Pamjet: Still from What's This Country Called Now? (2021)

‘Kam bërë paqe me luftën time' - Gazetarja boshnjake tregon historinë e saj të mbijetesës gjatë rrethimit të Sarajevës

“Kam jetuar me iluzionin se, nëse njerëzit e ndershëm do ta dinin se çfarë po ndodhte, ata do ta ndalonin luftën”, më thotë gazetarja Aida Çerkez teksa pi birrë gjatë një mbrëmje në Sarajevë, teksa sjell ndër mend raportimin e saj nga kryeqyteti i rrethuar boshnjak, Sarajeva.

Shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve ’90 ishte kthyer në një konflikt të ashpër etnik. Në Bosnje, në republikat më multietnike të reja e të pavarura, forcat serbe zunë pozicione në kodrat përreth kryeqytetit. Për gati katër vjet, ata ndërprenë çdo hyrje-dalje në qytet dhe i granatuan lagjet e Sarajevës me predha zjarri dhe snajperë.

Ashtu si shumë boshnjakë, reporterja e ri fillimisht mendoi se evropianët e tjerë do t’i vinin në shpëtim sapo të kuptonin se çfarë po ndodhte. “Në vitin 1994 e kuptova që ata e dinin”, më thotë Çerkez. “Ata thjesht nuk çanë bythen fare. Nëse jetuam apo vdiqëm, nuk kishte rëndësi”.

Aida Çerkez si korrespondente lufte në vitin 1992. Pamjet: Arkivi personal

Zhgënjimi i saj do të provokojë shumë gazetarë sot. Për çfarë shërben gazetaria, nëse nuk ka bërë asnjë ndryshim në Siri, Gaza apo Xinjiang? Apo, për këtë çështje, në Bosnje, për të cilën disa ekspertë frikësohen se është sërish në prag të katastrofës?

Tani, gati 30 vjet pas luftës së Bosnjës, Aida Çerkez ka shkruar një film të shkurtër që ofron një përgjigje. Me prodhim dhe me regji nga Joseph Pierson, What’s This Country Called Now? së fundmi fitoi çmimin për filmin më të mirë në Golden Movie Awards në Londër. Për gazetarët që pyesin se për çfarë bën fjalë ky film, është një deklaratë besimi 37-minutëshe. Për të gjithë të tjerët, është një kujtesë se dija mbart një përgjegjësi morale.

Ky film ka si protagoniste kryesore aktoren kroate fituesen e çmimeve filmike Zrinka Cvitesiq në një performancë të pazakontë si një Çerkeze më e re, e cila punoi si korrespondente e Associated Press gjatë makthit katërvjeçar të Sarajevës.

“Ti, moj Aida, duhet të shkruash për këtë. Dhe publikoje, menjëherë! Kështu që askush, pas kësaj, nuk mund të thotë asnjëherë “Nuk e dija”.

Një montazh rrëqethës i fillimit të filmit, i ndërthurur me pamjet aktuale të kohës së luftës, tregon që i shpëton plumbave të një snajperi teksa vrapon nëpër rrugët e qytetit me një Land Rover. Në një skenë tjetër tronditëse, ajo ia dorëzon fëmijën e saj një të huaji përmes dritares së autobusit – e vetmja mënyrë për të siguruar evakuimin e tij në Gjermani.

Por ngjarja qendrore e filmit është më e qetë dhe më reflektuese, duke lënë në prapavijë tekat e luftës. Në një seri skenash intime, të ndezura nga drita e qirinjve dhe të shpuara nga zhurma e predhave që shpërthejnë, Çerkez bën një intervistë të pazakontë, intervistë kjo, fundi i së cilës ia ndryshon asaj jetën.

Subjekti i saj, një 92-vjeçar nervoz i quajtur Ismet Tabakoviq, është një dëshmitar i gjallë i një tragjedie sarajevase nga një epokë tjetër. Si një djalosh, ai kishte qenë mes turmave të gëzueshme që përshëndetën Franz Ferdinandin, kryedukën austriak që kishte ardhë në vizitë në Sarajevë, kur u qëllua për vdekje nga një nacionalist serb. Vrasja, pak jashtë lagjes së këndshme turke të qytetit, ishte pikënisja e Luftës së Parë Botërore. Në 80-vjetorin e vrasjes, Associated Press kërkoi nga Çerkez të shkruante një storie lidhur me ngjarjen në fjalë. Përgjatë dy ditëve, në një sekuencë filmi e rikrijuar nga shënimet e saj, Çerkez intervistoi Sarajevasin e përjetshëm, tashmë të lidhur në shtrat dhe pothuajse të shurdhër.

Si subjekt, Tabakoviq ishte një karrem i papërmbajtshëm: një njeri që kishte mundësinë të kthehej në retrospektivë tek Perandoria Austro-Hungareze, pushtimit nazist dhe gjithë jetëgjatësisë së Jugosllavisë socialiste. Duke jetuar vitet e tij të fundit në rrënojat e Sarajevës së viteve ’90, ai nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte. “Kush po qëllon?” e pyet ai Çerkezin në film. “Si quhet ky vend tani?”

“Ai jetoi gjithë jetën e tij atje dhe ndoshta vdiq në atë shtrat në të cilin e intervistova,” kujton ajo sot. “Ai jetonte brenda asaj shtëpie porse në pesë vende të ndryshme.”

Kjo intervistë ishte gjeneza e filmit. Në vitin 2015 – këtë herë në 100 vjetorin e vrasjes – Çerkez u tregoi disa vizitorëve nga Fondacioni Rockefeller për takimin e saj me Tabakoviqin. Të fascinuar dhe pa dyshim të magjepsur nga aftësitë e saj si narratore, ata kërkuan nga ajo të shkruante një skenar lidhur me këtë storie. Çerkez ra dakord – por për të, historia duhej të rezononte sot. “Ata donin të tregonin se sa e tmerrshme është historia e qytetit. Atëherë në rregull, çdo guidë turistike mund t’ua thotë këtë,” shton ajo. “Kur njerëzit e shikojnë këtë, nuk do të bëhen më të zgjuar. Dua t’u them atyre diçka tjetër”.

Kjo është arsyeja pse, me këmbënguljen e saj, skena kryesore e filmit rikrijon bisedën e saj të fundit me Tabakoviqin – në momentin kur ajo kuptoi se gazetaria e saj kishte vlerë dhe çfarë ishte ajo.

I korruptuar nga oferta e një çokollate të rrallë, i moshuari, fillimisht hezitues, dukej entuziast në raport me gazetaren e re. E nxitur nga pyetjet e tij, ajo e gjeti veten duke i treguar atij për jetën e saj, duke rrëfyer se nuk e shihte më kuptimin e qëndrimit në Sarajevë. “Kjo ka vazhduar për dy vjet dhe nuk e di nëse do të ndalet ndonjëherë”, thotë ajo në film. “Mendoj se do të largohem së shpejti. Më ka ardhë në majë të hundës. Unë po shkruaj dhe asgjë nuk po ndodh”.

Pikërisht atëherë punëtori i pensionuar i hekurudhës i thotë asaj diçka që do t’i ndryshonte jetën. Pas Luftës së Dytë Botërore, kujton Tabakoviq, ai foli me një burrë kroat për zhdukjet gjatë luftës. “E pyeta”, thotë ai, “si u ndjetë kur po merrnin fqinjët dhe miqtë tuaj më të dashur për t’i vrarë në ato kampe? “Ne nuk e dinim”, tha burri.

“Ndoshta nuk e kanë bërë”, i thotë Tabakoviq Çerkezit. “Sepse askush nuk po shkruante për këtë.” Kjo, i thotë ai, ndërkohë që ajo e qetëson përsëri në shtrat, është arsyeja pse ajo duhet të vazhdojë ta mbulojë luftën në Bosnje me raportimet e saja. “Ti, moj Aida, duhet të shkruash për këtë. Dhe publikoje, menjëherë! Kështu që askush, pas kësaj, nuk mund të thotë asnjëherë ‘Nuk e dija’”.

“Mbeta pa fjalë kur e tha këtë”, kujton ajo. “U largova duke e ditur se do të qëndroja”. Nuk ishte një thirrje për gazetarinë që mund ta ribëjë botën. Në vend të kësaj, ishte një pohim i një të vërtete më delikate dhe modeste: kur informoni audiencën tuaj, ju njëkohësisht e bëni një kërkesë morale.

“Nëse dikush është atje për të dëshmuar, atëherë injoranca nuk është më një alibi”, rrëfen personazhi i Çerkez, duke shkruar në një kompjuter portativ primitiv të Associated Press – i njëjti që Çerkezi e përdori në jetën reale gjatë rrethimit. “Kështu që raportoja çdo ditë. E përqafova punën time. Unë bëra paqe me luftën time”.

Mesazhi i Tabakoviqit mbeti me Çerkez-in e vërtetë për një kohë shumë të gjatë. Ajo është ende sot në Sarajevë, duke punuar si redaktore e lajmeve për Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), një rrjet ndërkombëtar gazetarësh hulumtues.

“Falë Ismetit kam durim për gazetari. Nuk pres një ndikim të drejtpërdrejtë”.

“Këta të rinj janë të paduruar si unë”, thotë ajo, duke iu referuar kolegëve të saj. “Ata duan ta ndryshojnë botën. Ata nuk e kanë idenë se tashmë e kanë këtë. E kanë shndërruar një justifikim në një zgjedhje”.

“Mendoj se me kaq mjafton.”

Ilya Lozovsky është shkrimtar dhe redaktor në Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – OCCRP, me qendër në Sarajevë.

BURIMI – https://www.calvertjournal.com/articles/show/13362/bosnian-journalist-resilience-sarajevo-siege-film