U Dha Fjala Përfundimtare në Rastin e Shyhrete Berishës

Avokati Naim Qelaj fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar.

Me arsyetimin se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës, për shkak se mungonte kolegia e saj, Shemsije Sheholli, mbrojtësja tjetër e të paditurit Xhelal Berisha, Shpresa Berisha-Rexhepi, e lëshoi sallën e gjykimit.

Këtë veprim ajo e ndërmori pasi gjykatësi i çështjes, Shaban Zeqiraj, mori aktvendim që të mbahet seanca edhe në mungesë të të autorizuarës Shemsije Sheholli.

Gjykatësi e mori këtë vendim pas kërkesës së avokatit Qelaj që të mbahet seanca lidhur me fjalën përfundimtare ngase sipas tij janë plotësuar kushtet ligjore.

Këtë propozim e kundërshtoi avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi me arsyetimin se avokatja Shemsije Sheholli për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, në të cilën është qe një kohë të gjatë, nuk mund ta përfaqësojë të paditurin.

“Për gjendjen e saj është njoftuar edhe avokati Naim Qelaj dhe më vjen keq që i njëjti propozon vazhdimin e seancës”, tha avokatja Shpresa Berisha Rexhepi.

Por, avokati Qelaj iu kundërpërgjigj duke thënë se që nga seanca e kaluar kemi kuptuar gjendjen shëndetësore të koleges së nderuar dhe që nga ajo kohë i padituri ka mundur të bëjë zgjidhje të tjera.

“Kjo procedurë nuk mund të zvarritet në pafundësi”, tha ai.

Më pas, gjykatësi i rastit mori aktvendim për mbajtjen e seancës dhe avokati i Shyhrete Berishës e paraqiti fjalën përfundimtare, të cilën e kishte përgatitur me shkrim.

Gjykatësi Shaban Zenelaj konstatoi se seanca e sotme në këtë çështje kontestimore përfundoi dhe palët në procedurë do ta marrin kopjen e aktgjykimit të arsyetuar.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor, ndërsa këto shkrime mund t’i lexoni në këtë link.