Ceremonia në Miljevici, të mërkurën. Foto: BIRN.

Përkujtohet mes Debatesh Vrasja e Ushtarëve të APJ-së në Sarajevë

Milenko Savanoviq, ministri i Punës, Çështjeve të Veteranëve dhe Mbrojtjes së Personave me Aftësi të Kufizuara në entitetin me shumicë serbe të Bosnjës, Republika Srpska, u ankua para përkujtimores se gjendja e sigurisë në Sarajevë ishte “e papërshtatshme” pasi një punonjës i Komunës vendosi lule dhe qirinj në një kosh plehrash pas përkujtimores së vitit të kaluar.

Savanoviq tha gjithashtu të mërkurën se autoritetet e Sarajevës nuk i kishin lejuar serbët që t’i përkujtonin si duhej trupat e Armatës Popullore Jugosllave që u vranë në rrugën “Dobrovoljacka” ndërsa po largoheshin nga Sarajeva më 3 maj 1992.

“Forcat myslimane dhe autoritetet myslimane në Kantonin e Sarajevës nuk na kanë lejuar të vendosim një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë ushtarëve të vrarë. Përveç kësaj, ata nuk i kanë lejuar priftërinjtë tanë ortodoksë të kryejnë një ceremoni të krishterë”, tha Savanoviq.

“Kur të plotësohen kushtet, ne do të kthehemi ta shënojmë përvjetorin në atë vend”, shtoi ai.

Milomir Savçiq, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës në Republikën Srpska, tha se vrasjet në rrugën “Dobrovoljacka” ishin një nga ngjarjet më tragjike të luftës.

Savçiq këmbënguli gjithashtu se mënyra se si vdiqën ushtarët po keq përfaqësohej dhe se kujtimet e tyre nuk po respektoheshin.

“Është e pabesueshme të shohësh njerëz që kishin qëllimin më sublim, të mbronin kushtetutën dhe integritetin e shtetit të tyre, të trajtoheshin në këtë mënyrë”, tha ai.

“Ka gjithmonë dy ose më shumë versione të të vërtetës, por pavarësisht dëshirës tonë për të shënuar këtë datë në përputhje me zakonet dhe traditat serbe, sot nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë”, shtoi ai.

Askush nuk është gjykuar ende për vdekjet.

Autoritetet serbe pretendojnë se më shumë se 40 ushtarë dhe oficerë jugosllavë u vranë dhe më shumë se 70 u plagosën.

Si rezultat i një investigimi që vazhdon ende në Serbi, dy të dyshuar janë ndaluar – Ejup Ganiq u arrestua në Britani dhe Jovan Divjak në Austri.

Por gjykatat në Britani dhe Austri vendosën të mos i ekstradonin ata në Serbi, por në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku vazhdon një investigim paralel për dhunën në rrugën “Dobrovoljacka”.

Megjithatë, pavarësisht premtimeve nga zyrtarë të prokurorisë shtetërore boshnjake, nuk është paraqitur ende asnjë padi.

Ndërkohë çështja e ngritjes së memorialit në vendin ku vdiqën ushtarët në “Dobrovoljacka” ka qenë një çështje e gjatë me shumë debate.