listën e ngushtë, e që më pas po. Ajo poashtu pretendon se ky kandidat nuk pati plotësuar testin në tërësi.

“Te testi me shkrim, është e çuditshme se si Bedriu i morri 52 pike prej 60 pikëve te mundshme (me aq ushtrime sa kishte plotësuar ai sepse dy ushtrime si kishte te plotësuara). Pastaj dyshimet u shtuan edhe me shumë kur kam qenë me e pa testin tim. Aty çuditërisht prej pjesës me shkrim i kisha marr vetëm 12/25. Për mendimin tim, vendosja e kaq pak pikëve në pjesën e shkrimit kishte të bënte me matematika që ata i kishin menduar paraprakisht”, ka thënë 24-vjeçarja për KALLXO.com

Ajo thekson se pyetjet në të dy fazat e testimit kishin të bëjnë me kornizën kurrikulare.

“Kjo me bën të dyshoj se si ata në pjesën me shkrim kanë pasur aq pak pikë kur pyetjet kanë qenë të njëjta, kurse në pjesën e testimit me gojë ishin pothuajse maksimale. Te pjesa e testimit me gojë secili anëtarë i komisionit ka pas të drejtën e vlerësimit maksimal me nga 20 pikë, dhe prapë edhe ky vlerësim bëhet në bazë të vlerësimeve personale, ata e kanë parashtru një pyetje dhe në bazë të përgjigjes që e kemi dhënë, ata na kanë vleresu. Mua nuk m`u duk i logjikshëm vlerësimi i tyre dhe besoja që pastaj te pjesa e testimit me gojë i kanë bërë ata kalkulimet e veta”, shton Feka.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga Bedri Aliu, por i njëjti nuk ka dashur që të prononcohet rreth kësaj çështje.

Për gjithë këto pretendime, Leonora Feka ka dërguar edhe ankesë ne Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Vushtrrisë. Ankesa iu refuzua si e pabazuar.

KALLXO.com ka kërkuar qasjen në dosjen e plotë të tre kandidatëve në fjalë përfshirë këtu edhe testet e tyre.

Mirëpo pasi që rasti është në Gjykatë, nuk na është kanë lejuar qasje në tërësi, vetëm në raportin vlerësues.

“Aplikantja për konkursin në fjalë znj. Leonora Feka ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, me kërkesën për pezullim të konkursit dhe anulim të Vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve. Duke pasur parasysh faktin që rasti në fjalë gjendet në gjykatë, dhe me qëllim të mos cenimit të procesit gjyqësor, Drejtoria për Arsim nuk mund t’ua lejon qasjen në tërësi për rastin në fjalë, pasi që një pjesë të informatave ua kemi dërguar më datë; 02.07.2021”, thuhet në raportin të përcjellur nga Enver Bajrami – kryesues i komisionit vlerësues.

Në bazë të këtij raporti, kandidatja Ardita Halili- Beka ka marrë 52.35 pikë në intervistën me shkim dhe 95 pikë në intervistën me gojë, kandidati Bedri Aliu ka marrë 50.35 pikë në intervistën me shkrim dhe 54 në intervistën me gojë. Ndërkaq, kandidatja Leonora Feka ka marrë 64.6 pikë në intervistën me shkrim dhe 32 në intervistën me gojë.

Në anën tjetër, kryesuesi i komisionit vlerësues, Enver Bajrami në një prononcim për KALLXO.com ka hedhur poshtë pretendimet e Leonora Fekës.

Bajrami ka deklaruar se Bedri Aliu ka hyrë në listën e ngushtë pasi është vërtetuar nga komisioni i ankesave se diploma e tij është e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit.

“Bedri Aliu e ka diplomën e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit, ne sipas komisionit paraprak, nuk është thirrë në herën e parë, për shkak se të dilemave. Sepse për qata është edhe afati i ankesave për tri ditë. E ka vlerësuar komisioni edhe njëherë edhe e ka këqyrë nëse diploma e tij është valide. Edhe është vërtetuar se është e nostrifikuar diploma, e vulosur, e protokolluar nga Ministria e Arsimit. Kanë kontaktuar edhe këtë ministri, këta kanë konfirmuar që është dhe më pas e kanë thirrë në intervistë [Bedri Aliun]”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Bajrami është pyetur edhe lidhur me pretendimet e Leonora Fekës se kandidati Aliu nuk e ka plotësuar testin në terësi përkatësisht fletën e parë.

“Jo e ka plotësu. Lirisht mund të vini në zyrën time t’i shikoni lëndën, kurfarr problemi s’ka. Secili prej neve kemi plotësuar në rubrikën tonë, dhe japim përgjegjësi për vlerësimet tona. Lënda është në gjykatë me pretendimet e saj. Jemi konsultuar me zyrtarin ligjor në nivel komune për kërkesën e juaj që t’i shihni testet, na kanë thanë se pasi lënda është në gjykatë mund ta pengojnë rastin. Ajo është anku se nuk e kemi vlerësu për përvojë, por e kemi vlerësu edhe për atë, edhe për certifikata, edhe për 240 pikë sipas kualifikimit, jeni të lirë me ardhë me i pa. Jeni të lirë me i pa të gjitha përveç testit sepse ndodhet në gjykatë rasti”, ka thënë ai.

Siç njofton edhe ai më 14 korrik, të mërkurën do të mbahet edhe seanca e parë në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Vushtrri.

Dyshimet për nepotizëm

Përveç kësaj, KALLXO.com ka kuptuar se kandidatja tjetër Ardita Halili- Beka është vajza e vëllait të drejtorit të ATK-së në Mitrovicë, Besim Halili.

Halili ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) deri para dy vitesh. Komuna e Vushtrrisë udhëhiqet nga kjo parti me Xhafer Tahirin.

KALLXO.com ka kontaktuar me Besim Halilin por i njëjti ka mohuar që te ketë ndikuar në punësimin e mbesës së tij.

Halili ka thënë se në rast që do të kishte aq ndikim ajo do të punësohej dy vite më parë kur edhe ka filluar që të konkurroj në konkurset e Komunës së Vushtrrisë.

Besim Halili dhe Xhafer Tahiri, Foto: Facebook

“Ajo ka konkurru që dy vjet nuk ka mujtë me u punësu kurrkun, që sa konkurse ka konkuru në komunë nuk është pranu. Kësaj radhe e kanë pranu, e ka kry fakultetin në të shtetin, masterin e u kanë ma e mira në test e kanë pranu pa kurrfar ndikimi. Nuk i kam thanë kujt as hiç… Qysh e di unë as kryetari s’merret me këto sene, ai i ka punët e veta, janë këto punë të komisionit që e kanë vlerësu edhe e kanë pranu. Me kanë që kam ndikim unë e që jam i afërt me kryetarin, që dy vjet e ma shumë e ka kry fakultetin ish punësu që dy vjet, po ka konkuru në 10-15 konkurse edhe nuk e kanë marrë”, ka thënë ai.

Njëjtë thotë edhe Ardita Halili- Beka duke mohuar kështu që në punësimin e saj ka ndikuar familjari i saj.

Ajo shprehet se për këtë pozitë ka qenë mjaftë e përgatitur.

“Nuk ka pas aty çka me ndiku, as axhi as kurrkush. Puna ka qenë të testi atu, është vlerësu secili aq sa jemi përgatit, unë e kam dhënë maksimumin tem. Pjesa e parë ka qenë me shkrim, pastaj me intervistë, nuk ka pas diçka. Më pas ndiku dikush, nuk i kisha pas ato pikë në test me shkrim, i kisha pas maksimumin”, tha Halili – Beka.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, mirëpo i njëjti deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është përgjigjur.