Hashim Thaçi, President i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Thaçi: Pas 10 Viteve, Kosovës i Duhet Qartësia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se Kosova në këto 10 vite ka qenë “storje suksesi”.

NDËRLIDHUR

Në një konferencë për shtyp pak ditë para se Kosova ta shënojë 10 vjetorin e funksionimit si shtet i pavarur, Thaçi tha se vendi është duke kaluar një fazë transicioni.

“Kosova është duke kaluar një fazë të transicionit demokratik, sikur çdo vend i Ballkanit Perëndimor, me hapa drejt perspektivës euro-atlantike”, tha Thaçi.

“Nuk është e lehtë ta konsolidosh shtetin, kemi ndërtuar institucione demokratike, kemi bërë reforma demokratike shumë rrënjësore, reforma në drejtësi për të cilat vendet tjera vetëm mund të flasin”, tha Thaçi kur u pyet nëse para 10 viteve, kur e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë, e ka imagjinuar që shteti i ri do të përballet me këto vështirësi nëpër të cilat ka kaluar.

“10 vite janë shumë, por janë shumë pak për konsolidimin e një shteti”, tha Presidenti.

“Dreri në vitin 2014, Kosova ka ecur shumë mirë, por ngërçi i vitit 2014 ka ngadalësuar proceset… kanë rrjedhur disa pasoja të panevojshme me demarkacionin, Asociacionin dhe disa akte të dhunshme në parlament”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, 10 vitet e kaluara kanë qenë “vite të konsolidimit të brendshëm, të anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, të 115 njohjeve…”.

“Kanë qenë vite të ndryshimit të Kosovës për të mirë… vite të thellimit të partneriteti me SHBA, BE e NATO, vite të shtensionimit të situatës ndëretnike”, tha Thaçi.

Thaçi, një pjesë të deklaratës së tij ia kushtoi edhe raporteve të Kosovës me Bashkimin Europian, me procesin e liberalizimit të vizave të bllokuar për shkak të mosratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Thaçi tha se në takimin e fundit që ka zhvilluar me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, bisedat kanë qenë të relaksuara “si asnjëherë më parë”.

“Kosova ka një të ardhme, të ardhmen europiane, siç kanë qenë këto 10 vite europiane. Unë jam optimist se në të ardhmen e afërt do t’i përmbyllim të gjitha obligimet që i kemi më mënyrë që të ndodhë liberalizimi i vizave. Si askujt tjetër, Kosovës i duhet qartësia”, tha Thaçi.

01 Shkurt 2018 - 14:56

Taulant Osmani 01/02/2018 - 14:56
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight