Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Seanca e Jashtëzakonshme e Kuvendit Sot në Ora 12:00

Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga LDK dhe Alternativa dhe VV do mbahet sot në ora 12:00.

Lajmin e ka bërë të ditur Glauk Konjufca nga VV pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Do të ketë seancë të jashtëzakonshme pas një ore, në orën 12:00, ne presim që aty do të jetë edhe qeveria”, tha ai.

Vendimi për seancën u mor nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e cila e shqyrtoi kërkesën e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

Vetëvendosje dhe LDK kërkuan dje që një mbledhje e jashtëzakonshme të mbahet sot në ora 12:00, për shkak të mungesës së debatit në seancën e 9 shtatorit lidhur me parimet programore të Qeverisë.

Gjatë seancës së djeshme, tashmë kryeministri Ramush Haradinaj në fillim të mbledhjes ku do të votohej Qeveria e drejtuar prej tij, tha se ka përgatitur vetëm disa orientime programore, duke premtuar se “në të ardhmen do të përgatitet një program qeveritar”.

Ndryshe, Ramush Haradinaj është zgjedhur dje kryeministër i Kosovës.

Qeveria e drejtuar prej tij mori 61 vota për dhe një abstenoi.

Në momentin e votimit, deputetët e Vetëvendosjes, të LDK-së dhe Alternativës e kanë lëshuar sallën. /21Media

http://kallxo.com/kalon-ne-kuvend-qeveria-haradinaj/