Aleksandar Vuçiq - Foto: Beta

Vuçiq: Erdhi Koha të Paguajmë Çmimet nga e Kaluara

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u takua sot me komisionarin europian për zhvillim Johannes Hahn, ndërsa deklaroi se Mont Everesti është para Serbisë.

Sipas “B92” Vuçiq deklaroi se kapitulli 35 ekziston vetëm për Serbinë, ndërsa nuk ka ekzistuar për asnjë vend tjetër.

Si mal pengesash që gjenden para Serbisë në bisedimet me Bashkimin Europian, Vuçiq tha se para së gjithash është çështja e Kosovës, por edhe kufiri me Bosnjën e Hercegovinën dhe Kroacinë.

“A janë për ne pengesa të vogla? Nuk janë, si Himalajet janë. Por nuk do të jemi të parët që janë ngjitur në Mont Everest”, tha Vuçiq.

Sipas fjalëve të Vuçiqit, mund ta lëmë kohën të rrjedhë, ose të përpiqemi që t’i zgjidhim problemet dhe pas kësaj Serbia vërtet do të hyjë në BE në vitin 2025.

“Në raport me katër shtetet dhe një territor, detyrat më të vështira janë para Serbisë. Erdhi koha të marrim vendime, të paguajmë çmime të caktuara nga e kaluara, të marrim vendime dhe të zgjidhim problemet që askush para nesh nuk i zgjidhe me decenie”, tha Vuçiq.

Ai nuk e komentoi strategjinë e BE-së për zgjerim, tha se nuk do ta bëjë këtë sot, pasi kjo do të ishte e komplikuar dhe e zgjeruar.

“Ky viti 2025 që është përmendur nuk do të thotë për ne kurrfarë garancie, por është shumë e rëndësishme si nxitje e qytetarëve të Serbisë për të kuptuar se kemi bërë disa gjëra të rëndësishme”, tha Vuçiq në konferencën e përbashkët me Hahn-in për gazetarë.