Gjykata Themelore e Pejës - Foto: KALLXO.com

Vajza i Del Krah Nënës në Gjyqin për Pronën

Zyrafete Huskaj përmes padisë po kërkon nga ish-burri i saj, Hasan Huskaj, njohjen e të drejtës në pronësi për shtëpinë në fshatin Lubeniq.

Në seancën e së premtes në këtë proces, që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Pejës, kanë dëshmuar dy dëshmitare, të cilat ishin propozuar nga pala paditëse. Majlinda Bytyqi, motra e Zyrafetes dhe e bija e kësaj të fundit, Alisa, dëshmuan para trupit gjykues lidhur me bashkëjetesën e ish-çiftit dhe kontributin e tyre ekonomik gjatë jetës bashkëshortore.

http://kallxo.com/ish-bashkeshortja-kerkon-hisen-e-saj/

Motra e Zyrafetes, Majlinda Bytyqi, tha se Hasan Huskajn e ka pasur dhëndër deri në vitin 2012. Ajo tha se motra e saj ka kontribuar shumë materialisht në ndërtimin e shtëpisë, sepse, sipas saj, Zyrafetja ka fituar shumë të holla nga puna e saj.

“Hasani lavdërohej në fshatin e tij Lubeniq së motra ime fiton gjysmë milioni euro në viti”, deklaroi Bytyqi.

Ajo tha së për ndërtimin e shtëpisë në fshatin Lubeniq kanë kontribuar edhe motra e saj edhe ish-dhëndri.

Avokati i palës mbrojtëse, Agim Shala, i tha trupit gjykues së kundërshton në tërësi deklarimin e dëshmitares, sepse, sipas tij, motra e paditëses është parapërgatitur për të dëshmuar.

“Në tërësi e kundërshtojmë deklarimin e motrës së paditëses sepse këtu po vërehet se çdo fjalë ka qenë e parapërgatitur për t’u dëshmuar në seancën e sotme”, tha avokati Shala.

Kurse, vajza e përbashkët e Hasanit dhe Zyrafetes, Alise Huskaj, në deklarimin e saj tha se deri në vitin 2012 prindërit e saj kanë qenë të bashkuar.

Kurse për kontributin në ndërtimin e shtëpisë, ajo tha se e ëma e saj ka punuar me shumë se i ati.

“Mami i ka punuar dy puna, kurse babi ka qenë në pension. Bashkë e kanë ndërtuar shtëpinë në Lubeniq. Mami ka kontribuar me shumë “, tha ajo.

Gjatë seancës disa herë është dashur të ndërhyjë gjyqtarja e rastit, Merita Baloku, për t’i ndalur polemikat në mes të avokatit mbrojtës, Agim Shala dhe avokatit të palës së paditur, Faruk Binakaj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 6 tetor, kur pritet të dëshmojnë dëshmitarë të propozuar nga pala paditëse.