Albin Kurti në Kuvend - Foto: KALLXO.com

Albin Kurti: Qeveria e Madhe u Bë Edhe Qeveri e Rëndë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi edhe numrin e madh të ministrave e zëvendës ministrave në qeverinë e Kosovës, por edhe vendimin që e mori kryeministri Ramush Haradinaj në fund të vitit të kaluar për rritjen e pagave për zyrtarët e lartë të qeverisë.

“Më shumë një zëvendës ministër për ministri është e tepërt. Pra do të duhej të zvogëloheshin së paku për 40 për qind zëvendës kryeministrat, së paku një e treta e ministrave dhe së paku katër të pestat e zëvendës ministrave, pra që në vend të 70 të jenë 14”, tha Kurti.

“Sikur kjo të mos mjaftonte, kur i mbushi 100 ditë, kjo qeveri e madhe ia dyfishoi pagat vetes duke u bërë kështu edhe qeveri e rëndë. Meqë u kritikua për këtë vendim nga qytetarët, shoqëria civile dhe gazetarët, tri javë më vonë (kryeministri) ua rriti pagat edhe shërbyesve civilë për 4 për qind si dhe pagesën e skemës sociale me 20 përqind. Tamam sikur ajo shprehja e popullit ‘nuk të japim bukë për ta ngopur barkun, por për ta mbyllur gojën’”, tha Kurti gjatë seancës në të cilën po bëhet interpelanca me kryeministrin Ramush Haradinaj për vendimin e tij për rritjen e pagës për vete dhe zyrtarët e lartë të qeverisë.