Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Qytetarët në Terr, KEDS e KEK Shkëmbejnë Akuza

KEDS-i ka treguar shkaqet e reduktimit të energjisë elektrike, duke u arsyetuar me ndaljen e papritur të njësisë A4 të Termocentralit Kosova që është nën menaxhimin dhe përgjegjësin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Pas kësaj komunikate të KEDS-it ka reaguar menaxhmenti i KEK-ut, duke e akuzuar Furnizuesin Publik me Energji Elektrike (KESCO) për dështim në realizimin e misionit të tyre- furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. Madje, sipas KEK-ut, KESCO po tenton që dështimin e tyre t’ia faturojë Korporatës Energjetike të Kosovës.

Këto akuza të Korporatës Energjetike të Kosovës në drejtim të KESCO/KEDS i ka bërë pas një komunikate të lëshuar nga zëdhënësi i KESCO-së, Viktor Buzhala në të cilën thuhet se për shkak të rënies së njësisë A-4 të Termocentralit “Kosova A” është vështirësuar furnizimi me energji elektrike. KESCO/KEDS janë përgjegjës për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike dhe e njëjta është në pronësi dhe menaxhohet nga kompanitë Çalik & Limak.

“KEDS është njoftuar në orën 18:45 të ditës së sotme se njësia A4 e Termocentralit Kosova A ka rënë nga sistemi dhe përfundimisht nuk mund të kthehet sot në sistem. Kjo bën që automatikisht të jenë 130 MWh më pak në sistem”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Viktor Buzhala. “Kjo ndodhi në kohën kur konsumi është më i larti si pasojë e motit të ftohët me të cilin po ballafaqohemi.”

Tutje në komunikatë, Buzhala ka treguar se KEDS ka qenë duke i importuar 350 megavatë në atë kohë dhe se pas zvogëlimit të prodhimit nevojitej import shtesë për të shmangur reduktimet e energjisë elektrike.

“KEDS/KESCO ka filluar menjëherë përpjekjet për të gjetur import shtesë, por duke e marrë në konsideratë se edhe rajoni po ballafaqohet me kërkesë të rritur, atëherë po shkaktohen vështirësi në furnizimi”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.

Reduktime deri në katër orë

Në raportin e prodhimit të energjisë elektrike për datën 22 janar, shihet se ka pasur devijime më të mëdha krahasuar me planin për prodhim prej orës 19 e deri në ora 22:00. Në bazë të këtij raporti, shihet që KEK-u gjatë gjithë ditës ka prodhuar më shumë energji se sa që ishte plani fillestar. E nga ora ora 19:00 kanë nisur devijimet më të mëdha. KEK-u ka prodhuar 667 megavatë në ora 19:00, ndërsa në plan ishte prodhimi i 775 megavatëve apo 108 megavatë më pak. Në ora 20:00 janë prodhuar 125 megavatë më pak, kurse në orën 21 dhe 22 janë prodhuar nga 132 megavatë më pak. Në ora 23 devijimi ka rënë në 73 megavatë, kurse në mesnatë është zvogëluar edhe më shumë, në vetëm 23 megavatë.

Gjatë kësaj kohe (19: 00- 23:00) reduktime të energjisë elektrike janë raportuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Në rrethinën e Fushë Kosovës reduktimet kanë zgjatur tri orë, duke filluar nga ora 19 e deri në orën 22:00. Edhe në rrethin e Rahovecit, reduktimet kanë zgjatë nga ora 19:00 deri në orën 23:00. Edhe në Suharek reduktimet kanë qenë prej orës 19 deri në orën 21:00. Nëpër qytete, reduktimet kanë qenë më të vogla. Në Ferizaj është raportuar për reduktim të energjisë elektrike prej orës 21:00 deri në ora 22:00. Në Prishtinë e Gjilan nuk ka pasur reduktime. Kjo tregon se KEDS/KESCO nuk i ka trajtuar njëjtë të gjithë konsumatorët e vetë.

KEK-u i është kundërpërgjigjur KESCO-së me një komunikatë për media, duke e akuzuar këtë kompani se dështimet e tyre për t’i furnizuar qytetarët me energji elektrike po tenton t’ia faturoi dikujt tjetër.

Në komunikatën e KEK-ut thuhet se KEDS-i ka qenë i njoftuar se devijimi nga plani i prodhimit do të jetë i shkurt, duke e përgënjeshtruar kështu KEDS-in.

“Edhe pse KEK-u ka informuar Furnizuesin Publik KEDS/KESCO se bëhet fjalë për një devijim të shkurtër, si gjithmonë edhe kësaj radhe, furnizuesi publik KEDS/KESCO në mungesë të energjisë elektrike dhe në pamundësi të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike sipas përgjegjësisë që mban karshi tyre, thirret  dhe raporton në emër të KEK-ut , pa pasur autorizim për këtë çështje”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Tutje, Korporata që udhëhiqet nga Arben Gjukaj e akuzon KEDS-in për demotivim të punëtorëve të vetë dhe prishje të imazhit.

“Me këtë rast me apo pa vetëdije po zbeh të arriturat e KEK-ut dhe po i de-motivon punëtorët të cilët po bëjnë të pamundurën për ti mbajtur termocentralet në operim edhe në këto temperatura jashtëzakonisht të ulëta”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, për KALLXO.com tha se KEDS-i po ndërhynë në punën e KEK-ut.

“Furnizuesi Publik KEDS/KESCO përveç se po ndërhynë drejtpërdrejtë ne punët dhe përgjithësitë e KEK-ut pa pasur autorizim, ata gjithashtu po nguten me komunikata te pasakta dhe po keq informojnë opinion publik, hera e fundit ka qenë mbrëmë”, tha ai.

Bucolli thotë se të dielën, KEK-u e ka realizuar 97 % të planit të prodhimit.

“Përndryshe dje (të dielën) në total kanë qenë të planifikuara 18600 MË dhe janë realizuar 18050 MË, që do të thotë se përkundër devijimit të shkurtër të bllokut A 4 prapë kemi realizuar planin 97% të  planit”, tha Bucolli. Madje, ai thotë se mos-realizimi i planit të prodhimit e dëmton KEK-un, por jo edhe KEDS-in.

Por, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë se njoftimi për arsyet e reduktimeve të energjisë elektrike janë obligim i tyre ligjor.

“Njoftimin që kemi dërguar mbrëmë në opinionin publik ka qenë për të informuar sepse ky është obligim ligjor i yni, dhe nuk ka pasur për qëllim për të fajësuar dikë, prandaj edhe nuk kemi folur në emër të askujt por thjesht e kemi informuar opinionin”, tha ai.

Buzhala ka thënë se KEDS-i, aktualisht, importon rreth 45% të energjisë së konsumuar në Kosovë, sepse KEK-u po arrin të mbulojë vetëm 52 për qind të konsumit.

Thotë se rëniet e paplanifikuara të njësive të KEK-ut e bëjnë të pamundur zëvendësimin e menjëhershëm, që do të thotë se duhet të aplikohen reduktime.

“Ne vazhdimisht jemi në kërkim të energjisë nga importi për të siguruar furnizim sa më të qëndrueshëm për konsumatorët por kur kemi rënie të pa paralajmërim të ndonjërit bllok, atëherë jemi pa opsione dhe të detyruar të bëjmë ndërprerje sepse energjia elektrike nga importi  nuk mund te gjendet menjëherë. Sidomos kur edhe rajoni po ballafaqohet me rritje të konsumit dhe mungesë të energjisë elektrike”, tha Buzhala.

KEDS-i dhe KEK-u kanë pasur përplasje të ngjashme edhe më herët. Në një rast, çështja ishte diskutuar edhe në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për zhvillim Ekonomik. Në atë kohë, ministri i zhvillimit ekonomik ka qenë Fadil Ismajli, i cili pati deklaruar se KEDS/KESCO është përgjegjëse për furnizim me energji elektrike dhe se këtë mund ta bëjë edhe duke importuar rrymë nga vendet e rajonit në mënyrë që t’i shmangë reduktimet e energjisë elektrike.