Pacolli në Qeveri, PDK Kalon në Vend të Tretë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, do të bëhej deputet i Kuvendit të Kosovës nëse Behgjet Pacolli i AKR-së do të emërohej ministër në një Qeveri të mundshme të formuar me koalicionin PAN.

Aleanca Kosova e Re e Pacollit e braktisi koalicionin me LDK-në dhe Alternativën, të formuar para zgjedhjeve të 11 qershorit, për t’iu bashkuar pak orë më vonë koalicionit tjetër PAN.

Me vetëm 4 deputetë, partia e Pacollit do të marrë pozita të larta në Qeverinë që mund të formohet ditëve të ardhshme.

Dje në media është përfolur se vetë Pacolli mund të marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë si dhe të ministrit të Jashtëm.

Nëse ndodh kjo, Behgjet Pacolli do të heqë dorë nga pozita e deputetit, sepse kështu e kërkon Ligji për Deputetët.

Për mundësinë që partitë të humbin deputetë nëse ata të zgjedhurit marrin poste qeveritare KALLXO.com kishte shkruar qysh në muajin maj.

Rreziku i Partive që të Humbin Deputetë

Nnë rast se Pacolli merr pozitë në Qeveri atëherë do të lirohej një pozitë e deputetit, e këtë pozitë nuk e merr kandidati i partisë së njëjtë por kandidati me më së shumti vota i koalicionit.

Në rastin konkret, kandidati më i votuar në listën e pritjes është nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili ka 7 mijë e 272 vota.

Në këtë mënyrë, LDK do të ketë 24 deputetë dhe PDK do të kalonte në pozitën e tretë me 23 deputetë, prapa Vetëvendosjes, e cila ka 32 deputetë.

Atëherë AKR-ja do të mbetej vetëm me 3 deputetë: Labinot Tahirin, Islam Pacollin dhe Korab Sejdiun.

Ky i fundit ka deklaruar disa herë se nuk do e votojë asnjëherë koalicionin PAN për krijimin e institucioneve.

http://kallxo.com/korab-sejdiu-nuk-e-votoj-qeverine-e-pan-ne-asnje-rrethane/

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me deputetin Sejdiu, i cili është edhe nënkryetar i AKR-së, por ai nuk është përgjigjur.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar dje me koalicionin PAN, AKR do ta ketë pozitën e zëvendëskryeministrit të parë si dhe do të drejtojë këto 5 ministri: Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Planifikimit Hapësinor.