43 Vjet e Gjysmë Burg për Vrasjen në Gadime të Lipjanit

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 43 vjet e gjysmë 4 persona për vrasjen e R. Demirit në vitin 2012.

Arian Agushi është shpallur fajtor për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Atij i është shqiptuar dënimi unik me burgim prej 19 vjetësh.

Mentor Agushi u dënua me 14 vjet e gjysmë burg për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata dënoi me nga 5 vjet burg Shpend dhe Xhezair Agushin për vrasje të rëndë në bashkëkryerje. Këta të dy u liruan nga vepra penale armëmbajtje pa leje.

Arian dhe Mentor Agushit iu vazhdua paraburgimi deri sa vendimi t’u bëhet i plotfuqishëm, ndërsa Shpend dhe Xhezair Agushi u liruan nga kjo masë sigurie.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzonte Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushin se kanë kryer së bashku vrasjen e R.Demirit më 12 prill 2012 në fshatin Gadime e Epërme të Komunës së Lipjanit.

Arian, Mentor e Shpend Agushi janë vëllezër, ndërsa Xhezair Agushi xhaxha i tyre.

KALLXO.com e ndoqi edhe më herët këtë gjykim.