Prezantimi i rezultateve të Monitorit të Pronësisë së Medias. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Raporti Rrëzon Mitin e Pluralizmit në Median Shqiptare

Ndërsa skena mediatike në Shqipëri është përshkruar shpesh si e tillë që ka shumë probleme – prania e shumë mediave në treg është mikpritur si një garanci për larmishmëri këndvështrimesh.

Gjithsesi, një raport i ri mbi pronësinë e medias dhe pluralizmit, publikuar këtë javë në Tiranë nga Reporterët Pa Kufi dhe nga BIRN Albania, tregon se perceptimi për një treg vibrant dhe të larmishëm është më shumë iluzion se sa realitet.

“Pas dekadash tranzicioni… panorama e medias duket se po rrëshqet larg nga rruga drejt pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë”, komentoi Olaf Steenfadt, drejtori i projektit global të RSF Monitori i Pronësisë së Medias.

Monitori i Pronësisë së Medias është pjesë e një projekti më të gjerë të Reporter ohne Grenzen, seksionit gjerman të organizatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut Reporterë pa Kufi.

Projekti synon të rrisë transparencën mbi pronësinë e medias në vende të ndryshme të botës si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën për pluralizëm mediatik si një mjet i domosdoshëm për një demokraci të shëndetshme.

Raporti – si dhe të dhënat janë të disponueshme në internet dhe zbulojnë se katër pronarët e mëdhenj kontrollojnë gjysmën e audiencës në tregun e televizionit në vend si dhe 85% të të ardhurave nga televizionet pa pagesë.

Tregu i shtypit në Shqipëri është gërryer përgjatë viteve të fundit nga rënia e të ardhurave dhe qarkullimit.

Në këtë fushë, një pronar kontrollon 54 për qind të të ardhurave dhe më shumë se 30 për qind të audiencës përmes dy gazetave të përditshme.

“Pavarësisht se shumë media sugjerojnë një larmishmëri sasiore të ofertës, të dhënat financiare tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave është e përqendruar në një numër të vogël grupesh mediash nën pronësi familjare,” thotë raporti.

Rrëzimi i mitit të medias pluraliste në Shqipëri

“Miti se, pavarësisht problemeve, media në Shqipëri prezanton pluralizëm këndvështrimesh, është rrëzuar. Një grusht familjesh arrijnë më shumë se gjysmën e audiencës dhe kanë 90 për qind të të ardhurave në tregun tonë të medias,” tha Kristina Voko, drejtore ekzekutive e BIRN Albania.

Gjithsesi, kryetar i Autoritetit të Medias Audio-Vizive, Gentian Sala, i cili ishte i pranishëm në publikimin e raportit, theksoi se matjet e audiencës në Shqipëri janë të dobëta.

Ai theksoi gjithashtu se nuk ka pengesa për aktorë të rinj që mund të duan të hyjnë në treg.

“Problemi në median shqiptare është se ne kemi pronarë të fortë dhe biznese të dobëta,” tha Sala duke iu referuar kulturës së përgjithshme të biznesit në Shqipëri.

“Një pjesë e madhe e spektrit është aktualisht e lirë për çdokënd që dëshiron të hyjë tregun e televizioneve,” shtoi ai.

Dy kompani kërkimore ofrojnë matje të audiencës në Shqipëri, por matjet e tyre japin rezultate shumë të ndryshme dhe ato janë të kundërshtuara sa i përket cilësisë si nga ekspertët ashtu edhe nga pronarët e mediave.

Por matjet e audiencës nuk janë faktorët e vetëm që tregojnë nivelet e larta të përqendrimit në media.

Analiza të raporteve financiare të tetë kompanive të televizioneve pa pagesë dhe dy platformave me pagesë tregojnë se kompanitë e mëdha dominojnë gjithashtu tregun për sa i përket të ardhurave.

Shqiptarët shpenzuan rreth 100 milionë euro për media gjatë vitit 2016. Rreth 50 milionë ishin të ardhurat e dy platformave me pagesë. Rreth 18 milionë të tjera ishin shpenzimet e transmetuesit publik.

Rreth 32 milionë euro u mblodhën nga televizionet pa pagesë, të fituara më së shumti përmes reklamave.

Nga të tetë kompanitë që operojnë në tregun e televizioneve pa pagesë, dy më të mëdhatë, Tom Channel dhe TV Klan, kishin 67 për qind të të ardhurave.

Ka dhjetëra stacione televizive lokale në vend por prania e tyre është pothuajse e padukshme si në terma të audiencës ashtu edhe të të ardhurave.

Tregu i shtypit në Shqipëri është shumë i vogël. Një dyzinë kompanish të shtypit të analizuara patën të ardhura prej vetëm 4.5 milionë eurosh, gjysma e të cilave shkuan te një pronar i vetëm me dy gazeta.

Kufizimet e pronësisë të injoruara që në fillim:

Shqipëria miratoi ligj për të rregulluar tregun komercial për herë të parë më 1998.

Por parimi bazë i kufizimit të pronësisë – i cili është një garanci për pluralizmin brenda dhe jashtë kompanive të medias – është anashkaluar dhe injoruar vazhdimisht.

Kufizimi kyç përfshinte ndalimin që çdo person apo familje të mos kishte më shumë se 40% të një kompanie televizioni kombëtar.

Shumë vende të BE-së kanë kufizime të tilla, të dizajnuara për të garantuar që mediat më të rëndësishme të mos bien nën kontrollin e drejtpërdrejtë të një personi apo kompanie.

Por kufizimet ligjore nuk kanë sjellë një pengesë reale për pronarët e medias në Shqipëri, të cilët kanë përdorur pronarë fasadë për t’i anashkaluar këto pengesa.

Dhe, megjithëse nuk ka raste të njohura të zbatimit të këtyre kufizimeve nga autoritetet, ky konsiderohej gjithsesi mjaftueshëm problem sa pronarët e medias lobuan për heqjen e tyre.

Në vitin 2015, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet Taulant Balla, propozoi amendim ligjor për të hequr të gjitha kufizimet në pronësi.

Balla pretendoi se kufizime të tilla “dëmtonin konkurrencën e ndershme” dhe “pengonin zhvillimin e sektorit”.  [Link]

Organizatat vendëse të medias si dhe OSBE dhe Këshilli i Europës protestuan kundër propozimit, duke theksuar rëndësinë e pluralizmit në tregun e medias. Nën presion, Balla e tërhoqi propozimin.

Por ndërkohë, një shoqatë që prezanton pronarët e medias e sfidoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Në maj 2016, gjykata i shpalli kufizimet “disproporcionale” me synimin dhe i hoqi nga ligji.

Dorian Matlija, një ekspert ligjor, theksoi në prezantimin e rezultateve të studimit mbi pronësinë e medias se, megjithëse gjykata e konsideroi pronësinë 40% “disproporcionale”, parlamenti mund të vendosë një limit të ri.

GJithsesi, megjithëse parlamenti e ka ndryshuar ligjin mbi median audiovizive dy herë që nga viti 2016, asnjë përpjekje nuk është bërë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Besar Likmeta, redaktor i BIRN Albania, theksoi se nivelet e larta të përqendrimit – si dhe fakti që pronarët e medias në Shqipëri kanë biznese të lidhura në fusha të rregulluara – shtyn shumë gazetarë drejt vetë-censurës, për shkak se ata përpiqen të shmangin rrjetin e komplikuar të interesave të krijuara mes medias, politikës dhe biznesit.

Gjithsesi, shtoi ai, edhe kur pak reporterë i rezistojnë vetëcensurës, ata përballen me denigrime dhe abuzime verbale nga  politikanët e nivelit më të lartë, duke përmendur rastet e kryeministrit aktual Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, e të tjerëve.

“Pronarët e mdias kanë interesa të lidhura me kompani që operojnë në tregje fitimprurëse të rregulluara si ndërtimi, bankat, nafta apo arsim privat e bixhos,” vërejti Likmeta.

“Përqendrimi i lartë nuk është vetëm problem në termat e pronësisë, audiencës dhe tregut, por edhe në termat e tregut të reklamave, ku një grup i vogël kompanish telekomunikacioni dhe banka kanë pjesën më të madhe në volumin e reklamave,” shtoi ai.

Kjo “shpjegon mungesën e raportimeve në rastet e aludimeve për abuzime nga këto kompani shumëkombëshe ndaj konsumatorëve vendës”, shtoi Likmeta.